
ShBA-ja miraton shitjen e armëve Ukrainës prej 322 milionë dollarësh
Shtetet e Bashkuara kanë miratuar shitjen e armëve në Ukrainë në vlerë të 322 milionë dollarëve, për të forcuar mbrojtjen e këtij shteti në ajër dhe fushëbetejë, teksa përballet me pushtimin rus.
Shitjet e pajisjeve HAWK për mbrojtje ajrore do të kushtojnë 172 milionë dollarë, derisa pajisjet luftarake të këmbësorisë Bradley do të kushtojnë 150 milionë dollarë, ka bërë të ditur Agjencia e Departamentit amerikan të Mbrojtjes për Siguri dhe Bashkëpunim.
Pajisjet HAWK do t’i “përmirësojnë kapacitetet e Ukrainës për t’u përballur me kërcënimet e së tashmes dhe të ardhmes”, ka thënë kjo agjenci.
Departamenti amerikan i Shtetit i ka miratuar shitjet dhe agjencia e Departamentit të Mbrojtjes e ka njoftuar Kongresin amerikan, i cili duhet ta japë miratimin e fundit.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, më 14 korrik, se planifikon të pajisë Ukrainën me armë në vlerë të “miliarda dollarëve” të cilat do t’i blejë aleanca veriatlantike.
Në të njëjtën kohë, Trump i ka dhënë Rusisë një afat prej 50 ditësh për t’u pajtuar për një armëpushim, ose do t’i vendosë sanksione të ashpra.
Miratimi i shitjes potenciale të këtyre armëve vjen pasi Pentagoni ka urdhëruar pezullim të dërgesave tjera në Ukrainë për t’i vlerësuar rezervat e veta, pavarësisht se Kievi është përballur me sulme të vazhdueshme me dronë dhe raketa.
Sulmet kanë vazhduar edhe më 23 korrik, pasi forcat ruse kanë goditur portin e Odesas në Detin e Zi, duke përhapur flakë në ndërtesa banimi.
Në anën tjetër, dronët ukrainas kanë goditur territoret ruse, duke vrarë një person dhe duke plagosur një tjetër.
Autoritetet ruse të aviacionit kanë thënë se i kanë pezulluar operacionet në aeroportin e Soçit për katër orë.
Sulmet kanë ndodhur të njëjtën ditë kur Rusia dhe Ukraina janë pajtuar për këmbim të të burgosurve në negociatat e zhvilluara në Turqi.
Në takim nuk është arritur përparim për kushtet e armëpushimit, dhe palët nuk janë marrë vesh për ndonjë takim në mes të liderëve të Ukrainës dhe Rusisë.
“Kemi arritur përparim në aspektin humanitar dhe jo për ndalje të armiqësive”, ka thënë shefi i delegacionit ukrainas, Rustem Umerov, pas takimeve.
Shefi negociator i palës ruse, Vladimir Medinsky i ka ripërsëritur thirrjet për armëpushime 24 ose 48-orëshe për të mundësuar largimin e trupave të ushtarëve.
Ukraina ka thënë se është e interesuar për armëpushim të menjëhershëm dhe afatgjatë.
Sa i përket këmbimit të të burgosurve, Medinsky ka thënë se negociatorët janë pajtuar për t’i këmbyer mbi 1.200 të burgosur të luftës nga të dyja palët, dhe që Rusia është zotuar për dorëzim të 3.000 trupave të ushtarëve ukrainas.
Medinsky ka thënë se edhe individët e plagosur rëndë do të këmbehen në front të luftës.
Zelensky ka thënë se janë duke u bërë të gjitha përgatitjet për këmbim.
“Po presim kthimin e njerëzve tanë në shtëpi. Është shumë e rëndësishme që, pavarësisht gjithë vështirësive, ukrainasit të kthehen në shtëpi”, ka thënë ai. /REL