
SHBA shpall planin për paqe: Izraeli nuk do aneksojë Gazën
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Izraeli ka pranuar parimin që Gaza të mos pushtohet apo aneksohet, por të kthehet në një zonë të çradikalizuar dhe të lirë nga terrorizmi.
Marrëveshja parashikon lirimin e pengjeve brenda 72 orëve nga pranimi publik i saj dhe, pas kësaj, lirimin e 250 të dënuarve me burgim të përjetshëm si dhe 1,700 të burgosurve nga Gaza të ndaluar pas 7 tetorit 2023.
SHBA do të ndërmjetësojë një dialog politik mes izraelitëve dhe palestinezëve për një të ardhme paqësore dhe bashkëjetesë. Nëse palët e miratojnë, lufta do të përfundojë menjëherë.
Detajet e planit:
Gaza si zonë pa terror – Gaza do të kthehet në një zonë të çradikalizuar dhe të lirë nga terrorizmi, që nuk paraqet kërcënim për fqinjët.
Rindërtimi për popullin e Gazës – Gaza do të zhvillohet në funksion të njerëzve të saj, të cilët kanë vuajtur mjaft.
Përfundimi i luftës – nëse të dyja palët pranojnë marrëveshjen, lufta do të mbarojë menjëherë. Forcat izraelite do të tërhiqen deri në vijën e dakorduar për t’u përgatitur për lirimin e pengjeve. Gjatë kësaj kohe, operacionet ushtarake do të pezullohen, linjat e frontit do të ngrijnë derisa të përmbushen kushtet për tërheqje të plotë.
Kthimi i pengjeve – brenda 72 orëve nga pranimi publik i planit, të gjithë pengjet, të gjallë ose trupat e të vdekurve, do të kthehen.
Shkëmbimi i të burgosurve – pas lirimit të pengjeve, Izraeli do të lirojë 250 të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 1,700 palestinezë të arrestuar pas 7 tetorit 2023, përfshirë gra dhe fëmijë. Për çdo peng izraelit të vdekur, do të kthehen trupat e 15 palestinezëve.
Amnisti për Hamasin – anëtarët e Hamasit që pranojnë paqen dhe dorëzojnë armët do të amnistohen. Ata që dëshirojnë të largohen nga Gaza do të kenë garanci sigurie për në vendet pritëse.
Ndihma humanitare – me pranimin e planit, do të dërgohet ndihmë e menjëhershme në Gaza: ujë, energji, spitale, furra buke, pastrim rrënojash dhe hapje rrugësh, bazuar në marrëveshjen e 19 janarit 2025.
Shpërndarja e ndihmave – do të bëhet nga OKB-ja, Kryqi i Kuq dhe agjenci të tjera ndërkombëtare, pa ndërhyrjen e palëve. Kalimi i Rafah-ut do të hapet sipas të njëjtit mekanizëm të marrëveshjes së janarit 2025.
Qeverisja e përkohshme – Gaza do të drejtohet nga një komitet teknokratësh palestinezë, me mbështetje të ekspertëve ndërkombëtarë dhe nën mbikëqyrjen e një “Bordi të Paqes” të udhëhequr nga Donald Trump, me anëtarë si ish-kryeministri britanik Tony Blair. Ky bord do të vendosë kuadrin dhe financimin deri sa Autoriteti Palestinez të reformohet dhe të marrë kontrollin.
Plani ekonomik – do të krijohet një plan zhvillimi ekonomik me ekspertë ndërkombëtarë që kanë ndërtuar qytete moderne në Lindjen e Mesme, për të sjellë investime, vende pune dhe shpresë për të ardhmen e Gazës.
Zonë e veçantë ekonomike – do të krijohet me tarifa preferenciale dhe akses tregtar me vendet pjesëmarrëse.
Liri lëvizjeje – askush nuk do të detyrohet të largohet nga Gaza. Ata që duan, do të kenë të drejtë të ikin dhe të kthehen. Do të inkurajohet që njerëzit të qëndrojnë dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë.
Asnjë rol për Hamasin – Hamas dhe fraksionet e tjera nuk do të kenë rol në qeverisjen e Gazës. Të gjitha strukturat ushtarake, përfshirë tunelet dhe fabrikat e armëve, do të shkatërrohen. Do të nisë një proces çarmatimi nën monitorim të pavarur dhe me një program blerjeje armësh e riintegrimi të financuar ndërkombëtarisht.
Garanci rajonale – vendet e rajonit do të sigurojnë zbatimin e detyrimeve dhe që Gaza e re të mos paraqesë kërcënim për fqinjët.
Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit (ISF) – do të vendoset menjëherë në Gaza, për të stërvitur dhe mbështetur policinë palestineze dhe për të bashkëpunuar me Jordaninë e Egjiptin. ISF do të sigurojë kufijtë, do të parandalojë futjen e armëve dhe do të lehtësojë futjen e mallrave për rindërtim.
Tërheqja e Izraelit – Izraeli nuk do ta pushtojë ose aneksojë Gazën. IDF do të tërhiqet me faza ndërsa ISF merr kontrollin dhe do të ruhet vetëm një perimetër sigurie derisa Gaza të jetë plotësisht e sigurt nga rreziku i terrorizmit.
Në rast refuzimi nga Hamasi – ndihmat dhe zbatimi i planit do të vazhdojnë vetëm në zonat e Gazës të kontrolluara nga ISF dhe të shpallura “pa terror”.
Dialog ndërfetar – do të niset një proces për tolerancë dhe bashkëjetesë mes palestinezëve dhe izraelitëve, duke nxjerrë në pah përfitimet e paqes.
Perspektiva e shtetit palestinez – me rindërtimin e Gazës dhe reformat e Autoritetit Palestinez, mund të krijohen kushtet për një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze.
Dialog politik – SHBA do të ndërmjetësojë një dialog mes Izraelit dhe palestinezëve për një horizont politik që garanton paqe dhe bashkëjetesë të begatë.