ShBA-ja ndihmon Kosovën me 3 milionë dollarë për luftimin e pandemisë

27 janar 2022 | 17:38

Në mesin e janarit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) i kanë ndarë 3 milionë dollarë shtesë ndihmë urgjente Kosovës për luftimin e Covid-19.

Në një komunikatë të USAID-it është thënë se kjo ndihmë do të mbështesë forcimin e mbrojtjes së fëmijëve të cenueshëm që janë goditur nga pandemia dhe do të sigurojë vazhdimësinë e ofrimit të shërbimeve sociale themelore.

Ajo gjithashtu do të përmirësojë shërbimet në terren në kuadër të sistemit të kujdesit shëndetësor parësor për të promovuar vaksinimin dhe digjitalizuar bazën e të dhënave mbi menaxhimin e rasteve të Covid-19 me qëllim të lehtësimit të shkëmbimit të shpejtë të informatave në mes të institucioneve shëndetësore.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit me Kosovën për t’i dhënë fund pandemisë Covid-19 dhe janë veçanërisht të fokusuara në zvogëlimin e ndikimeve të saj në popullatat e margjinalizuara. Luftimi i një pandemie globale kërkon përkushtimin e secilit prej nesh – prandaj, bëni pjesën tuaj të punës, lani duart, mbani maskë dhe vaksinohuni”,  citohet të këtë thënë Zeinah Salahi, drejtoreshë e Misionit të USAID-it në Kosovë.

Sipas komunikatës, ndihma financiare prej 3 milionë dollarësh amerikan i është shtuar aktivitetit të reagimit ndaj pandemisë, i cili zbatohet përmes UNICEF-it dhe ndërton mbi ndihmën paraprake në vlerë prej 5.1 milionë dollarë amerikan për Covid-19 që USAID-i ka zotuar për Kosovën gjatë pandemisë.

Që kur Kosova ka konfirmuar rastin e saj të parë me Covid-19, USAID-i ka punuar me punonjësit e kujdesit shëndetësor të vijës së parë dhe komunitetet për të ngadalësuar përhapjen, për t’u kujdesur për të prekurit dhe siguruar pajisjet e nevojshme për të luftuar Covid-19.

Vitin e kaluar, USAID-i ka shpërndarë 249 komplete higjienike në qendrat shëndetësore; 7 mijë e 750 komplete higjienike për familjet dhe 2 mijë e 400 pako higjienike për nënat dhe foshnjat në të gjitha 38 komunat e Kosovës.

Me fillimin e vitit shkollor, USAID-i gjithashtu u ka dhuruar komplete higjienike 660 shkollave fillore dhe të mesme. Aktiviteti Reagimi ndaj Pandemisë gjithashtu punon në avancimin e komunikimit dhe informimit publik lidhur me fushatat e parandalimit dhe vaksinimit kundër Covid-19 në vend, forcimin e sistemit të zinxhirit të ftohtë të vaksinave dhe funksionalizimin e qendrave të përkohshme të vaksinimit.

Shtetet e Bashkuara mbeten donatori më i madh bilateral i sistemit shëndetësor të Kosovës në forcimin e reagimit ndaj Covid-19. Në fillim të pandemisë, Shtetet e Bashkuara kanë siguruar 50 respiratorë të rinj dhe të papërdorur si pjesë e një pakoje mbështetëse që përfshinte pajisje shoqëruese të respiratorëve, instalimin, garancitë, planet e servisimit dhe uebinare online.

 

Shtetet e Bashkuara gjithashtu sollën pajisje laboratorike të testimit dhe skanerë termik për vendosje në terminalet hyrëse të vendkalimeve kufitare të Kosovës, përfshirë aeroportin e Prishtinës dhe katër vendkalime kufitare tokësore. Rishtazi, USAID-i ka lehtësuar, në emër të Qeverisë së ShBA-së, shpërndarjen e 538 mijë 200 dozave të vaksinës Pfizer.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Shëndetit Publik e Bashkimit Evropian (BE) ka thënë…