ShBA-ja të ndërmjetësojë në dialogun midis dy shteteve Kosovë – Serbi

24 tetor 2019 | 14:03

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Reka, ka vlerësuar se moshapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është vendim i gabuar i Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se është gabim strategjik mbetja e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor jashtë orbitës së BE-së.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Reka ka deklaruar se presidenti Macron pretendon të bëhet lideri evropian pas pensionimit të Merkelit dhe pas daljes së Britanisë nga BE-ja.

Ai ka thënë se ka ardhur koha që ShBA-ja ta ndërmjetësojë dialogun midis dy shteteve Kosovë – Serbi. Reka ka theksuar se amerikanët u rikthyen në Ballkan kur e panë paaftësinë dhe dështimin e BE-së për ta ndërmjetësuar dialogun.

“Epoka e re”: Profesor, si e komentoni vendimin e Bashkimit Evropian (BE) për moshapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?
Reka: Ky samit, përveç vendimit për mosdhënien e datës së negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dha një mesazh më të gjerë. Dilema ishte nëse BE-ja do të vazhdojë me politikën e zgjerimit apo, ndoshta, nga ky samit mund të pritet një ndryshim në politikën e zgjerimit, për të mos thënë ndaljen e saj. Kur e them këtë kam parasysh deklaratën e presidentit të Francës, Emmanuel Makron, një ditë pas samitit i cili tha se ‘ndoshta duhet menduar që jo medoemos shtetet e Ballkanit Perëndimor të bëhen një ditë anëtare të plota të BE-së’. Kjo i shtoji spekulimet në qarqet shkencore dhe diplomatike, se mos BE-ja, pas status kohës në zgjerim dhe pas pauzës 15-vjeçare, do të vë në pikëpyetje procesin e zgjerimit. Edhe në librin tim në vitin 2010 për gjeopolitikën e BE-së kam parashikuar këtë zhvillim duke konsideruar se BE-ja pas anëtarësimit të shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore nga ish-blloku sovjetik për shkaqe gjeopolitike do ta mbyllë kaptinën e Luftës së Ftohtë dhe në të ardhmen do të jetë më vështirë anëtarësimi i shteteve të tjera. Më 18 tetor BE-ja filloi të tërhiqet nga premtimet e saj në Samitin e Selanikut ku kishte proklamuar perspektivën evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Tani kam drojën dhe frikën se mos pas këtij samiti BE-ja do ta zëvendësojë politikën e zgjerimit me politikën e fqinjësisë evropiane e cila ka të bëjë me shtetet e ish-bllokut sovjetik, e cila politikë nuk nënkupton anëtarësim, por vetëm afrim të këtyre shteteve. Do të ishte vendim i gabuar strategjik i BE-së nëse i lënë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor jashtë orbitës së BE-së, sepse kjo do të mund të krijonte një vakum strategjik i cili pastaj do të mbushej me lojtarë të tjerë joeuroatlantikë. Sipas mendimit tim, Macroni po tenton të bëhet lideri panevropian pas pensionimit të Merkelit dhe pas daljes së Britanisë nga BE-ja. Macroni do të mbetet lideri i njërës nga fuqitë më të mëdha evropiane me çka do ta rikthejë formulën e njohur të Sharl De Gollit pas Luftës së Dytë Botërore: Franca mbi, Gjermania nën dhe Britania jashtë. Ai në atë kohë për dhjetë vjet ishte lider i pakontestueshëm evropian. Macroni e sheh veten pa Merkelin dhe pa një kryeministër britanik të pakontestueshëm në lidershipin e BE-së. Samiti i 18 tetorit sa ishte një samit kundër zgjerimit të BE-së ishte edhe një samit për katapultimin e Macronit si lider i ardhshëm evropian.

 “Epoka e re”: Moshapja e negociatave ishte një vendim i padrejtë. Mendoni se nevojitet vazhdim i reformave?
Reka: Kam qenë një nga kritikët më të mëdhenj të Maqedonisë së Veriut edhe të Shqipërisë për mosplotësim të reformave sidomos në sundimin e ligjit dhe në mosdërgimin e rezultateve për gjyqësor të pavarur, për luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar si dhe për depolitizim të administratës publike. Por është e padrejtë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të lihen në korridorin e pritjes dhe atë duke i ndryshuar rregullat e lojës mu në mes të lojës. Iniciativa e presidentit Macron dhe arsyetimi i tij se do t’i rikthehemi kësaj çështje, por vetëm pasi të aprovohet një metodologji e re e cila nënkupton se kushtet do të jenë më të ashpra, procesi do të jetë më gradual dhe parimi reverzibil do të nënkuptojë që edhe kur mbyllet një kaptinë të rihapet nëse Brukseli konsideron se nuk ka përparim në terren. Maqedonia e Veriut pati marrë një vendim jashtëzakonisht të vështirë, pra e ndryshoj emrin kushtetues për shkak të presionit të një shteti anëtar i cili e bllokoi me veto për më se 15 vjet. Shqipëria nuk them se është shtet në të cilin lulëzon sundimi i ligjit por, megjithatë, nisi procesin e vetingut dhe shkarkoi disa gjyqtarë, mirëpo aty ende nuk ka Gjykatë Kushtetuese si dhe kryetari i Gjykatës Supreme dha dorëheqje para pak kohësh. Edhe pse ka shumë punë për t’u bërë në sundimin e ligjit mendoj se BE-ja me vendimin për të mos u dhënë datë për fillimin e negociatave Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut bëri gabim strategjik. Fundja nuk po flasim për anëtarësimin e këtyre vendeve në BE, por për fillimin e një procesi që mund të jetë 10 ose 15-vjeçar. Në çdo hapje dhe mbyllje të secilës kaptinë e që janë 35 sosh çdo shtet mund të përdorë minimum 70 veto dhe të bllokojë në çdo fazë anëtarësimin e secilit kandidat. Duhet më tepër punë dhe prova për sundimin e ligjit, por sa për fillim të negociatave Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet ta fitonin datën.

“Epoka e re”: Sa është dekurajues ky vendim për vendet e tjera të Ballkanit përveç kur dihet se Rusia ka tendencë ta rrisë ndikimin në rajon?
Reka: Serbia para katër vjetësh kur mori datën për fillim të negociatave nuk kishte ndonjë dosje shumë më të pastër në sundimin e ligjit se Maqedonia apo Shqipëria. Në atë kohë vetë burimet zyrtare të Serbisë flitnin për rreth 200 banda kriminele mafioze që vepronin atje, pra ishte larg sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit e krimit të organizuar. Por, meqë Komisioni Evropian aprovoi një dokument strategjik për t’i sanksionuar shtetet anëtare që nuk e zbatojnë sundimin e ligjit, duke u ndaluar fondet dhe duke u suspenduar të drejtën e votës në mbledhjet e Këshillit Evropian, çka mund të pritej nga KE-ja në raport me shtetet kandidate që aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së. Megjithatë vendimi për moshapje të negociatave mund ta luhatë disponimin proevropian prej 80 përqindësh në Ballkan. Pas këtij vendimi që ka dekurajuar dhe zhgënjyer qytetarët nuk e di se si do të jetë përqindja e përkrahjes e këtij procesi. Mirëpo duhet të mbetemi në rrugën euroatlantike sepse Ballkani nuk ka alternativë tjetër strategjike. Procesi i integrimit mund të vonojë por, megjithatë, nuk duhet të tërhiqemi apo të dorëzohemi. Një ditë pas ‘jo’-s së tretë të gjitha partitë politike, kryeministri dhe presidenti në një takim e rikonfirmuan mbetjen e Maqedonisë së Veriut në rrugën strategjike euroatlantike duke bërë të qartë se nuk ka tjetër alternativë. Do të doja që ky unitet të ishte edhe në Shqipëri dhe shpresoj se edhe Shqipëria do të mbetet në orientimin gjeostrategjik drejt BE-së.

“Epoka e re”: Pas vendimit të BE-së ishte e pritur shkuarja në zgjedhje të parakohshme e Maqedonisë së Veriut?
Reka: Ishte i pritur ky vendim pas ‘jo’-s së tretë, sepse me BE-në negocion ekipi i qeverisë dhe meqenëse qeveria e udhëhoqi këtë proces tash e dy vjet e gjysmë ishte normale shkuarja në zgjedhje. Në mënyrë që të mos ndëshkohet populli dhe shteti përgjegjësinë duhet ta marrë qeveria që udhëhoqi procesin.

“Epoka e re”: Vendimi i 18 tetorit do ta zbehë rolin e BE-së në dialogun Kosovë – Serbi?
Reka: Dialogu i gabuar i Brukselit që ishte për shtatë vjet nuk duhet të vazhdojë më tutje. Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë duhet të rikonfigurohet në një format dhe mandat të ri me mediatorë dhe parime të reja. Parimi i parë pa të cilin nuk bën të rifillojë çfarëdo dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë parimi i negocimit të dy shteteve dhe jo i negocimit të një shteti dhe një etniteti me fusnotë. Kjo ka qenë e patolerueshme dhe gabimi më i madh i BE-së, duke mos qenë neutrale në dialog, por ka qenë neutrale ndaj statusit të njërit shtet që negocion. Që në fillim me fusnotë theksonte se nuk prejudikohet statusi i Kosovës konform Rezolutës 1244 dhe mendimit të GjND-së por, në fakt, e prejudikoj asimetrinë apo pabarazinë në trajtimin e dy palëve, sepse njërën palë e pranon si shtet, kurse për palën tjetër nuk ka qëndrim statusor. Fjalia e fusnotës është kundërthënëse në vetvete sepse në një anë thirret në një rezolutë të cilën e ka shkelur koha tash e 20 vjet dhe nga ana tjetër thirret në GjND. GjND-ja thotë se deklarimi i pavarësisë së Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare, ndërkaq BE-ja thirret në Rezolutën 1244 që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, edhe më keq ende thirret në një rezolutë ku në pikën 11 të së cilës Kosova është pjesë e të ashtuquajturës RFJ pra një shteti që nuk ekziston tash e 15 vjet. Një dialog i gabuar, siç ishte ai i mediuar nga BE-ja, krijoi vetëm një neutralitet asimetrik që dëmtoi shumë Kosovën. Serbia përfitoi duke hapur gati gjysmën e kaptinave si dhe progresi në integrimet evropiane, ndërkaq Kosova mezi nënshkroi MSA-në dhe nuk u liberalizuan vizat sepse trajtimi që i bëri BE-ja ishte denigrues dhe nënçmues. Fatmirësisht u ndërpre ky dialog sepse nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, BE-ja gati e shndërroi në dialog për diskutimin e statusit të Kosovës i cili ka përfunduar më 17 shkurt 2008.

“Epoka e re”: Do të ketë dialog më përmbajtjesor dhe të suksesshëm nën drejtimin e kryeministrit Kurti?
Reka: Kryeministri i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë udhëheqës i dialogut. Pra, dialogu duhet të rikthehet në nivel të kryeministrave, sepse qeveria është organ ekzekutiv, por vetëm me kushtin që të gjendet një mediator neutral, jo si BE-ja që ishte e pabarabartë ndaj Kosovës dhe se ky proces të rifillojë si dialog midis dy shteteve.

“Epoka e re”: Pas përfshirjes së ShBA-së, ka gjasa që dialogu të zhvillohet në binarë të duhur dhe të arrihet marrëveshja finale?
Reka: ShBA-ja u përfshi kur e pa paaftësinë dhe dështimin e BE-së për ta ndërmjetësuar dialogun. U përfshi kur e pa që BE-ja jo shtatë, por 70 vjet s’mund t’i normalizojë marrëdhëniet Kosovë – Serbi. Rikthimin amerikan në Ballkan, në veçanti në raportin Kosovë – Serbi, e shoh me shumë shpresë sepse historia tash e një shekull ka treguar se pa amerikanët asnjë problem nuk mbyllet e as ky midis Kosovës dhe Serbisë. ShBA-ja duhet ta ndërmjetësojë këtë dialog. Edhe ashtu ishte mediatore e paqes së Dejtonit. Pa amerikanët nuk do të mund të arrihej as procesi i Rambujesë dhe as Marrëveshja e Ohrit. Është koha që ShBA-ja ta zëvendësojë BE-në në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë – Serbi.

“Epoka e re”: Z. Reka, si e shihni procesin e formimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit?
Reka: Procesi i 6 tetorit është një leksion i demokracisë nga i cili mund të mësojë i tërë rajoni dhe më gjerë. Ishte proces i rregullt, kaloi pa incidente e tensione dhe humbësit pranuan rezultatin. 6 tetori është model se si duhet të jetë një ditë zgjedhore. Megjithatë, rinumërimi filloi t’i hedhë pak hije shkëlqimit të 6 tetorit sepse gati 20 ditë pas ende nuk ka rezultat final. Duhet të mësohemi me ndërrimin e pushtetit dhe nuk e di pse vetëm në Ballkan duhet të jetë lajm i ditës që opozita e mund pozitën. E kuptoj mentalitetin ballkanik që pozita e ka të paragjykuar fitoren, por kjo duhet të ndryshojë. Është proces normal i tranzicionit të pushtetit dhe nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Sa më shpejt që të formohet qeveria e re do të jetë më mirë sepse Kosovën e presin shumë punë. Në planin e brendshëm e pret lufta e pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar e në planin ndërkombëtar e pret lufta për ndërprerjen e izolimit të mëtejmë të Kosovës.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut…