ShBA-ja thotë se propozimi për paqe është ‘përditësuar’ për ta mbrojtur plotësisht Ukrainën

24 nëntor 2025 | 12:43

Shtëpia e Bardhë ka thënë se bisedimet në Gjenevë me Kievin shënuan “përparim domethënës” drejt përfundimit të luftës në Ukrainë dhe kanë rezultuar me një kornizë “të përditësuar dhe ridefinuar” që parasheh sovranitetin e plotë të Ukrainës dhe arritjen e paqes.

Në deklaratën e 23 nëntorit të lëshuar nga Uashingtoni nuk janë përmendur specifika të ndryshimeve që janë bërë në planin e paqes prej 28 pikash që është çuar përpara nga presidenti amerikan, Donald Trump dhe i cili është kritikuar nga mbështetësit e Kievit, të cilët e kanë konsideruar dokumentin shumë miqësor për Rusinë.

Propozimi amerikan raportohej se përfshinte edhe zvogëlimin e numrit të forcave të armatosura ukrainase dhe njëkohësisht zvogëlim të ndihmës ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, e cila ka qenë thelbësore në luftën e Ukrainës kundër ushtrisë ruse.

“Bisedimet kanë qenë konstruktive, të fokusuara, të zhvilluara me respekt dhe nënvizojnë përkushtimin e përbashkët për të arritur paqe afatgjatë”, është thënë në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina.

“Diskutimet shënojnë përparim domethënës drejt përafrimit të pozicioneve dhe identifikim të hapave të ardhshëm”.

“Në bisedime është bërë e qartë se çdo marrëveshje e së ardhmes duhet të ruajë sovranitetin e Ukrainës dhe të përcaktojë vetëm paqe të qëndrueshme. Si rezultat i diskutimeve, palët e kanë përpiluar një kornizë të përditësuar dhe të ridefinuar”, është thënë në deklaratë, pa dhënë më shumë hollësi.

Në deklaratë është përmendur edhe që palët janë pajtuar “të jenë në kontakt të ngushtë me partnerët evropianë” të cilët mbesin disa prej mbështetësve me të fuqishëm të Ukrainës.

Vetë Trumpi nuk ka bërë ndonjë koment publik pas takimit.

Bashkë me disa aleatë evropianë të Ukrainës, disa ligjvënës amerikanë – përfshirë disa republikanë – e kanë kritikuar propozimin origjinal, dhe disa e kanë përshkruar si shumë adekuat për Kremlinin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio e ka udhëhequr delegacionin amerikan në bisedimet e 23 nëntorit me zyrtarët ukrainas në Gjenevë, teksa Uashingtoni e ka rritur presionin ndaj Kievit për të pranuar shpejt planin amerikan.

Trump është shprehur i zemëruar me Ukrainën dhe aleatët evropianë që e kanë kundërshtuar propozimin fillestar.

Pas takimit, Rubio ka thënë se është arritur përparim i jashtëzakonshëm dhe që Trumpi është shumë i kënaqur.

Menjëherë pas bisedimeve në Zvicër, Rubio është kthyer në Uashington.

Shefi i delegacionit ukrainas Andriy Yermak – shefi i stafit të presidentit Volodymyr Zelensky– u ka thënë gazetarëve se negociatat kanë shënuar përparim në Gjenevë, dhe që po shkohet përpara drejt arritjes së paqes afatgjatë të cilën populli ukrainas e meriton.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Takim Zelensky – Trump?

Disa agjenci perëndimore të lajmeve kanë cituar burime të tyre të kenë thënë se zyrtarë amerikanë dhe ukrainas kanë diskutuar edhe një vizitë potenciale të Zelenskyt në Uashington – diku rreth javës tjetër – për të diskutuar më në hollësi me Trumpin.

Agjencia Reuters e ka cituar një burim të ketë thënë se bisedimet do të fokusohen në njërën prej çështjeve më sensitive të planit 28-pikësh – siç është ajo e mundësisë së koncesioneve territoriale ukrainase për Rusinë.

Plani origjinal nuk është shpalosur publikisht, mirëpo ka rrjedhur nga disa agjenci të lajmeve.

Mes tjerash në plan përmendet që Ukraina të heqë dorë nga rajonet Donjeck dhe Luhansk – që njihen si Donbas – si dhe nga Krimeja.

Kievit do t’i kërkohej edhe që ta përfshinte në Kushtetutë se nuk do të anëtarësohej në NATO. Sipas planit, Moskës do t’i hiqeshin disa sanksione financiare.

Në kthim, Ukraina do të pranonte një formë të “garancive të sigurisë”, sidomos nga Shtetet e Bashkuara, do t’i lejohej anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe do të pranonte disa përfitime financiare.

Rusisë do t’i kërkohej të tërhiqej nga disa rajone ukrainase që tashmë i ka pushtuar.

Hollësitë e planit evropian

Agjencia gjermane e lajmeve dpa ka thënë se një plan alternativ evropian nuk do t’i kërkonte Ukrainës që të hiqte dorë nga territori që ende e kontrollon dhe do të parashihte numër më të madh të pjesëtarëve në ushtrinë ukrainase – 800 mijë në vend të 600 mijë sa përmendet në propozimin amerikan.

Edhe ai plan parasheh garanci të forta të sigurisë për Ukrainën.

Në atë plan nuk përjashtohet krejtësisht anëtarësimi i Ukrainës në NATO dhe Rusisë nuk do t’i garantohej amnisti e plotë për krimet e luftës, sipas raportimeve të dpa-së, pa cituar burime.

Liderët evropianë dhe afrikanë po takohen më 24 nëntor në Angola për një samit ekonomik dhe pritet që lufta e Rusisë në Ukrainë të jetë temë urgjente e diskutimit mes liderëve evropianë.

Kremlini nuk i ka komentuar bisedimet në Gjenevë, ndonëse presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se do ta zhvillojë një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin më 24 nëntor për t’i diskutuar përpjekjet për paqe në Ukrainë.

Viktima të shumëfishta në Harkiv

Teksa zhvilloheshin bisedimet në Gjenevë, vrasjet vazhdonin të raportoheshin në luftën që po hyn në vitin e katërt.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se Rusia ka nisur sulm masiv me dronë në Harkiv më 23 nëntor, duke vrarë të paktën katër njerëz dhe duke plagosur 17 të tjerë në një zonë banimi.

Rusia vazhdon të kryejë thuajse çdo natë sulme me dronë dhe raketa në objekte banimi, si dhe në qendra komerciale e objekte tjera infrastrukturore.

Kremlini, në anën tjetër, e mohon se shënjestron zona të civilëve, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme në ato pjesë.

Sulmet ruse në infrastrukturën e energjisë i kanë lënë miliona njerëz pa ngrohje apo rrymë për disa orë gjatë ditës. Ndërkohë, një ofensivë tokësore në lindje të Ukrainës e ka rritur presionin ndaj Kievit, teksa synon t’i negociojë kushtet për paqe.

Ukraina është përgjigjur duke nisur dronë në objektet ruse të energjisë apo qendra tjera që, sipas Kievit, Moska i përdor për t’i nisur sulmet në tokën ukrainase.

Rusia, gjithashtu, është përballur me probleme me rrymë dhe ekonomia e saj është dërmuar nga sanksionet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës” ka dalë me…