Shefat e grupeve, Selimi dhe Haradinaj, përplasjen nga distanca
Shefi i grupit parlamentar i LV-së dhe ai i AAK-së janë përplasur nga distanca dje nga studiot televizive të televizionit T7. Shkak është bërë deklarata e deputetit Daut Haradinaj në emisionin Pressing në T7, ku tha se AAK-së do t’i zgjerohet grupi parlamentar me anëtarë të partive të tjera, përfshirë këtu edhe pjesëtarë të Vetëvendosjes. Kësaj deklarate i është përgjigjur deputeti Rexhep Selimi në emisionin DPT te Fidani.
Partisë së Ramush Haradinaj në Kuvendin e Kosovës do t’i shtohen edhe emra të ri që janë anëtarë të partive tjera politike në Kuvend.
Pas aderimit të Haxhi Shalës nga Nisma në AAK, shefi i deputetëve të Aleancës, Daut Haradinaj, ka thënë se grupi parlamentar i këtij subjekti do të rritet edhe me emra të ri, e në mesin e tyre edhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Deklaratës që Haradinaj e dha në emisionin Pressing në T7 i është përgjigjur shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi. I ftuar në emisioni DPT te Fidani, Selimi ka thënë se kjo nuk ka gjasa të ndodhë. “Përse një deputet do të lëshonte LV-në dhe të kalonte në AAK. Më falni se nuk po e them me qëllim të keq, por e vetmja që do të mund ta bënte këtë do të ishte Donika Kadaj. Le t’i ruajë ata që i ka”, deklaroi Selimi.
Pak minuta pas kësaj deklarate, Daut Haradinaj i është përgjigjur deputetit të LV-së përmes një shkrimi në “Facebook”. Haradinaj nuk përmendi Selimin me emër, por tha se ndoshta dikush i konsideron deputetët pronë personale. “Njëri paska thënë ruaji deputetët tu se po të ikin. Çfarë logjike e çuditshme, thua ti që deputetët janë bagëti me i rujtë. Ndoshta dikush i konsideron deputetët e grupit të vet parlamentar si pronë personale, por e vërteta është që grupi parlamentar i AAK-së shumë shpejt do të rritet”, ka shkruar Haradinaj.



