Shefi i Misionit të OSBE-së përgëzon KQZ-në për organizimin e procesit zgjedhor
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka pritur në takim shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk.
Gjatë takimit, Radoniqi e njoftoi ambasadorin McGurk për aktivitetet që aktualisht po i zhvillon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në drejtim të përmbylljes së procesit të rinumërimit të vendvotimeve dhe shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Nga ana e tij, ambasadori McGurk përgëzoi KQZ-në për organizimin e procesit zgjedhor, si dhe për hapat e ndërmarrë në evidentimin e problemeve gjatë procesit të numërimit të votave për kandidatët për deputetë.
Ai theksoi gjithashtu përkushtimin e KQZ-së në mbrojtjen e integritetit të votës dhe rezultateve zgjedhore.
Në fund të takimit, Radoniqi dhe McGurk u dakorduan për hapat e ardhshëm të bashkëpunimit ndërmjet KQZ-së dhe Misionit të OSBE-së në Kosovë.



