ShBA-ja thotë se kolonitë izraelite janë të ligjshme

19 nëntor 2019 | 15:57

Palestinezët kanë dënuar një vendim të Shteteve të Bashkuara për të braktisur pozicionin katër dekadësh që kampet hebreje në bregun e pushtuar perëndimor janë të jashtëligjshme.

Kryenegociatori Saeb Erekat, ka thënë se kjo kërcënonte të zëvendësonte ligjin ndërkombëtar me ligjin e xhunglës. Por, kryeministri izraelit, Benjamin Natanjahu, ka lëvduar lëvizjen e ShBA-së, duke thënë se kjo korrigjon një gabim historik.

Kombet e Bashkuara i konsiderojnë kolonitë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Kolonitë janë komunitete të ndërtuara nga Izraeli në tokat e pushtuara në luftën e vitit 1967. Ato prej kohësh kanë qenë burim mosmarrëveshjesh mes Izraelit, komunitetit ndërkombëtar dhe palestinezëve.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë të hënën se ngritja e kolonive civile izraelite, nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Statusi i bregut perëndimor, shtoi ai, i takon izraelitëve dhe palestinezëve të negociojnë.

Lëvizja është parë si një fitore tjetër për Natanjahun që ka premtuar se do të aplikojë sovranitetin e izraelit në të gjitha kolonitë, përfshirë edhe luginën e Jordanit dhe detin e vdekur në veri.

Më herët, në 2017, presidenti amerikan, Donald Trump ka njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosi atje ambasadën amerikane.

Ndërsa këtë vit ai njohu sovranitetin e Izraelit mbi lartësitë e pushtuara Golan që iu morën Sirisë në luftën e 1967.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo mund të largohet nga Torino…