ShBA-ja kryen një tjetër sulm ndaj një varke të dyshuar për drogë në Karaibe

17 tetor 2025 | 10:04

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka kryer një tjetër sulm ndaj një mjeti detar të dyshuar për trafik droge në ujërat e Karaibeve, ndërsa Admirali Alvin Holsey, komandanti i operacioneve ushtarake në rajon, ka njoftuar dorëheqjen e tij të papritur, dy vjet para përfundimit të mandatit.

Një zyrtar amerikan, që foli në kushte anonimiteti, konfirmoi sulmin më të fundit ditën e enjte, duke thënë se për herë të parë ka pasur edhe të mbijetuar mes ekuipazhit të varkës së goditur. Pentagoni ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar për këtë ngjarje.

Ky ishte sulmi i gjashtë që nga fillimi i shtatorit, ku deri tani kanë humbur jetën të paktën 27 persona. Aksionet janë cilësuar si “vrasje pa gjyq” nga organizatat e të drejtave të njeriut, ligjvënës demokratë dhe ekspertë të ligjit ndërkombëtar.

Sulmi vjen vetëm një ditë pasi Presidenti Donald Trump konfirmoi se ka autorizuar operacione të fshehta të CIA-s brenda Venezuelës dhe se po shqyrton mundësinë e ndërhyrjes me trupa tokësore për të luftuar kartelat e drogës.

Trump ka intensifikuar praninë ushtarake amerikane në Karaibe që nga fundi i gushtit, duke dërguar luftanije, avionë luftarakë F-35, nëndetëse bërthamore dhe mbi 6,500 trupa.

Administrata Trump e justifikon ndërhyrjen si pjesë e një “lufte kundër grupeve narco-terroriste” të lidhura me regjimin e presidentit venezuelian Nicolas Maduro, për të cilin ShBA ofron një shpërblim prej 50 milionë dollarësh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në ditët e sotme, Kim Kardashian ka krijuar një imazh…