SHBA: Nuk ka asnjë indikacion se Ukraina qëndron pas sulmit ‘të tmerrshëm’ në Moskë

22 mars 2024 | 22:11

Shtëpia e Bardhë tha të premten se nuk kishte asnjë indikacion fillestar se Ukraina, e cila po lufton kundër pushtuesve nga Rusia, ishte përfshirë në një sulm “të tmerrshëm” në një sallë koncertesh në Moskë.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara janë ende duke mbledhur informacione pasi zyrtarët rusë thanë se persona të armatosur hapën zjarr në një sulm “terrorist”, duke lënë të vdekur dhe të plagosur.

“Nuk ka asnjë indikacion për momentin se Ukraina, apo ukrainasit, janë përfshirë në të shtënat”, tha Kirby, raporton skynews.

Ky i fundit gjithashtu ofroi ngushëllime për viktimat e sulmit, lajmi për të cilin u përhap disa minuta përpara konferencës së përditshme të Shtëpisë së Bardhë.

“Imazhet janë thjesht të tmerrshme dhe të vështira për t’u parë dhe mendimet tona padyshim do të jenë me viktimat e këtij sulmi të tmerrshëm me të shtëna”, tha ai.

Ndryshe, ambasada amerikane në Moskë kishte paralajmëruar më 7 mars se “ekstremistët” po planifikonin diçka për zgjedhjet presidenciale ruse, por Kirby tha se Uashingtoni nuk kishte njohuri paraprake për sulmin.

Departamenti amerikan i Shtetit ka paralajmëruar tani të gjithë amerikanët që të shmangin koncertet apo qendrat tregtare ruse dhe të qëndrojnë në vend pas dhunës së fundit. 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla thotë se lufta në Ukrainë…