Shefi i NATO-s: Finlanda dhe Suedia mund të anëtarësohen shumë shpejt
Garancia e sigurisë kolektive e NATO-s siguron që të gjitha vendet anëtare duhet t’i vijnë në ndihmë çdo aleati të sulmuar.
Stoltenberg shtoi se shumë aleatë të NATO-s tani janë zotuar dhe kanë ofruar gjithsej të paktën 8 miliardë dollarë mbështetje ushtarake për Ukrainën.
Para fillimit të luftës në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin kërkoi që NATO ta ndalonte zgjerimin dhe t’i tërhiqte trupat e saj nga kufijtë e Rusisë. Pra, perspektiva e Finlandës dhe Suedisë fqinje, për t’iu bashkuar aleancës transatlantike nuk ka gjasa të mirëpritet në Moskë.
Finlanda ka një histori të mbushur me konflikte me Rusinë, me të cilën ndan një kufi prej 1 340 kilometrash. Finlandezët kanë marrë pjesë në dhjetëra luftëra kundër fqinjit të tyre lindor për shekuj me radhë si pjesë e Mbretërisë suedeze dhe si një komb i pavarur.
Në periudhën e pasluftës, megjithatë, Finlanda ndoqi lidhje pragmatike politike dhe ekonomike me Moskën, duke mbetur ushtarakisht e paangazhuar dhe një tampon neutral midis Lindjes dhe Perëndimit.
Suedia i ka shmangur aleancat ushtarake për më shumë se 200 vjet, duke zgjedhur një rrugë paqeje pas shekujsh luftë me fqinjët e saj.
Të dy vendet i dhanë fund neutralitetit tradicional duke u anëtarësuar në Bashkimin Evropian më 1995 dhe duke thelluar bashkëpunimin me NATO-n. Megjithatë, shumica e njerëzve në të dy vendet mbeten me vendosmëri kundër anëtarësimit të plotë në aleancë deri më tani.



