ShBA-ja t’i kuptojë drejt reagimet e Kosovës në raport me Serbinë

23 janar 11:47

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) duhet t’i kuptojnë drejt reagimet e Kosovës në raport me Serbinë.

Ai ka mohuar mundësinë që taksa ndaj produkteve serbe mund të ndikojë në raportet e mira Kosovë – ShBA.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës ka deklaruar se taksa prej 100 përqindësh është reagimi më i butë i mundur i Qeverisë së Kosovës.

“Kosova nuk ka bërë asnjë veprim të vetëm për t’i prishur raportet me ShBA-në. ShBA-ja duhet t’i kuptojë drejt reagimet e Kosovës në raport me Serbinë. Taksa 100 për qind është reagimi më i butë i mundur i Qeverisë së Kosovës. Kosova duhet të vendosë edhe kushte të reja për Serbinë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka deklaruar se ShBA-ja për Kosovën ka pasur dhe ka një rëndësi të madhe por, sipas tij, shqiptarët e kanë përgjegjësinë për ta ndërtuar shtetin e së drejtës.

“Shqiptarët duhet t’i ndërtojnë raportet e partneritetit me shtetet fqinje. Kosova nuk mban asnjë përgjegjësi për raportet e tilla që i ka me Serbinë, pasi gjatë këtyre 20 vjetëve është përpjekur dhe ka bërë shumë kompromise për të ndërtuar raporte të reja të ndërsjella, por Serbia as ishte e as është e gatshme ta njohë Kosovën dhe të ndërtojë marrëdhënie normale reciproke”, është shprehur Krasniqi.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës ka folur edhe për fazën finale të dialogut me Serbinë.

Ai ka thënë se mosekzistimi i konsensusit kombëtar për këtë fazë të dialogut është përgjegjësi e politikës sonë. Krasniqi ka vlerësuar se në këtë fazë Kosova nuk ka çfarë t’i japë Serbisë.

“Tani kjo përgjegjësi është tek opozita e tashme. Kosova gjatë gjithë këtyre viteve ishte e gatshme për ta përmbyllur dialogun, por kjo as është varur e as nuk varet nga Kosova. Kosova nuk ka çfarë t’i japë Serbisë, bile ka dhënë shumë deri më tani. Kosova duhet të mendojë për zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë, për drejtësinë dhe sigurinë kombëtare etj”, ka thënë Krasniqi. Më tej, ai ka bërë me dije se Kosovës nuk duhet t’i ngutet për këtë fazë të dialogut. Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi do të duhej t’i ngutej Serbisë e jo Kosovës.

“Epoka e re”: Z. Krasniqi, kemi një kërkesë të vazhdueshme të ShBA-së për ta tërhequr taksën ndaj produkteve serbe. Si duhet të veprojë Kosova në këtë rast?
Krasniqi: Pa asnjë dyshim, ShBA-ja për Kosovën ka pasur dhe ka rëndësi të madhe, por shqiptarët e kanë përgjegjësinë për ta ndërtuar shtetin e së drejtës, shtetin ku duhet të sundojnë rendi dhe ligji. Shqiptarët duhet t’i ndërtojnë raportet e partneritetit me shtetet fqinje. Kosova nuk mban asnjë përgjegjësi për raportet e tilla që i ka me Serbinë, pasi gjatë këtyre 20 vjetëve është përpjekur dhe ka bërë shumë kompromise për të ndërtuar raporte të reja të ndërsjella, por Serbia as ishte e as është e gatshme ta njohë Kosovën dhe të ndërtojë marrëdhënie normale reciproke.

“Epoka e re”: Sa po i rrezikon Kosova raportet me Amerikën, nëse nuk e heq taksën?
Krasniqi: Kosova nuk ka bërë asnjë veprim të vetëm për t’i prishur raportet me ShBA-në. ShBA-ja duhet t’i kuptojë drejt reagimet e Kosovës në raport me Serbinë. Taksa 100 për qind është reagimi më i butë i mundur i Qeverisë së Kosovës. Kosova duhet të vendosë edhe kushte të reja për Serbinë.

“Epoka e re”: Kosova po hynë në fazën finale të dialogut me Serbinë pa një konsensus kombëtar. A është e gatshme Kosova për këtë fazë të dialogut?
Krasniqi: Mosekzistimi i konsensusit kombëtar për asnjë gjë, është përgjegjësi e politikës sonë. Tani kjo përgjegjësi është tek opozita e tashme. Kosova gjatë gjithë këtyre viteve ishte e gatshme për ta përmbyllur dialogun, por kjo as është varur e as nuk varet nga Kosova. Kosova nuk ka çfarë t’i japë Serbisë, bile ka dhënë shumë deri më tani. Kosova duhet të mendojë për zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë, për drejtësinë dhe sigurinë kombëtare etj.

“Epoka e re”: Dy subjektet më të mëdha opozitare po e kundërshtojnë këtë proces. Si e keni parë qëndrimin e tyre?
Krasniqi: Partitë politike formohen për të qenë në shërbim të kombit e të shtetit dhe jo kombi e shteti në shërbim të partive politike. Partitë politike i kanë qëllimet e tyre. Varet nga to se cilat janë qëllimet e tyre, çka ato kanë vënë në krye të piramidës së tyre politike për shtetin, interesin partiak apo atë shtetëror e kombëtar.

“Epoka e re”: Po thuhet se tani është çasti më i mirë për një marrëveshje historike në mes të Kosovës dhe Serbisë. A duhet të ngutet Kosovë në këtë drejtim?
Krasniqi: Çasti më i mirë për një marrëveshje është kur të dyja palët e kanë gatishmërinë për marrëveshje politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore. Kosova nuk e ka asnjë arsyeje të vetme që të ngutet në këtë proces. Kosova nuk ka çfarë t’i japë Serbisë. Serbia ka shumë faje në raport me Kosovën dhe shqiptarët. Serbia do të duhej ta kërkonte dorën e pajtimit dhe jo e kundërta. Çështja më e ngutshme që e ka Kosova është krijimi i perspektivës për qytetarët e saj. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi do të duhej t’i ngutej Serbisë e jo Kosovës.

Muhamet KOCI 

 

Lajme të sponsorizuara