Shengyli: Liria do të rikthehet në Superligë

21 janar 2020 | 21:50

Gjërat kanë filluar të vihen në binarë te Liria e Prizrenit.

Klubi nga “Përparim Thaqi” tashmë ka konstituuar kryesinë e klubit dhe ka emëruar Skënder Shengylin në krye të stolit të klubit. Tekniku i njohur e di se e pret një punë e vështirë te ‘bardhezinjtë’, por shprehet i bindur se në fund do të arrijnë t’i realizojnë objektivat që kanë para vetes. “Grumbullimi i parë ishte të martën, ndërkohë që të mërkurën me fillim nga ora 13:00 do të fillojmë edhe zyrtarisht përgatitjet për stinorin pranveror”, ka thënë Shengyli.

“Jam i vetëdijshëm për gjendjen aktuale në skuadër dhe ka jo pak probleme. Presim që futbollistët t’i marrin pagat e muajve të fundit dhe do të shohim se cila është gjendja me kontrata e futbollistëve. Në pesë ose gjashtë ditët e ardhshme do të shikojmë nga afër fondin e futbollistëve që kemi në dispozicion dhe do të mundohemi të gjejmë zëvendësime adekuate për futbollistët të cilët tashmë janë larguar”, ka deklaruar Shengyli për gazetën “Sheshi”.

Tekniku 59-vjeçar nga Prizreni foli edhe për objektivat e klubit, derisa theksoi se qëllimi kryesor është inkuadrimi në Superligë. “I kam përcjellë ndeshjet e Lirisë në stinorin vjeshtor të kampionatit dhe mund të them se situata është pak e komplikuar. Ne nuk duhet të kthehemi prapa, por duhet të shikojmë vetëm përpara duke lënë prapa edhe problemet. Ne e kemi obligim dhe synim që ta rikthejmë Lirinë në Superligë. Sepse në bazë të traditës, Liria e ka vendin në Superligë”, ka shtuar Shengyli. Më pas ai foli edhe për ndeshjen e Kupës së Kosovës, ndërkohë që theksoi se objektivi i vetëm është në Superligë.

“Ne kemi një përballje të vështirë në Kupën e Kosovës përballë Feronikelit. Realisht nuk kemi pretendime të mëdha që të shkojmë më tutje në Kupë, por futbollit nuk i dihet dhe ne nuk do të futemi me flamur të bardhë në këtë ndeshje, ani pse nuk kemi kapacitet që të luftojmë në dy fronte. Përqendrimi ynë maksimal mbetet Superliga”, ka përfunduar Shengyli.

Liria e mbylli vjeshtën në pozitën e tretë të renditjes tabelore në Ligën e Parë me 26 pikë, dy më pak se liderja, Besa e Pejës. Në kuadër të çerekfinales së Kupës së Kosovës do të përballet me Feronikelin, fitues aktual i këtij kompeticioni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Milazim Krasniqi, ka…