Shëmbëlltyra atdhetare dhe artistike e Azem Beqirit

28 gusht 2025 | 21:37

Nga: Avni Dehari 

Azem Beqiri lindi më 1939 në Dumnicë të Epërme të Llapit. Katër vjetët e para të shkollës fillore i kreu në vendlindje, ndërsa katër të tjerat në Besianë. Shkollën e mesme e vijoi në Normalen e Prishtinës.
Më 1956, ende pa e mbaruar shkollën e mesme, filloi të punonte si mëshues në fshatin e lindjes dhe pastaj në Bajçinë, në Dumosh dhe në Përpellac.
Mësuesi i ri, Azem Beqiri, detyrën e mësuesit e kuptonte si një mision të shenjtë. Me zellin më të madh filloi t’i pajisë nxënësit e tij me njohuri të reja dhe t’i edukojë që të mos pajtoheshin me robërinë, ta kundërshtonin atë dhe të luftonin për çlirimin dhe për bashkimin e Kosovës dhe të mbarë trojeve shqiptare nën Jugosllavi me shtetin amë – Shqipërinë.
Për ta penguar punën e këtij edukatori të pasionuar, pushteti jugosllav, në vitin 1959, ia dërgoi thirrjen për në ushtri. Në një shkrim të tij në formë ditari “Rrëfimi i papërfunduar”, Azemi tregon se në atë kohë, për shkak të mungesës së madhe të kuadrit mësimor, mësimdhënësve ua shtynin shërbimin ushtarak për vite me radhë, ndërsa atij një gjë e tillë nuk iu mundësua. Të tjerëve thirrja për të shkuar ushtar, sipas ligjeve të atëhershme, u vinte një muaj përpara, kurse Azemit i erdhi vetëm dy ditë para nisjes. “Më 16 shkurt 1959, u detyrova të nisesha për në ushtri, pa pasur kohë të përgatitesha sado pak për një rrugë që s’i dihej fundi, as pa u përshëndetur me njerëzit që duhej përshëndetur”, ― thotë Azemi në shkrimin e tij.
Si ushtar, Azemi gëzonte respekt të madh në mesin e ushtarëve shqiptarë. Meqë në atë kohë shumica e të rinjve ishin analfabetë, ai atyre ua shkruante letrat me të cilat korrespondonin me anëtarët e familjes. Kjo gjë nuk u pëlqente eprorëve ushtarakë. Një ditë, në një orë politike, njëri nga ata, e kishte caktuar Azemin të fliste për Shqipërinë. Për shkak se Azemi nuk hodhi helm e vrer mbi atdheun e vet, siç dëshironte eprori dhe siç bënin disa shqiptarë të mjerë, në dosjen e tij, që ishte përgatitur që më parë nga profesionistë të UDB-së dhe të KOS-it, u nënvizua edhe një herë me vijë të trashë etiketimi: “armik i popullit dhe i shtetit”.
Edhe si mësues, edhe si ushtar, edhe para gjyqit, që i dënonte shokët e tij të idealit, Azem Beqiri me urtësi dhe me guxim ka ngritur zërin kundër padrejtësive që pushtetmbajtësit ua bënin popullit tonë. Ky qëndrim dinjitoz, që u kishte rënë në sy eprorëve ushtarakë, Azemit i kushtoi me 11 muaj izolim në burgun ushtarak, ku përjetoi tortura psikike dhe fizike gjatë gjithë vuajtjes së dënimit.
Viti 1963 Azemit ia plotësoi dëshirën më të madhe që kishte në jetë. Së bashku me Fazli Graiçevcin, Zeqir Gërvallën dhe Abdyl Lahun, futet në Komitetin Revolucionar të Organizatës Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, që udhëhiqej nga Adem Demaçi.
Pasi ishte kthyer nga ushtria ish‐profesorit i tij, Ramiz Hoxha, për të cilin Azemi kishte respekt të madh, kryeredaktor i revistës “Shëndeti”, që dilte në Prishtinë, e pranoi Azemin si administrator. Përpos punës me të cilën ishte ngarkuar ai në vazhdimësi e ndihmonte profesorin e tij në redaktimin e faqes për fëmijë në kuadër të kësaj reviste. Nën pretekstin për të gjetur pajtimtarë për këtë revistë Azemi vizitonte edhe tetëvjeçaret në Kumanovë, në Tetovë e Gostivar, Kërçovë e Strugë etj. ku kontaktonte me intelektualë atdhetarë për t’i anëtarësuar në organizatën Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, që e kishte me program ta shtrinte rrjetin e saj edhe në viset shqiptare jashtë kufijve të Kosovës.
Në natën ndërmjet 12 e 13 prillit 1964, Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, i kishte hyrë aksionit t’i ngrinte katërqind flamurë në të gjithë hapësirën e Kosovës. Flamuri, me të cilin anëtarët e kësaj organizate e kishin mbuluar varrin e atdhetarit Shaban Shala, mbante vargjet e Azemit, që i kishte qëndisur anëtarja e kësaj organizate, Nefise Qerimi: “Ke dhanë jetën faqe bardhë/Qe lirija asht tue ardhë”. Shaban Shalës, që UDB-ja e kishte mbytur gjatë hetimeve në janar të vitit 1963, Azemi, përpos këtyre dy vargjeve shumë kuptimplote, ia kushtoi edhe vjershën “Qëndresa”.
Pas këtij aksioni, që demaskoi para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm politikën diskriminuese që pushtuesit jugosllavë e ushtronin mbi popullin tonë, UDB-ja filloi me arrestimet e anëtarëve të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Më 8 qershor të vitit 1964 tok me kreun e Lëvizjes, Adem Demaçin dhe një grup shokësh, gjithsej 13 veta, Azemi u burgos dhe u dënua me 10 vjet burg.
Që nga ajo kohë, deri në vitin 1999, kur Kosova u çlirua nga pushtuesi serb, Azemi u përndoq, u mbajt nën vëzhgim dhe u përjashtua shumë herë nga puna si armik i popullit dhe i shtetit.
Përpos veprimtarisë për çlirim nga Jugosllavia dhe për bashkim me Shqipërinë Azem Beqiri është marrë edhe me krijimtari artistike. Në shtypin e Kosovës, si “Shkëndija”, “Fjala jonë”, “Shëndeti”, “Zani i rinisë”, “Jeta e re”, që dilnin në atë kohë, ai ka botuar vjersha për të rritur dhe për fëmijë. Motivet kryesisht patriotike e sociale, stili i tyre, përshkrimet idilike, gjuha e rrjedhshme me rrënjë në gurrën e pasur të së folmes popullore, larushia e figurave artistike i japin poezisë së tij tone të një letërsie të angazhuar dhe e përafrojnë me krijimtarinë artistike të rilindësve tanë.
Azem Beqiri ka ndërruar jetë në vitin 2005 në Prishtinë, në Kosovën e lirë, për lirinë e së cilës nuk ka kursyer asgjë nga vetja.
Në vitin 2006, në përvjetorin e parë të vdekjes krijimtaria e tij artistike, më shumë poezi dhe pak prozë, u botua në përmbledhjen me titull “Dhembja krenare”.
Azem Beqiri si atdhetar e si krijues mbetet shembull i rrallë që gjatë gjithë jetës, në të gjitha rrethanat, me përkushtim e me guxim, pa i përfillur sakrificat sado të mëdha që mund të ishin është angazhuar për ta realizuar misionin për çlirim e për bashkim kombëtar.

Prishtinë, 27 gusht 2025

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka…