ShBA-të urojnë Kosovën dhe popullin e saj për formimin e ushtrisë

14 dhjetor 2018 | 11:48

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë nëpërmjet një deklarate për medie, ka uruar shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj për formimin e ushtrisë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës ripohojnë mbështetjen e tyre për tranzicionin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në forcë me mandat mbrojtës territorial, siç është e drejta sovrane e Kosovës. Votimi i sotshëm në Kuvend është hapi i parë në zhvillimin e këtij kapaciteti.  Këto ligje nuk sjellin asnjë ndryshim të menjëhershëm në strukturën, misionin apo operacionet e forcës, por ato përfaqësojnë fillimin e punës praktike e të vazhdueshme për ndërtimin e një force transparente, shumetnike dhe të ndërveprueshme me NATO-n që iu shërben të gjitha komuniteteve të Kosovës, në pajtim me planin dhjetëvjeçar për tranzicion të Qeverisë së Kosovës”, është thënë në deklaratën e Ambasadës së ShBA-së në Kosovë.

Amerika i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës për të vazhduar bashkërenditjen e ngushtë me aleatët dhe partnerët e NATO-s dhe për t’u angazhuar në punën afruese në terren me komunitetet pakica tani dhe gjatë tërë procesit të gjatë shumëvjeçar.

“Presim që do të vazhdojnë aranzhimet ekzistuese me KFOR-in për lëvizjet dhe operacionet e forcave në Kosovë.  Të gjithë hisedarët brenda dhe jashtë Kosovës duhet t’i mbështesin dhe t’i nxisin qytetarët e komuniteteve pakica të Kosovës për të marrë pjesë në forcat e saj të sigurisë, për dobinë e komuniteteve të tyre dhe të vendit”, është theksuar më tutje në këtë deklaratë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zotuara për të punuar me FSK-në për promovimin e zhvillimit profesional dhe evolucionit organizativ, i cili do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon.

“Stabiliteti rajonal kërkon që Kosova të bëjë përpjekje të njëmendta për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin e saj, Serbinë, dhe i nxisim të dy palët që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të zbutur tensionet dhe për të krijuar kushte për përparim të shpejtë në dialog. Qëllimi për të arritur një marrëveshje të leverdishme për të dy palët që do të rrisë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Kosovë dhe në rajon, gjithashtu paraqet prioritetin më të lartë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  U bëjmë thirrje të gjithë hisedarëve që ti ripërqendrojnë energjitë e tyre dhe të angazhohen në mënyrë serioze dhe konstruktive për arritjen e këtij qëllimi”, është thënë në deklaratën për medie të Ambasadës së ShBA-ve në Kosovë.

 /Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas votimit të…