Shefi i UNMIK-ut kërkon angazhim nga Brukseli për ta çuar përpara procesin e dialogut

14 maj 2018 | 17:29

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Zahir Tanin, gjatë fjalimit të tij në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork, ka thënë se nevojitet nivel i ri i angazhimit për të arritur ndryshime domethënëse në qëndrimet e qeverive në Beograd dhe Prishtinë.

“Alternativë tjetër të realizueshme nuk ka. Megjithatë, në mënyrë që kjo të ndodh, ekziston nevojë e qartë e lidershipit për përballimin e sfidave, edhe nëse të njëjtat kanë kosto afatshkurtër politike. Fokusi i ri i Brukselit në të gjitha nivelet ofron mundësi dobiprurëse të ndërsjellë si për Prishtinën, ashtu edhe për Beogradin për ta lënë prapa momentin e tanishëm të vështirë dhe për ta çuar dialogun në fazë të re të përparimit të mirëfilltë”, ka thënë Tanin.

Shefi i UNMIK-ut ka thënë në Këshillin e Sigurimit se Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor në Sofje dhe takimi i Procesit të Berlinit në muajin korrik, mund të jenë ndihmesë shtesë “për të shfrytëzuar përkushtimin e ri të angazhimit në rajon,” posaçërisht pas disa ngjarjeve të vështira në mes Prishtinës dhe Beogradit në muajin mars.

“Periudha e kaluar në Kosovë në përgjithësi është karakterizuar me rënie si të cilësisë së aktiviteteve, ashtu edhe të dinamikës së diskursit politik mes Prishtinës dhe Beogradit’, ka thënë Tanin.

Tanin e ka përgëzuar Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes së vitit 2015 për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, hap i rëndësishëm ky në rrugën drejt integrimit në BE dhe për procesin e liberalizimit të vizave, dhe për miratimin e draftit të ri të Kodit Penal të Kosovës, si dhe ka theksuar nevojën për punë më të mirë në fushën e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka pritur në…