“Shell”-i tërhiqet nga Rusia

08 mars 2022 | 13:35

Gjiganti i energjisë “Shell” ka njoftuar se do t’i ndalojë të gjitha blerjet e naftës dhe gazit nga Rusia dhe se do t’i mbyllë operacionet e tjera në këtë vend.

Me këtë veprim, “Shell”-i u është bashkuar dhjetëra kompanive të tjera, që kanë ndërprerë lidhjet me Rusinë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

“Shell”-i është kritikuar shumë në fundjavë, pasi ka blerë një ngarkesë të naftës së papërpunuar ruse me një çmim të zbritur.

Shefi i kompanisë, Ben van Beurden, ka thënë të martën se blerja e naftës ruse ka qenë gabim.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm se vendimi ynë javën e kaluar, për të blerë një ngarkesë me naftë bruto ruse, nuk ka qenë i duhuri dhe na vjen keq”, ka thënë van Beurden.

Kompania shumëkombëshe e energjisë, “Shell”, ka selinë në Londër.

Menjëherë pas njoftimit të saj, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka reaguar në llogarinë e vet në “Twitter”, duke thënë se i është mirënjohës “Shell”-it për këtë “hap moral dhe të përgjegjshëm”.

Kuleba ka inkurajuar edhe bizneset tjera botërore që të ndjekin shembullin.

Moska ka filluar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Që atëherë, më shumë se 2 milionë civilë janë larguar nga vendi i pushtuar.

Dhjetëra kompani, përfshirë firma të mëdha të sektorit të naftës, si “BP” dhe “Exxon”  janë tërhequr nga Rusia.

Kjo, pasi Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra ndaj saj si ndëshkim për agresionin në Ukrainë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava,…