ShBA-ja, sulme të reja kundër ISIS-it në Siri
SHBA-ja dhe forcat e saj partnere kanë kryer sulme në shkallë të gjerë kundër objektivave të grupit Shteti Islamik (IS) në Siri, ka njoftuar Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom).
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka urdhëruar sulmet të shtunën, të cilat janë pjesë e Operacionit “Hawkeye Strike”, në hakmarrje për sulmin vdekjeprurës të IS-it ndaj forcave amerikane në Siri më 13 dhjetor, ka shkruar Centcom në X.
Sipas Centcom, sulmet u kryen me qëllim luftimin e terrorizmit dhe mbrojtjen e forcave amerikane dhe partnere në rajon.
“Mesazhi ynë mbetet i fortë: nëse i dëmtoni luftëtarët tanë, do t’ju gjejmë dhe do t’ju vrasim kudo në botë, pa marrë parasysh sa përpiqeni t’i shmangeni drejtësisë”, tha CENTCOM.
SHBA-ja dhe forcat e saj partnere përdorën mbi 90 municione precize kundër më shumë se 35 objektivave, në një operacion ku u përfshinë mbi 20 avionë, i tha një zyrtar CBS News-it.
Zyrtari shtoi se në sulme morën pjesë avionë, përfshirë F-15E, A-10, AC-130J, MQ-9 dhe F-16 jordanezë.
Vendndodhja e saktë e sulmeve dhe shtrirja e viktimave eventuale ende nuk janë të qarta.
Administrata Trump e njoftoi për herë të parë Operacionin “Hawkeye Strike” në dhjetor, pasi një person i armatosur i IS-it vrau dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil amerikan në një pritë në Palmyra, e cila ndodhet në qendër të Sirisë.
“Ky nuk është fillimi i një lufte — është një deklaratë hakmarrjeje”, tha sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kur e njoftoi operacionin në dhjetor. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen e presidentit Trump, nuk do të hezitojnë kurrë dhe nuk do të tërhiqen kurrë për të mbrojtur njerëzit tanë.”
Para sulmeve të fundit të së shtunës, forcat amerikane kishin vrarë ose kapur gati 25 anëtarë të grupit IS në 11 misione ndërmjet 20 dhe 29 dhjetorit, si pjesë e Operacionit “Hawkeye Strike”, thanë zyrtarë amerikanë



