
ShBA-ja shqyrton kërkesën e Ukrainës për raketat “Tomahawk”
Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë kërkesën e Ukrainës për furnizimin me raketa me rreze të gjatë veprimi të tipit “Tomahawk”, të cilat do të përdoren në përballjen me pushtimin rus, deklaroi të dielën zëvendëspresidenti amerikan JD Vance.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar që SHBA të lejojë shitjen e raketave Tomahawk ndaj kombeve evropiane, të cilat më pas do t’ia transferonin Ukrainës.
“Sigurisht që po shqyrtojmë një numër kërkesash nga evropianët,” u shpreh Vance në një intervistë për “Fox News Sunday”. Ai shtoi se vendimi përfundimtar do të merret nga presidenti Donald Trump.
Raketat “Tomahawk” kanë një rreze veprimi prej rreth 2,500 kilometrash dhe konsiderohen një avantazh strategjik për Ukrainën në mbrojtje ndaj sulmeve ruse me raketa dhe dronë. Megjithatë, një hap i tillë mund të përshkallëzojë tensionet me Rusinë, e cila me shumë gjasë do ta konsideronte si një akt provokues.
Trump në të kaluarën ka refuzuar kërkesa të ngjashme nga Ukraina, por mbetet i pakënaqur nga mungesa e vullnetit të Presidentit rus Vladimir Putin për të negociuar një marrëveshje paqeje.
Ndërkohë, Vance tha se ofensiva ruse në Ukrainë ka ngecur dhe nuk ka sjellë përfitime domethënëse në terren muajt e fundit.