
ShBA-ja sulmon anijen nga Venezuela, Trumpi tregon pse
Ushtria amerikane ka sulmuar sërish një anije të Venezuelës duke vrarë të paktën tre persona.
Presidenti Donald Trump tha se anija po udhëtonte në ujërat ndërkombëtare, në rrugën drejt Shteteve të Bashkuara dhe tha se po transportonte lëndë narkotike.
Në një postim në Truth Social Trump ndau edhe një video gati 30 sekondëshe, e cila dukej se tregonte një anije duke shpërthyer dhe më pas duke u djegur.
Tensionet midis dy vendeve u përshkallëzuan pasi SHBA vendosën anije luftarake në Karaibet jugore në atë që zyrtarët e quajtën operacione kundër narkotikëve, duke kryer një sulm që vrau 11 persona.
Presidenti venezuelian Nicolas Maduro ka thënë se Karakasi do të mbrohet kundër agresionit amerikan dhe shtoi se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë shkatërruar nga kërcënimet e tyre me bomba.
Presidenti venezuelian tha se qeveria do të ushtronte “plotësisht” të drejtën e saj legjitime për të mbrojtur veten.
SHBA dhe shumë vende të tjera nuk e kanë njohur rizgjedhjen e Maduros në korrik 2024, duke iu referuar provave të mbledhura nga opozita me ndihmën e vëzhguesve të pavarur që tregojnë se rivali i tij, Edmundo González, i kishte fituar zgjedhjet me një shumicë dërrmuese.
Zyrtarët amerikanë e kanë akuzuar gjithashtu Maduron se ka udhëhequr një kartel droge të quajtur Karteli i Diejve dhe po ofrojnë një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për informacionin që çon në kapjen e tij.