ShBA-ja përgatit një paketë të re ndihme për Ukrainën

24 maj 2024 | 08:34

Shtetet e Bashkuara po përgatisin një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën me një vlerë prej 275 milionë dollarësh. Paketa do të përfshijë predha artilerie 155 mm, municione ajrore me saktësi të lartë dhe mjete tokësore, thanë për agjencinë e lajmeve Reuters të enjten tre zyrtarë amerikanë.

Forcat ruse kanë goditur për muaj të tërë qytetin verilindor të Kharkiv-it. Më 10 maj Moska nisi një sulm tokësor në veri të rajonit përreth, një ofensivë që Kievi thotë se ka ngecur në dy linja sulmi për momentin.

Ndihma ushtarake, e cila mund të shpallet deri të premten, do të jepet në bazë të një ligji që e lejon presidentin amerikan të autorizojë transferimin e pajisjeve dhe armëve nga rezervat e Shteteve të Bashkuara pa patur nevojë për marrjen e miratimit nga Kongresi në rastet e emergjencave.

Zyrtarët folën në kushte anonime sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për këtë çështje.

Në muajin prill, presidenti Joe Biden nënshkroi në ligj një paketë ndihme prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin. Kongresi autorizoi 60.8 miliardë dollarë ndihma në forma të ndryshme për Ukrainën, përfshirë 8 miliardë dollarë për raste emergjente që mund të autorizohen direkt nga presidenti amerikan.

Paketa e ndihmave, përveç municioneve, përfshin edhe automjete të posaçme për të transportuar nga fusha e betejës tanket e dëmtuara dhe pajisje të tjera të rënda, shenjë që tregon se Uashingtoni pret vazhdimin e sulmeve dhe humbjen e pajisjeve në beteja./VOA

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kthimi i mundshëm i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë…