SHBA-ja thotë se Hamasi po planifikon sulm ndaj civilëve në Gazë

19 tetor 2025 | 10:09

Departamenti amerikan i Shtetit tha se ka “raporte të besueshme” që Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – po planifikon një sulm të menjëhershëm ndaj civilëve në Gazë, një lëvizje që sipas Uashingtonit do të përbënte “shkelje të armëpushimit”.

“Ky sulm i planifikuar ndaj civilëve palestinezë do të përbënte shkelje të drejtpërdrejtë dhe të rëndë të marrëveshjes së armëpushimit dhe do të minonte përparimin e bërë përmes përpjekjeve për ndërmjetësim”, tha DASH-i përmes një njoftimi më 18 tetor, raporton Rel.

“Nëse Hamasi e ndërmerr këtë sulm, do të ketë masa për të mbrojtur banorët e Gazës dhe për të ruajtur integritetin e armëpushimit”.

Në deklaratë nuk u dhanë detaje se për çfarë masa bëhet fjalë, edhe pse presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë kësaj jave e kishte kërcënuar Hamasin lidhur me vrasjen e civilëve.

“Nëse Hamasi vazhdon me vrasjen e njerëzve në Gazë, gjë që nuk ishte marrëveshja, ne nuk do të kemi zgjidhje tjetër pos që të shkojmë dhe t’i vrasim”, tha Trump në një postim në rrjetin e tij social, Truth Social, pa dhënë detaje të tjera.

Hamasi hodhi poshtë deklaratën e DASH-it, duke thënë se akuzat që po përgatit sulm ndaj civilëve në Gazë “janë të rreme”.

Hamasi dhe Izraeli u pajtuan javën e kaluar për një marrëveshje të paqes, të ndarë në faza, sipas së cilës Izraeli i dha fund ofensivës ushtarake në Gazë në këmbim të lirimit të pengjeve që po mbaheshin në Gazë që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023.

Faza e parë e marrëveshjes, që përfshin lirimin e pengjeve të gjallë dhe kthimin e trupave të pajetë të pengjeve, është duke u zhvilluar.

Uashingtoni tha se ka njoftuar garantuesit e marrëveshjes së paqes – që përfshijnë Shtetet e Bashkuara, Egjiptin, Katarin dhe Turqinë – për “shkeljen e mundshme të armëpushimit nga Hamasi”.

Më herët gjatë javës, Hamasi forcoi kontrollin mbi qytetet e shkatërruara të Gazës, duke nisur një fushatë shtypjeje dhe duke ekzekutuar persona që i akuzoi si kolaboracionist.

Hamasi publikoi një video në kanalin e tij zyrtar, ku shfaqej ekzekutimi në rrugë i tetë personave me sy të lidhur dhe të gjunjëzuar, të cilët i cilësoi si “kolaboracionistë”. Videoja ka të ngjarë të jetë incizuar mbrëmjen e së hënës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këtë të diel një urim për mëngjes të mbarë kryeministri…