Shembujt e VV-së për rastet e votimit të fshehtë, avokati i PDK-së ua sqaron se si duhet lexuar aktgjykimi

30 qershor 2025 | 22:57

Avokati i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Fetahu, duke iu referuar aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, ka sqaruar në mënyrë të qartë rëndësinë e interpretimit të dispozitave kushtetuese dhe rregulloreve parlamentare në lidhje me procesin e votimit në Kuvend.

Fetahu thekson se, sipas këtij aktgjykimi, Kushtetuta nuk e ndalon votimin e fshehtë, ashtu si nuk e kërkon në mënyrë eksplicite votimin e hapur gjatë zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit apo në konstituimin e tij. Megjithatë, ai nënvizon se Gjykata ka theksuar natyrën e veçantë të seancës konstituive, ku dispozitat e Rregullores së Punës, përfshirë mocionet procedurale që mund të ndryshojnë rendin e ditës, nuk janë të zbatueshme.

Fetahu citoi se aktgjykimi i Kushtetueses thekson qartë se mungesa e parashikimeve të posaçme për rendin e ditës në seancën konstituive bën që votimi i fshehtë të mos jetë i parashikuar për këtë rast. Ai shtoi se Gjykata mbështet këtë qëndrim edhe duke iu referuar praktikave të tjera parlamentare në zgjedhjen e institucioneve.

“Gjykata Kushtetuese me këtë aktgjykim tha: Kushtetuta nuk e ndalon askund votimin e fshehtë, ashtu si nuk e parasheh askund votimin e hapur për qëllimin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, respektivisht konstituimit të Kuvendit. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese, në përpjekjen e saj për ta arsyetuar faktin se kjo seancë është e karakterit të veçantë dhe faktin se asnjë dispozitë relevante e rregullores për sa i përket mocioneve procedurale, të cilat mund të përfshijnë qoftë edhe mundësinë për ta ndryshuar rendin e ditës, nuk janë të zbatueshme në seancën konstituive, jo rastësisht tha se, në mungesë të parashikimit në dispozitat e posaçme që e rregullojnë rendin e ditës të kësaj seance, nuk parashihet votimi i fshehtë. E për rrjedhojë, Gjykata Kushtetuese madje këtë argument e mbështeti duke iu referuar edhe praktikave të tjera të zgjedhjes së institucioneve. Sa i përket interpretimeve të tilla në paralele, të mos harrojmë që neni 67 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës e rregullon çështjen e kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit dhe, për dallim nga, bie fjala, Presidenti ose mënyra e zgjedhjes së tij, nuk ka një mundësi kushtetuese tek ne që kryetari i Kuvendit të mund të propozohet edhe nga dikush tjetër, meqë, siç e kemi ditur dhe siç u riafirmua në këtë aktgjykim, u konfirmua se e drejta e të parit të të parit për ta propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi nuk është e tjetërsueshme dhe nuk është e transferueshme, dhe për rrjedhojë, meqë i takon vetëm të parit, nuk mund të ketë kandidat tjetër.

Në mungesë të kandidatit, përkatësisht kundërkandidatëve, nuk është parashikuar pikërisht për këtë frymë të Kushtetutës mundësia që të ketë më shumë se dy kandidatë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sepse po të ishte kështu, atëherë logjike do të ishte edhe zbatimi i votimit të fshehtë. Por në mungesë të kësaj, atëherë vlejnë dispozitat aktuale, të cilat Kushtetuesja i ka referuar në zbatimin e praktikës së deritanishme. Këto praktika janë fare të qarta: asnjëherë nuk ka pasur votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarëve dhe nënkryetarëve.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka theksuar…