ShBA-ja thotë se Trumpi po diskuton opsione për ta marrë Grenlandën, përfshirë ushtrinë

06 janar 2026 | 23:26

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka qenë duke diskutuar “një varg opsionesh” për ta marrë nën kontroll Grenlandën, përfshirë përdorimin e ushtrisë, thotë Shtëpia e Bardhë.

Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë i tha televizionit BBC të martën se marrja e Grenlandës është “prioritet i sigurisë kombëtare”.

Kjo deklaratë vjen pas komenteve të presidentit në fundjavë, kur tha se Shteteve të Bashkuara “u nevojitet” Grenlanda – rajon gjysmautonom si pjesë e Mbretërisë së Danimarkës – për arsye sigurie, raporton televizioni BBC.

Aleatët evropianë janë rreshtuar në mbështetje të Danimarkës pas këmbënguljes së përtërirë të Uashingtonit se duhet ta ketë nën kontroll ishullin gjigant. Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, paralajmëroi të hënën se çfarëdo sulmi nga ShBA-ja do ta sillte fundin e NATO-s.

Shtëpia e Bardhë të martën tha: “Presidenti dhe ekipi i tij janë duke diskutuar një varg opsionesh për ta ndjekur këtë qëllim të rëndësishëm të politikës së jashtme dhe, natyrisht, përdorimi i ushtrisë amerikane është gjithmonë një opsion në dispozicion të komandantit supreme [presidentit].”

Të martën, gjashtë vende aleate evropiane e mbështetën Danimarkën përmes një deklarate të përbashkët.

“Grenlanda i takon popullit të saj dhe vetëm Danimarka e Grenlanda mund të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e tyre” – thanë udhëheqësit e Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Spanjës, Polonisë dhe Danimarkës.

Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, e mirëpriti deklaratën dhe bëri thirrje për “dialog me respekt”.

“Dialogu duhet të zhvillohet duke e respektuar faktin se statusi i Grenlandës është i rrënjosur në të drejtën ndërkombëtare dhe në parimin e integritetit territorial” – tha ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se…