SHBA-ja zgjeron akuzat kundër “Huawei”

14 shkurt 2020 | 18:26

Shtetet e Bashkuara kanë zgjeruar padinë kundër gjigantit kinez të telekomit, “Huawei”, duke e akuzuar atë për një plan, “të vjetër me dekada”, për të vjedhur teknologji nga firmat amerikane.

Prokurorët thanë se “Huawei” ka shkelur kushtet e partneritetit me kompanitë amerikane dhe se ka vjedhur sekrete tregtare, si kodi burimor dhe teknologjia robotike.

Këto i shtohen një liste të akuzave të tjera të ngritura nga SHBA-ja, vitin e kaluar.

Sipas atyre, “Huawei” ka shkelur sanksionet e SHBA-së dhe ka vjedhur teknologji nga kompania amerikane T-mobile.

“Huawei” i ka hedhur poshtë akuzat.

Kjo kompani, dikur prodhuesja më e madhe në botë e smartfonëve, thotë se SHBA-ja e sulmon atë, pasi zgjerimi i saj është kërcënim për interesat e bizneseve amerikane.

Meng Wanzhou, kryeshefja financiare e “Huawei” dhe vajza e themeluesit të kompanisë, vazhdon të mbahet në Kanada, ku është duke luftuar kundër ekstradimit në Shtetet e Bashkuara.

Meng kërkohet atje nën akuzat për mashtrim dhe shkelje të sanksioneve – akuza që ajo i mohon.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar edhe nga partnerët e tyre, si Mbretëria e Bashkuar, të ndalojnë teknologjinë e “Huaweit” në rrjetet e tyre, duke thënë se pajisjet e kësaj kompanie mund të përdoren për spiunim nga Kina.

Me gjithë presionin, Mbretëria e Bashkuar, muajin e kaluar, ka njoftuar se do të vazhdojë të përdorë teknologjinë e “Huawei” në rrjetin e saj 5G, por me kufizime./rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia e presidentit të Francës, Emanuel Macron ka marrë një…