Sheholli në gjendje të rënduar shëndetësore, dërgohet në QKUK

13 tetor 2025 | 16:10

Fatmir Sheholli është transferuar në gjendje të rënduar shëndetësore nga Qendra Spitalore në Gjilan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar për RTK-në avokati i tij mbrojtës, Mentor Neziri, i cili tha se aktualisht Shehollit po i bëhen ekzaminimet e nevojshme mjekësore.

Sheholli është arrestuar nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale të “spiunazhit”.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar ndaj tij masën e paraburgimit prej 30 ditësh, me kërkesë të Prokurorisë Speciale.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Sheholli dyshohet se ka qenë i rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent i Serbisë (BIA) dhe ka vepruar nën urdhrat dhe udhëzimet e zyrtarit të BIA-së, Bojan Dimiq.

Në aktakuzë thuhet se ai ka mbledhur informacione mbi pronat e uzurpuara të serbëve në Kosovë dhe i ka përcjellë ato nëpërmjet komunikimeve telefonike te zyrtarët serbë të inteligjencës.

Po ashtu, më 26 shtator 2025, në Mitrovicë të Veriut, Sheholli dyshohet se ka marrë materiale audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të cilat dyshohet se janë komprometuese.

Prokuroria thekson se, përmes këtyre veprimeve, Sheholli me vetëdije dhe qëllimisht ka cenuar sigurinë dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës, si dhe integritetin e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj, duke ndihmuar një shërbim të huaj inteligjent në dëm të interesave shtetërore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga 13 tetori qytetarët mund të aplikojnë për subvencionim të…