Shënime nga ditari i Panairit të Librit

11 qershor 2023 | 21:20

Berat Dakaj (Armagedoni)

07.06.2023

Profesor Qosja, Rexhep Qosja, studiuesi më i thellë i Rilindjes Kombëtare, kritiku më i sertë i të gjitha kohëve i letërsisë shqipe dhe i kritikës dhe studimeve letrare shqiptare, në moshën tetëdhjetë e shtatë vjeçe, me nipin, Valjetin, erdhi sot në Panairin e Librit në Prishtinë pa u mbajtur për krahësh të tij. Erdhi te stenda e “Artini”-t. Botuesi i tij nga Shqipëria, Fatmir Toçi, drejtor i “Toenës”, i ka botuar javën e kaluar vëllimin IX të ditarit “Dëshmitar në kohë historike”. Sapo zbres nga kati i dytë që të shkoj pranë tij, të bisedoj me të, ta marr vëllimin e fundit të ditarit të tij dhe ta uroj për botimin e ri, i afrohen njerëzit pranë. Tri herë ia mësyj vendit të tij, po tri herë zbres në katin e parë dhe po kaq herë ngjitem në katin e dytë ta shikoj interesimin për të. S’lënë të tjerët t’i afrohem. Dëshmitarët e tij, dashamirët e tij, miqtë e tij, lexuesit e tij, presin radhën, me vëllimin e nëntë të ditarit në dorë, për të marrë një nënshkrim prej tij. Dy të parët s’i njoh. I treti erdhi studiuesi i letërsisë shqipe, një ndër burrat e rrallë e të mirë të Prishtinës, një njeri parimor e i painat, Fadil Grajçevci. Pas tij, po përkrah tij, ish-i burgosuri Sali Bytyçi, po ashtu studiues letërsie dhe rebel në shkrime publicistike. Edhe dy a tre të tjerë pas tyre. Erdhi ndërkohë Bajram Kosumi me bashkëshorten, i bleu të gjitha vëllimet e ditarit të tij dhe ndenji gjatë pranë Qosjes. Shumë gjatë. E kishte marrë malli për të. Bajrami fliste, profesor Qosja nënshkruante libra për të tjerë dhe, gjithashtu, fliste me të. Vajza ime, Pomena, e cila gjatë këtyre ditëve të panairit po më ndihmon, më vështronte nga poshtë dhe më kërkonte ta ndërroja te stenda e shtëpisë sonë botuese “Armagedoni”. Zbrita poshtë për herë të katërt, shkova te stenda e Pomena shkoi të hajë bukë. Erdhën ndërkohë Adem Gashi dhe Arif Molliqi. Poetë dhe prozatorë. Qe besa edhe kritikë. Ndenjëm një orë aty derisa erdhi Pomena, ndërkohë edhe kolegu im i Bibliotekës Kombëtare, Shemi, Shemsedin Morina, të cilin e kam angazhuar në këtë edicion të panairit. I lashë aty dhe me Ademin dhe Arifin dolëm për kafe. U ktheva sërish te stenda. Qosja nuk ishte më tek “Artini”. Kishte qëndruar si burrat, më shumë se dy orë. Në mbrëmje, pas orës 21.00, më shkroi Valjeti, Valjet Rexhepi, nipi i profesor Qosjes, në “Facebook”: “Berat, sot ishim në Panair me gjyshin Rexhep. Deshëm të të takojmë, por ti nuk ishe te stenda”. Unë i bëra me dije se do të jem nesër, ai më tha se gjyshi do të vijë sërish nesër ose pasnesër. Nëse vijnë Qosja me Valjetin do t’i takoj, se i kam për qejfi.

 

08.06.2023

As sot, në ditën e tretë të panairit, nuk ka asnjë “shkrimtar special” të huaj. Vendorë ka përplot. Organizatorët ose s’e kanë thënë të vërtetën për medie dhe për publikun me rastin e organizimit të panairit, ose ata “shkrimtarët specialë” e kanë lënë të vijnë për vjeshtë sikurse e ka lënë Orhan Pamuku.

Ditë e lodhshme, po. Edhe e mirë, po. Më vizituan miq nga shumë qytete të Kosovës. Disa i takova te stenda, disa s’i takova. Disa më shkruan, disave u shkrova në “Facebook”. Sapo u bëmë bashkë me Arif Molliqin, Adem Gashin, Emin Z. Eminin, Sadik Zeqirin e me dyzet burra të tjerë, zbritëm në sallën alternative të Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë. Përuruam romanin e Arifit, “Arkivi i letrave të djegura”. Tre recensentët e çmuan shumë romanin, unë autorin. Fjalët e tyre të përzgjedhura e të mira për romanin, ndikuan shumë në shitjen e tij. Për një ditë i shita 36 ekzemplarë. Shkuan si hallva. S’e dhurova asnjë, se Agron Shala gjatë ditës ma tregoi këtë ndodhi: “Një vajzë e kishte pyetur të atin: ‘Babë, të gjithë këta libra që kemi në librari i ke lexuar?’ ‘Jo, bijë. I kam lexuar ata që i kam blerë, jo ata që m’i kanë dhuruar”. Ndërkohë në stendën time erdhën profesor Rrahman Paçarizi, përkthyesja dhe studiuesja Meliza Krasniqi, përkthyese e librit “Arti i fiksionit”, Albanë Mehmetaj, studiuese dhe profesoreshë letërsie, me to edhe shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë shqipe, Adil Olluri, dikur cimer imi. Ndenjëm bashkë më shumë se një orë. Na vizitoi edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili, para nja dhjetë vjetësh, më pati emëruar anëtar i Këshillit të Librit. S’m’u duk se më mbante inat për asnjë gjë. Miqësor si përpara. Pjesën tjetër të ditës e kalova herë nëpër kafene, herë nëpër ëmbëltore, herë nëpër hapësirën e panairit, pak edhe në kafazin (stendën) time. Kur e kam Pomenën aty, edhe Shemsedinin përkrah saj, s’kam pse të jem i pranishëm nis e sos aty.

 

09.06.2023

Ditën e nisa me pirje të kafes në banesë, me një tjetër te baca Hajdar, Hajdar Fejzullahu, para orës 8.00, të tretën e piva me Shemsedinin në “Monaco” para orës 9.00. Kur e përfunduam bisedën për mbarëvajtjen e punëve të djeshme dhe për realizimin e punëve të sotme, me Shemin u ngjitëm në Pallatin e Rinisë dhe i gjithë Pallati u mbush me rini, me vajza dhe djem të shkollave fillore të Prishtinës. Ndenja deri në orën 10:45 në stendën e “Armagedoni”-t. Erdhi ndërkohë Arif Molliqi, pastaj Adem Gashi dhe përuruam librin “Peng më mbeti fjala” të Dibran Demakut. Zbritëm poshtë pallatit për të pirë kafe në “Monaco”. I pashë teksa ngjiteshin shkallëve Shkëlzen dhe Avni Halimi. Vëllezër. Dy kosovarë të rënë në Shkup e që kanë ardhur nga Shkupi për panair, për libra dhe për takime. I ftova për kafe. Nuk folëm gjë për politikë. Për letërsi, për botime, për përkrahje dhe mospërkrahje, po. Gjatë bisedës me ta më shkroi Valjeti, nipi i Qosjes: “Berat, jemi me gjyshin në panair. Po vijmë po të vizitojmë”. “Jam poshtë në kafe. Menjëherë po ngjitem lart”, i shkrova. U çuam të gjithë. Sapo shkuam te stenda, erdhën profesor Qosja dhe Valjeti. Bëmë bisedë në këmbë dhe ulur nja njëzet minuta. Më lavdëroi shumë, më çmoi shumë, më nderoi shumë. E urova për vëllimin e nëntë të ditarit dhe ato fjalë që m’i shprehu me gojë, i shkroi edhe në letër: “Beratit, me nderimet më të përkushtuara me përzemërsi vëllazërore me urime për krijimtarinë e tij shumë të rëndësishme kritike, historiko-letrare dhe letrare dhe me adhurimin tim për dhuntinë, burrërinë dhe virtytet e tij shumë të çmuara kombëtare”. Menjëherë fillova ta lexoj vëllimin e ri dhe të fundit të ditarit. I rreptë, si gjithmonë. I arsyeshëm, fund e krye. Në faqet e para u ka rënë: LDK-së, pak televizionit publik RTK-së, shumë KTV-së, Ibrahim Rugovës, Nexhat Dacit. Përmend Agim Çekun, Ramush Haradinajn, Azem Sylën, Hashim Thaçin, Bedri Zyberajn, Agim Vincën, Melihate Tërmkollin, Shpresën, motrën e saj dhe vdekjen e saj, Epopenë e UÇK-së, Shqipërinë, Amerikën, shqiptarët e Amerikës dhe një si thirrje “Jepni për nënën”. Kështu si ia kam nisur, deri të dielën, nëse s’kam shumë mysafirë, do ta lexoj, edhe pse po lexoj me laps në dorë, duke bërë edhe përmirësime teknike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka marrë informacion që…