Shënime për nacionalizmin

12 dhjetor 2025 | 08:35

George Orwell

Diku në shkrimet tij, Bajroni përdor fjalën franceze “longueur” dhe vëren kalimthi se megjithëse në Angli nuk e kemi fjalën gjegjëse, e kemi goxha shumë të për­hapur atë që ajo përcakton. Krejt njësoj, tani ekziston një shprehi e ngulitur të menduari, e cila është aq e përhapur sa ndikon në të menduarit tonë për gati çdo temë, por që ende s’i është dhënë një emër. Si barasvle­rësen më të afërt kam zgjedhur fjalën “nacionalizëm”, por do të kup­tohet menjëherë që nuk po e përdor në kup­timin e zakonshëm, qoftë dhe vetëm sepse emocioni për të cilin po flas nuk i bashkë­ngjitet gjithmonë asaj që quhet komb, pra një racë e vetme ose një zonë gjeogra­fike. Mund t’i bashkëngjitet një kishe ose klase shoqë­rore, ose mund të funksionojë në kuptim thjesht negativ, kundër një gjëje ose një tjetre dhe pa nevojën për ndonjë objekt të padiskutueshëm besnikërie.

Me “nacionalizëm” ​​nënkuptoj, para së gjithash, supo­zimin se qeniet njerëzore mund të klasifikohen si insek­tet dhe se miliona apo dhjetëra miliona njerëz mund të ndahen në një farë mënyre në “të mirë” ose “të këqij”.[1] Por, së dyti, dhe kjo është shumë më e rëndësishme, nënkuptoj njëjtësimin (identifikimin) me një komb të vetëm ose një grup tjetër shoqëror, të cilin e vendos përtej së mirës dhe së keqes dhe nuk i njeh vetes asnjë detyrë tjetër përveç mbrojtjes së interesave të tij.

Nacionalizmi s’duhet ngatërruar me patriotizmin. Të dyja fjalët përdoren rëndom në mënyrë kaq të paqartë saqë çdo përkufizim mund të kundërshtohet, por duhet bërë dallimi midis tyre, pasi kemi të bëjmë me dy ide të ndryshme dhe madje të kundërta. Me “patriotizëm” nën­kuptoj përkushtimin ndaj një vendi dhe një mënyre të veçantë jetese, për të cilën njeriu beson se është më i miri në botë, por s’do t’ua imponoj të tjerëve. Patriotizmi ka natyrë mbrojtëse si në aspektin ushtarak ashtu edhe në atë kulturor. Nga ana tjetër, nacionalizmi është i pandashëm nga dëshira për push­tet. Qëllimi i përhershëm i çdo nacio­nalisti është të sigurojë më shumë pushtet dhe më shumë prestigj, jo për veten, por për kom­bin ose doktrinën që ku ka zgjedhur ta shkrijë individualitetin e vet.

Për sa kohë që përdoret thjesht për lëvizjet nacionaliste më famë­keqe dhe më të njohura në Gjermani, Japoni dhe vende të tjera, gjithçka është shumë e qartë. Për­ballë një dukurie si nazizmi, të cilën mund ta vëzhgojmë nga jashtë, gati të gjithë do të thoshin gati të njëjtat gjëra për të. Por këtu më duhet të përsëris atë që thashë më lart, se fjalën “nacionalizëm” e përdor vetëm në mungesë të një fjale më të mirë. Nacionalizmi, fjalë që po e përdor në kuptimin e zgjeruar, përfshin lëvizje dhe rryma të tilla si komunizmi, katolicizmi politik, sioni­zmi, antisemiti­zmi, trockizmi dhe pacifizmi. Nuk nën­kupton detyrimisht besnikëri ndaj një qeverie ose një vendi, aq më pak ndaj vendit tënd, dhe madje nuk është patjetër e nevojshme që doktrinat me të cilat njëjtësohet (identifikohet) të ekzistojnë në të vërtetë. Për të për­mendur disa shembuj të dukshëm, hebraizmi, islami, krishterimi, proletariati dhe raca e bardhë janë të gjitha objekte të ndjenjave të flakta nacionaliste: por ekzi­stenca e tyre mund të vihet seriozisht në dyshim dhe nuk ka asnjë përkufizim të ndonjërit prej tyre që të jetë i pranuar botërisht.

Vlen të theksohet edhe një herë se ndjenja nacionaliste mund të jetë vetëm negative. Ka, për shembull, tro­ckistë që janë bërë armiq të BS-së pa ushqyer besnikëri ndaj ndonjë vendi tjetër. Pasi të rroket kuptimi i kësaj, natyra e asaj që nënkuptoj me nacionalizëm bëhet shumë më e qartë. Nacionalisti është ai që mendon vetëm, ose më së shumti, për prestigjin (rëndësinë, vle­rën apo ndikimin) kundrejt të tjerëve që shihen si konkurrues. Mund të kemi nacionalist pozitiv ose negativ, energjitë men­dore mund të përdoren për të nxitur ose për të denigruar, por gjithsesi mendimet e nacionalistit kanë të bëjnë me fitore, disfata, triumfe dhe poshtërime.

Nacionalisti e sheh historinë, sidomos historinë bashkë­kohore, si ngritjen dhe rënien e pafund të doktrinave të mëdha të fuqisë, dhe çdo ngjarje që ndodh i duket një provë se ana e tij është në shkallë më të lartë dhe rivali i urryer në shkallën më të ulët. Por, në fund të fundit, është e rëndësishme të mos ngatërrohet nacionalizmi vetëm me adhurimin e suksesit. Nacionalisti nuk ecën në parimin e thjesht të rreshtimit me palën më të fortë. Përkundrazi, pasi ka zgjedhur anën e vet, e bind veten se është më i forti dhe është në gjendje të tregohet i palëkundur ndaj asaj që beson edhe kur faktet janë krej­tësisht kundër. Naciona­lizmi është uri për pushtet e kalitur nga vetëmashtrimi. Çdo nacionalist është i aftë të bëjë hapur veprimet më të pandershme, por meqenëse është i vetëdijshëm se i shërben diçkaje më të madhe se vetja, është njëqind për qind i sigurt se është në anën e duhur.

Tani që kam dhënë këtë përkufizim të gjatë, mendoj se do të pranohet se shprehia e ngulitur e të menduarit për të cilin po flas është e përhapur ndër intelektualët anglezë dhe është më e përhapur ndër ta sesa në masën e njerëzve të thjeshtë. Për ata që e ndiejnë fort politikën bashkëkohore, disa tema janë infek­tuar kaq shumë nga çështja e prestigjit saqë qasja e mirëfilltë racionale ndaj tyre është gati e pamundur. Nga qindra shembuj që mund të merren, bëni këtë pyetje: Cili nga tre aleatët e mëdhenj, BS, Britani dhe ShBA, ka kontribuar më shumë në disfatën e Gjermanisë? Në teori duhet të jetë e mundur të jepet një përgjigje e arsyetuar dhe, ndoshta, edhe përfundimtare për këtë pyetje. Megjithatë, në praktikë, s’mund të bëhen llogaritjet e nevojshme, sepse kushdo që ka të ngjarë të vrasë mendjen për një pyetje të tillë, në mënyrë të pashmangshme do ta shihte atë në aspektin e garës për prestigj. Prandaj nacionalisti do të fillonte, para së gjithash, duke vendosur në anën e Rusisë, Britanisë ose Amerikës sipas rastit, dhe vetëm më pas do ta fillonte kërkimin e argumenteve që duket se mbështesin rastin e tij. Dhe është një varg pyetjesh të ndërlidhura, për të cilat mund të marrësh përgjigje të sinqertë vetëm nga dikush që është krejt indiferent ndaj temës për të cilën bëhet fjalë, mendimi i të cilit për të ka gjasa që, megjithatë, të jetë i padobishëm. Rrjedhi­misht, deri-diku kjo është arsyeja e dështimit të jashtë­zakonshëm të para­shikimit politik dhe ushtarak në kohën tonë. Është me interes të reflektohet se nga të gjithë “ekspertët” e të gjitha shkollave, s’kishte as edhe një të vetme që ishte në gjendje të parashikonte një ngjarje kaq të mundshme sa Pakti Ruso-Gjerman i vitit 1939.[2]

Dhe kur u bë publik lajmi i Paktit, u dhanë shpjegimet më të habitshme dhe të ndryshme, u bënë parashikime të cilat u tej­kaluan menjëherë, pasi ishin mbështetur gati në çdo rast jo te një studim i gjasave, por te dëshira për ta bërë BS-në të duket e mirë ose e keqe, e fortë ose e dobët. Analistët politikë ose ushta­rakë, ashtu si astro­logët, arrijnë ta kapërcejnë pasojën e çdo lloj gabimi, sepse ndjekësit e tyre më të devotshëm nuk kërkojnë të gjejnë një vlerësim të fakteve, por nxitjen e frymës nacio­naliste.[3] Dhe gjykimet estetike, veçanërisht gjykimet letrare, shpesh janë të lapërdhosura (korruptuara) në të njëjtën mënyrë si ato poli­tike. Do të ishte e vështirë që një nacionalist indian të kënaqej duke lexuar Kiplingun ose që një konservator të shihte merita te Majakovski, dhe gjithmonë ekziston ngasja për të pohuar se çdo libër me prirjen e të cilit nuk pajtohet duhet të jetë një libër i keq nga pikëpamja letrare. Njerëzit me pikë­pamje të forta nacionaliste shpesh e kryejnë këtë mash­trim të dorës së parë pa qenë të vetëdijshëm për munge­sën e pandershmërisë që tre­gojnë.

Në Angli, nëse merret parasysh thjesht numri i njerëzve të përfshirë, ka të ngjarë që forma mbizotëruese e nacio­nalizmit të jetë shovinizmi britanik i modës së vjetër. Është e sigurt që është ende i përhapur, dhe shumë më tepër sesa do të kishin besuar vëzhguesit para dy deka­dash. Megjithatë, në këtë ese për mua më shqetësuese janë reagimet e intelektualëve, ndër të cilët shovinizmi, madje edhe patriotizmi i llojit të vjetër janë pothuajse të vdekur, megjithëse tani duket se po ringjallen te një pakicë.

Mes intelektualëve është e kuptueshme që forma mbi­zotë­ruese e nacionalizmit është komunizmi, në kupti­min shumë të gjerë të kësaj fjale, për të përfshirë jo thjesht anëtarët e Partisë Komuniste, por “shokët” dhe rusofilët në përgjithësi. Një komunist, në kuptimin e përdorur këtu, është ai që e shikon BS-në si atdheun e vet dhe e ndien si detyrë ta përligjë politikën ruse dhe t’i çojë përpara interesat ruse me çdo kusht. Është e dukshme që në Angli ka shumë njerëz të tillë dhe ndikimi i tyre i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë është shumë i madh. Por lulëzojnë edhe shumë forma të tjera të nacionalizmit, dhe me anë të vënies në pah të ngjash­mërive midis rrymave të ndryshme të mendimit, në dukje edhe të kundërta, çështja mund të shihet më mirë në perspektivë.

Dhjetë apo njëzet vjet më parë forma e nacionalizmit që për­kon më së shumti me komunizmin sot ishte kato­licizmi politik. Përfaqësuesi më i shquar, megjithëse ndoshta një rast ekstrem që nuk ishte tipik, ishte G. K. Çestërtoni. Çestërtoni ishte shkrim­tar me talent të duk­shëm, i cili zgjodhi ta shtypte ndjeshmërinë dhe nder­shmërinë intelektuale në shërbim të kauzës së propa­gandës katolike romake. Gjatë afro njëzet viteve të fun­dit të jetës, i gjithë produkti i tij intelektual ishte në rea­litet përsëritje e pafund e së njëjtës gjë, me zgjuarsinë e panatyrshme, të thjeshtë dhe të mërzitshme të frazave si: “E madhe është Diana e Efesianëve”. Çdo libër që shkroi, çdo paragraf, çdo fjali, çdo ndodhi në secilën histori, çdo fragment dialogu, duhej të tre­gonte në mënyrë absolute epërsinë e katolikëve ndaj fesë prote­stante ose paganizmit.

Por për Çestërtonin kjo epërsi s’mund të ishte vetëm inte­lektuale ose shpirtërore: ajo duhej të përkthehej si prestigj kombëtar dhe fuqi ushtarake, gjë që nënkup­tonte idealizimin e padijshëm të vendeve latine, dhe sidomos të Francës. Çestër­toni nuk kishte jetuar gjatë në Francë dhe tabloja që përshkru­hej, si tokë fshatarësh katolikë që këndojnë pandërprerë Mar­sejezën me gota me verë të kuqe përpara, kishte aq lidhje me realitetin sa ka “Një mijë e një net” me jetën e përditshme në Bagdad. Dhe kësisoj gjente jehonë mbivlerësimi i jashtëzakon­shëm i fuqisë ushtarake franceze (si para dhe pas 1914-1918 ai mbronte pikëpamjen se Franca, në vetvete, ishte më e fortë se Gjermania), duke bërë një glorifikim të marrë dhe të thjeshtë­zuar të procesit të luftës. Poezitë luftarake të Çestërtonit si “Lepanto” ose “Balada e Shën Barbarës”, e bëjnë poezinë e Alfred Tenisonit “Akuza e brigadës së dritës” të ngjajë si trakt pacifist: ato janë, ndoshta, trajtat më të çuditshme bom­bastike që mund të gjenden në gjuhën tonë.

Interesante është që nëse këto broçkulla romantike që rëndom shkruante për Francën dhe ushtrinë franceze, do të ishin shkruar nga dikush tjetër për Britaninë dhe ushtrinë britanike, ai do të ishte i pari që do ta tallte. Në politikën e brendshme ishte anglez i vogël, urrejtës i vërtetë i shovinizmit dhe imper­ializmit dhe, sipas asaj që besonte, mik i vërtetë i demokracisë. Megjithatë, kur shikonte nga jashtë në fushën ndërkombëtare, mund t’i braktiste parimet e veta pa e vënë re se po e bënte. Kështu, besimi i tij pothuajse mistik në virtytet e demokracisë nuk e pengoi aspak ta admironte Musolinin.

Musolini kishte shkatërruar qeverisjen përfaqësuese dhe lirinë e shtypit për të cilën Çestërtoni kishte luftuar aq shumë në vendin e tij, por Musolini ishte italian dhe e kishte bërë Italinë të fortë, dhe kjo e zgjidhte çështjen. Çestërtoni nuk gjeti kurrë një fjalë për të thënë kundër imperializmit dhe pushtimit të racave me ngjyrë kur ato bëheshin nga italianët apo francezët. Qasja ndaj realitetit, shija letrare, madje deri në një farë mase ndje­nja morale, zhvendoseshin sapo përfshihej besnikëria nacio­naliste. Është e qartë se ka ngjashmëri të madhe midis katoli­cizmit politik, siç ilustrohet nga Çestërtoni, dhe komunizmit. Pra, ka ngjashmëri midis njërës prej këtyre dhe, për shembull, nacionalizmit skocez, sioni­zmit, antisemitizmit ose trockizmit. Do të ishte një thjeshtëzim i tepruar të thuash se të gjitha format e nacionalizmit janë të njëjta, edhe në atmosferën e tyre men­dore, por ka disa rregulla që vlejnë në të gjitha ras­tet.

Më poshtë janë renditur veçoritë kryesore të mendimit nacio­nalist:

Paranoja. Sa më shumë të jetë e mundur, një nacionalist nuk mendon, flet ose shkruan për asgjë tjetër përveç epërsisë së vendit ose doktrinës së tij. Është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që një nacionalist ta fshehë besnikërinë e tij. Shfaqja më e vogël e përbuzjes ndaj vendit ose doktrinës që beson, ose çdo lavdërim i nënkuptuar i një organizate rivale, e mbush me shqe­tësim të cilin mund ta lehtësojë vetëm duke u kundër­përgjigjur rreptë. Nëse objekt i besnikërisë është një vend real si Irlanda ose India, ai në përgjithësi do ta mëtojë epërsinë e tij jo vetëm në aspektin e fuqisë ushtarake dhe virtytit politik, por në art, letërsi, sport, strukturën e gjuhës, bukurinë fizike të banorëve dhe, ndoshta, edhe në klimë, peizazh dhe gatim. Do të tre­gojë ndjeshmëri të madhe për gjëra të tilla si saktësi në shfaqjen e flamujve, madhësinë e germave dhe rendi­tjen sipas së cilës përmenden vendet e ndryshme.[4]

Emërtesa luan një rol shumë të rëndësishëm në men­dimin nacionalist. Vendet që kanë fituar pavarësinë ose kanë kaluar nëpër një revolucion nacionalist zakonisht i ndryshojnë emrat dhe çdo vend ose doktrinë që ngjall ndjenja të forta ka të ngjarë të ketë disa emra, secili prej tyre me nënkuptim të ndryshëm. Dy palët në Luftën Civile të Spanjës kishin mes tyre nëntë ose dhjetë emra që shprehnin shkallë të ndryshme dashurie dhe urrej­tjeje. Disa prej këtyre emrave (p.sh. “Patriotë” për për­krahësit e Frankos, ose “Lojalistë” për mbështetësit e qeverisë) ishin të paqarta, dhe asnjëri prej të dy grupeve rivale nuk i përdorte në të njëjtin kuptim.

Të gjithë nacionalistët e quajnë si detyrë përhapjen e gjuhës së tyre në dëm të gjuhëve rivale dhe tek anglisht­folësit kjo luftë rishfaqet në një formë më të ndjeshme si luftë midis dialekteve. Amerikanët anglofobë do të refuzojnë të përdorin një shprehje të përdorimit të për­ditshëm e dinë se është me origjinë brita­nike, dhe kon­flikti midis latinizuesve dhe gjermanizuesve shpesh fry­mëzohet nga motive nacionaliste.

Nacionalistët skocezë këmbëngulin në epërsinë e sko­cezëve të poshtëm, dhe socialistët, nacionalizmi i të cilëve merr for­mën e urrejtjes klasore kundër theksit të folësve të televizionit “B.B.C.” dhe madje edhe ndaj a-së së zgjatur. Shembujt mund të jenë të pafund. Men­dimi nacionalist shpesh të krijon për­shtypjen se është ndikuar nga besimi te magjia në largësi, një besim që ndoshta lidhet me zakonin e përhapur të djegies së por­treteve të armiqve politikë, ose përdorimit të fotogra­five të tyre si objektiva në poligonët e qitjes.

Paqëndrueshmëria. Pavarësisht se bindjet mbrohen me besim të flaktë kjo s’do të thotë fryma nacionaliste nuk ndryshon për­katësi. Si fillim, siç e kam theksuar, ato mund të jenë të lidhura dhe shpesh janë të tilla me një vend të huaj. Është shumë e lehtë të vihet re se udhëhe­qësit e mëdhenj kombëtarë, ose theme­luesit e lëvizjeve nacionaliste, as që i përkasin vendit që kanë glorifikuar. Ndonjëherë ata janë vetë të huaj, ose më shpesh vijnë nga zona periferike ku kombësia është e dyshimtë. Shembuj të tillë janë Stalini, Hitleri, Napoleoni, Éamon de Valera, Benjamin Disraeli, Raymond Poincaré, Lord Beaverbrook. Lëvizja pan-gjermane ishte pjesë­risht krijim i një anglezi, Hujstën Çamberlein.

Për pesëdhjetë apo njëqind vitet e fundit, nacionalizmi i zhven­dosur ka qenë një dukuri e zakonshme në mesin e intelektualëve letrarë. Me Lafcadio Hearne zhvendosja ndodhi në Japoni, me Tomas Karlajl (Thomas Carlyle) dhe shumë të tjerë të kohës së tij në Gjermani, dhe në epokën tonë zakonisht është në Rusi. Por fakti, veçanë­risht interesant, është se rizhvendosja është gjith­ashtu e mundur. Një vend ose një doktrinë tjetër që është adhu­ruar me vite papritur mund të bëhet e neveritshme dhe një objekt tjetër dashurie të zjarrtë mund t’ia zërë vendin pothuajse pa kaluar kohë.

Në versionin e parë të “Skicë e historisë” të H. G. Uellsit dhe shkrimeve të tjera të tij për atë kohë, Shtetet e Bashkuara vle­rësohen gati në mënyrë po aq ekstra­vagante sa Rusia lavdë­rohet sot nga komunistët: megji­thatë brenda pak vitesh ky admirim i pakusht ishte kthyer në armiqësi. Komunisti fanatik, i cili në një hapësirë ​​prej javësh, apo edhe ditësh, shndërrohet në një trockist po aq fanatik, është një spektakël i zakon­shëm. Në Evropën kontinentale lëvizjet fashiste rekru­tuan pjesëtarë kryesisht ndër radhët e komunistëve dhe procesi i kundërt mund të ndodhë brenda pak viteve të tjera. Ajo që mbetet kon­stante tek nacionalisti është gjendja shpirtërore: objekti i ndje­njave të tij është i ndryshueshëm dhe mund të jetë imagjinar.

Por për një intelektual, zhvendosja ka një funksion të rën­dësishëm të cilin e kam përmendur shkurt në lidhje me Çestër­tonin. Kjo e bën të mundur që ai të jetë shumë më nacionalist, më vulgar, më budalla, më keqdashës, më i pandershëm sesa mund të kishte qenë ndonjëherë në emër të vendit të tij të lind­jes, ose për ndonjë dok­trinë për të cilën kishte njohuri reale. Kur lexojmë gjepurat prej skllevërish apo mburracake që janë shkruar për Stalinin, Ushtrinë e Kuqe etj. nga njerëz mjaft inte­ligjentë dhe të ndjeshëm, kupton se kjo është e mundur vetëm sepse ka ndodhur një lloj shkëputje. Në shoqëri si kjo e jona, është e pazakontë që dikush që mund të përshkruhet si inte­lektual të ndiejë një lidhje shumë të thellë me vendin e tij.

Opinioni publik – pra pjesa e opinionit publik për të cilin ai si intelektual është i vetëdijshëm – nuk do ta lejojë të veprojë kështu. Shumica e njerëzve përreth tij janë skeptikë dhe të pakënaqur, dhe nacionalisti mund të përvetësojë të njëjtin qëndrim duke imituar ose, thjesht, prej frikës: në atë rast do ta ketë braktisur for­mën e nacionalizmit që është më e lehtë për ta përve­tësuar, pa iu afruar më shumë një botëkuptimi të vër­tetë internacionalist. Ai ende e ndien nevojën për një atdhe dhe është e natyrshme që ta kërkojë një të tillë diku jashtë vendit. Pasi ta ketë gjetur, mund të zhytet pa kufizim pikërisht në ato emocione nga të cilat beson se është shkëputur. Zoti, mbreti, perandoria, flamuri britanik – të gjithë idhujt e përmbysur mund të rishfa­qen me emra të ndryshëm dhe për shkak se nuk njihen për atë që janë, mund të adhurohen me ndërgjegje të qetë. Nacionalizmi i zhvendosur, si përdorimi i kokave të turkut, është një mënyrë për ta shpëtuar shpirtin pa ndryshuar sjelljen.

Indiferenca ndaj realitetit. Të gjithë nacionalistët kanë fuqinë të mos shohin ngjashmëri midis një shumësie faktesh të ngja­shme. Një konservator britanik e mbron të drejtën e vetëven­dosjes në Evropë dhe e kundërshton në Indi pa pasur ndjenjën e mospërputhjes. Veprimet shihen si të mira ose të këqija, jo sipas natyrës së tyre, por sipas asaj se kush i kryen dhe nuk asnjë lloj ndjenje zemërimi për torturat, përdorimin e pengjeve, punën e detyruar, dëbimet masive, burgimet pa gjyq, falsifiki­met, atentatet, bombardimin e civilëve, i cili nuk e ndry­shon ngjyrën morale kur kryhet nga “tanët”. “Liberal News Chronicle” botoi, si shembull të barbarisë tron­ditëse, fotografi të rusëve të varur nga gjermanët, dhe më pas një ose dy vjet më vonë botoi duke ngjallur një valë të zjarrtë mbështetjeje pothuajse fotografi krejt të ngjashme të gjermanëve të varur nga rusët.[5]

E njëjta gjë ndodh me ngjarjet historike. Historia men­dohet kryesisht në pikëpamje nacionaliste, dhe gjëra të tilla si Inkui­zicioni, torturat e Dhomës së Yjeve,[6] bëmat e mashtruesve anglezë (Sër Frensis Drejk), për shembull, i cili ishte i dhënë pas fundosjes së të burgo­surve të gjallë spanjollë), mbretërimi i terrorit,[7] heronjtë e kryengritjes[8] që armatosën qindra indianë, ose ushtarët e Kromuellit që presin me brisk fytyrat e grave irlandeze, priten me reagim asnjanës në aspektin moral apo edhe lavdërohen kur mendohet se janë bërë për kauzën “e duhur”.

Nëse hedhim shikimin pas një çerek shekulli, shihet se nuk ka pasur thuajse një vit të vetëm kur nuk janë raportuar histori të mizorive të ndodhura në një pjesë të botës dhe, megjithatë, në asnjë rast të vetëm këto mizori nuk kanë ndodhur në Spanjë, Rusi, Kinë, Hungaria, Meksikë, Amritsar[9], Smirna,[10] të cilat janë pranuar se kanë ndodhur ose janë hedhur poshtë nga shtresa intelektuale angleze në tërësi. Nëse veprime të tilla ishin të dënueshme, apo edhe nëse kanë ndodhur, përcaktohej gjith­monë sipas prirjes politike të kohës.

Nacionalisti jo vetëm që nuk kundërshton asnjë mizori të kryer nga ana e tij, por ka një aftësi të jashtëzakon­shme për të mos dëgjuar për to. Për gjashtë vjet me radhë, admiruesit anglezë të Hitlerit nuk pranuan të mësojnë për ekzistencën e Dachau-t[11] dhe Buchenwald-it.[12] Dhe më të zëshmit në denoncimin e kam­peve gjer­mane të përqendrimit shpesh nuk janë të vetëdijshëm, ose nuk janë shumë të vetëdijshëm se ka kampe përqen­drimi edhe në Rusi. Ngjarje të mëdha si zia e bukës në Ukrainën e vitit 1933, e cila shkaktoi vdekjen e miliona njerëzve, i ka shpë­tuar vëmendjes së shumicës së ruso­filëve anglezë.

Shumë anglezë nuk kanë dëgjuar thuajse asgjë për shfarosjen e hebrenjve gjermanë dhe polakë gjatë luftës së tanishme. Vetë antisemitizmi i tyre ka bërë që ky krim i madh të brofë nga vetëdija e tyre. Në mendimin nacionalist ka fakte që janë të vërteta dhe të pavërteta, të njohura dhe të panjohura. Një fakt i njohur mund të jetë aq i padurueshëm sa rëndom lihet mënjanë duke mos e lejuar të bëhet pjesë e proceseve logjike, ose nga ana tjetër mund të bëhet pjesë e çdo përllogaritjeje dhe, megji­thatë, të mos pranohet kurrë si fakt, qoftë edhe në mendjen tënde.

Çdo nacionalist përndiqet nga besimi se e kaluara mund të ndryshohet. Ai e kalon një pjesë të kohës në një botë të fan­tazuar në të cilën gjërat ndodhin ashtu siç duhet të ndodhin, një botë ku, për shembull, flota spanjolle ngadhënjeu ose Revo­lucioni Rus u shtyp më 1918, dhe ai zhvendos fragmente të kësaj bote në librat e historisë kurdo që është e mundur. Pjesa më e madhe e shkrimeve propagandistike të kohës sonë përbën një falsifikim të hapur. Faktet materiale shtypen, datat ndry­shohen, citatet hiqen nga konteksti dhe rregullohen në mënyrë që ta ndryshojnë kuptimin e tyre. Ngjarjet që mendohet se nuk duhej të kishin ndodhur, nuk përmen­den dhe në fund fare mohohen.[13]

Në vitin 1927 Chiang Kai-Shek[14] ziente të gjallë qindra komu­nistë, e megjithatë brenda dhjetë vjetësh u bë një nga heronjtë e të Majtës. Rigrupimi i politikës botërore e kishte futur në kampin antifashist dhe kështu u krijua përshtypja se zierja e komunistëve “nuk kishte rëndësi”, ose ndoshta s’kishte ndo­dhur. Qëllimi kryesor i propa­gandës pa dyshim që është të ndikojë në opinionin bashkë­kohor, por ata që e rishkruajnë historinë ndoshta me një pjesë të mendjes së tyre besojnë se në të vërtetë po i flakin faktet në të kaluarën. Nëse shqyrtojmë falsi­fikimet e hollësishme të bëra për të treguar se Trocki s’luajti ndonjë rol të madh në Luftën Civile Ruse, është e vështirë të ndiesh se njerëzit përgjegjës thjesht gënjejnë dhe kaq. Me shumë mundësi ata mendojnë se versioni i tyre ishte ajo që ndodhi në sytë e Perëndisë dhe se kjo i përligjë ata për ta bërë përshtatjen e të dhënave në përputhje me rrethanat.

Indiferenca ndaj të vërtetës objektive nxitet nga izo­limi i një pjese të botës nga një tjetër, gjë që e bën gjithnjë e më të vështirë zbulimin e asaj që po ndodh në të vërtetë. Shpesh mund të lind një dyshim i vërtetë për ngjarjet më të mëdha. Për shembull, është e pamundur të llogaritet me miliona, ndoshta edhe me dhjetëra mil­iona, numri i vdekjeve të shkaktuara nga lufta e tani­shme. Fatkeqësitë që raportohen vazhdimisht – betejat, masakrat, zitë e bukës, revolucionet – priren të frymë­zojnë te njeriu i zakonshëm ndjenjën e jorealitetit. Nuk ka asnjë mënyrë për t’i verifikuar faktet, madje nuk je plotësisht i sigurt se ato kanë ndodhur dhe gjithmonë përballesh me interpretime krej­tësisht të ndryshme nga burime të ndryshme. Cilat ishin vepri­met e drejta dhe të gabuara gjatë kryengritjes së Varshavës në gusht 1944? A është e vërtetë ekzistenca e furrave gjermane me gaz në Poloni? Kush ishte vërtet fajtor për zinë e bukës në Bengal? Ndoshta e vërteta mund të zbulohet, por faktet do të përshkruhen në mënyrë kaq të pander­shme thuajse në çdo gazetë, saqë lexuesit të zakonshëm mund t’i falet ose kapërdirja e gënjeshtrave ose pamun­dësia për të krijuar një opinion. Pasi­guria e përgjith­shme për atë që po ndodh realisht e bën më të lehtë të besosh gjëra të çmendura.

Meqenëse asgjë nuk është vërtetuar apo kundërshtuar plotë­sisht, fakti më i pagabueshëm mund të mohohet me paturpë­sinë më të madhe. Për më tepër, edhe pse mendon pafundësisht për pushtet, fitore, humbje, hak­marrje, nacionalisti shpesh është në një farë mënyre i painteresuar për atë që ndodh në botën reale. Ajo që ai dëshiron është të ndiejë se doktrina e tij po del më mirë se një doktrinë tjetër, dhe ai mund ta bëjë këtë më lehtë duke sulmuar kundërshtarin sesa duke shqyrtuar faktet për të parë nëse faktet e mbështesin atë që ai thotë. Të gjitha mospajtimet nacionaliste janë në nivelin e shoqë­risë debatuese. Gjithmonë është tërësisht e pasigurt, pasi çdo garues ka bindjen e palëkundur se ka korrur fitoren. Disa nacionalistë nuk janë larg skizofrenisë, pasi jetojnë shumë të lumtur mes ëndrrave për pushtet dhe pushtim, të cilat s’kanë asnjë lidhje me botën fizike.

Kam shqyrtuar sa më mirë që kam mundur shprehitë e nguli­tura të të menduarit që janë të përbashkëta për të gjitha format e nacionalizmit. Gjëja tjetër që kam bërë është klasifikimi i këtyre shprehive, por nuk disku­tohet që kjo s’mund të bëhet në mënyrë gjithëpër­fshirëse. Nacionalizmi është temë shumë e gjerë. Bota është e sfilitur nga iluzionet dhe zhgënjimet e panu­mërta që i mbivendosen njëra-tjetrës në një mënyrë jashtë­zakonisht të ndërlikuar, dhe disa nga më të kob­shmet prej tyre ende nuk kanë lënë asnjë shenjë në vetëdijen evropiane. Në këtë ese merrem me çështjen e nacionalizmit ashtu siç ndodh në mesin e intelektu­alëve anglezë. Tek ta, shumë më shpesh sesa te angle­zët e zakonshëm, nacionalizmi nuk është i përzier me patriotizmin dhe për këtë arsye mund të studiohet në mënyrë të thelluar. Më poshtë janë renditur llojet e naciona­lizmit që lulëzojnë tani në mesin e intelektua­lëve anglezë, me komente që më janë dukur të nevoj­shme. Është e volitshme të përdorim tre shënjues: “pozitiv”, “i zhvendosur” dhe “negativ”, megjithëse disa lloje përshtaten në më shumë se një kategori:

NACIONALIZMI POZITIV

  1. Neo-torizmi. Shembuj të tij janë personalitete si Lord Elton, A. P. Herbert, G. M. Jang, profesor Pikthorn, veprimtarë të Komitetit të Reformës së Torëve dhe autorë shkrimesh në revista si “New English Review” dhe “Nineteenth Century and After”. Forca reale motivuese e neo-torizmit, që i jep karakte­rin naciona­list dhe e dallon nga konservatorizmi i zakonshëm, është dëshira për të mos pranuar se fuqia dhe ndikimi britanik kanë rënë. Edhe ata që janë aq realistë sa ta kuptojnë se pozi­cioni ushtarak i Britanisë nuk është ai që ishte, priren të mëtojnë se “idetë angleze” (zako­nisht të papërcaktuara) duhet ta dominojnë botën. Të gjithë neo-toristët janë anti-rusë, por ndonjëherë theksi kryesor është anti-amerikan. Më e rëndësi­shmja është se kjo shkollë mendimi duket se po fiton terren mes intelektualëve të rinj, nganjëherë ish-komunistë, të cilët kanë qenë pjesë e procesit të zakonshëm të zhgënjimit dhe janë zhgë­njyer me këtë. Anglofobia që befas bëhet në mënyrë të dhun­shme pro-britanike është një dukuri më se e zakonshme. Shkrim­tarët që ilustrojnë këtë prirje janë F. A. Voigt, Malkolm Magërixh, Evelin Vou, Hju Kingsmill dhe një zhvillim i ngjashëm psiko­logjik mund të vërehet te T. S. Eliot, Uindëm Luis dhe ndjekës të ndryshëm të tyre.
  2. Nacionalizmi kelt. Nacionalizmi uellsian, irlandez dhe skocez kanë pika dallimi, por janë të ngjashëm në orientimin e tyre anti-anglez. Anëtarët e të tre lëvizjeve e kanë kundërshtuar luftën, ndërsa vazhdojnë ta për­shkruajnë veten si pro-rus, dhe skaji më ekstrem madje mëton në mënyrë të pamendueshme të jetë njëkohësisht pro-rus dhe pro-nazist. Por nacionalizmi kelt nuk është e njëjta gjë me anglofobinë. Forca e tij motivuese është besimi në madhështinë e së kaluarës dhe të së ardhmes së popujve keltë, dhe ka një ngjyrim të fortë racizmi. Kelti mendo­het të jetë shpirtërisht superior ndaj sak­sonit, më i thjeshtë, më krijues, më pak vulgar, më pak snob etj. – por uria e zakonshme për pushtet fshihet nën sipërfaqe. Një simptomë e saj është iluzioni se Irlanda, Skocia apo edhe Uellsi mund ta ruanin pavarësinë të pandihmuar dhe nuk i detyrohen asgjë mbrojtjes brita­nike. Midis shkrimtarëve, shembuj të mirë të kësaj shkolle mendimi janë Hju MekDiërmid dhe Shon O’Kejsi. Asnjë shkrimtar modern irlandez, qoftë edhe i shtatit të Jejtsit apo Xhojsit, nuk është plotësisht i çliruar nga gjurmët e naciona­lizmit.
  3. Sionizmi. Ai ka tiparet e zakonshme të një lëvizjeje naciona­liste, por varianti amerikan duket të jetë më i dhunshëm dhe i keq se britaniku. Unë e klasifikoj si nacionalizëm të drejt­përdrejtë dhe jo të zhvendosur, sepse lulëzon pothuajse vetëm midis vetë hebrenjve. Në Angli, për disa arsye deri diku të papajtueshme mes tyre, shtresa e intelektualëve është më së shumti pro-hebreje për çështjen e Palestinës, por nuk kanë ndjenja të forta për këtë çështje. Të gjithë anglezët e vullnetit të mirë janë gjithashtu pro-hebrenj në aspektin e mosmi­ratimit të persekutimit nazist. Por çdo shfaqje e tanishme besnikërie nacio­naliste, apo besimi në epërsinë e lindur të hebrenjve, vështirë të gjendet mes jo-hebrenjve.

NACIONALIZMI I ZHVENDOSUR

  1. Komunizmi
  1. Katolicizmi politik
  1. Ndjenja e ngjyrës së lëkurës. Qëndrimi përçmues i stilit të vjetër ndaj “vendasve” është dobësuar shumë në Angli dhe teoritë e ndryshme pseudo-shkencore që theksojnë epërsinë e racës së bardhë janë braktisur.[15] Te shtresa e intelektualëve, ndjenja e ngjyrës shfaqet vetëm në for­mën e këmbyer, d.m.th. si besim në epërsinë e lindur të racave me ngjyrë. Kjo tani po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në mesin e intelektualëve anglezë, ndoshta më shpesh si pasojë e mazokizmit dhe ndjenjës së pafu­qisë seksuale sesa nga kontakti me lëvizjet nacionaliste orientale dhe zezake. Edhe tek ata që s’kanë ndjesi të forta për çështjen e ngjyrës së lëkurës, snobizmi dhe imitimi kanë ndikim të fuqishëm. Pothuajse çdo inte­lektual anglez do të skandali­zohej nga mëtimi se racat e bardha janë superiore ndaj atyre me ngjyrë, ndërsa pohimi i kundërt do t’i dukej i papranueshëm edhe nëse nuk ishte dakord me të. Qasja nacionaliste ndaj racave me ngjyrë zakonisht ngatërrohet me besimin se jetët e tyre seksuale janë superiore dhe ekziston një mitologji e madhe e nëndheshme rreth aftësive seksuale të zeza­këve.
  1. Ndjenja e klasës shoqërore. Kjo ndjenjë ushqehet midis intele­ktualëve të shtresës së lartë dhe të mesme, por në formën e këmbyer, pra si besim në epërsinë e proletariatit. Edhe në këtë rast, në shtresën e intelektu­alëve, trysnia e opinionit publik është e pakapërcye­shme. Besnikëria nacionaliste ndaj proletar­iatit, dhe urrejtja më e egër teorike ndaj borgjezisë, mundet dhe shpesh bashkëjeton me snobizmin e zakonshëm të jetës së përditshme.
  1. Pacifizmi. Shumica e pacifistëve ose i përkasin sek­teve të errëta fetare ose janë thjesht humanitarë që kundërshtojnë marrjen e jetës dhe parapëlqejnë të mos ndjekin mendimet e tyre përtej asaj pike. Por ka një pakicë pacifistësh intelektualë, motivi i vërtetë, por i papranuar i të cilëve duket të jetë urrejtja ndaj demo­kracisë perëndimore dhe admirimi për totalitari­zmin. Propaganda pacifiste zakonisht përfundon duke thënë se njëra palë është po aq e keqe sa tjetra, por nëse ti shikon nga afër shkrimet e pacifistëve intelektualë më të rinj, zbulon se ata në asnjë mënyrë nuk shprehin mosmiratim të paanshëm, por janë orientuar pothuajse tërësisht kundër Britanisë dhe Shte­teve të Bashkuara. Për më tepër, ata si rregull nuk e dënojnë dhunën si të tillë, por vetëm dhunën e përdorur në mbrojtje të ven­deve perëndimore.

Rusët, ndryshe nga britanikët, nuk fajësohen që mbrojnë veten me mjete luftarake dhe, në të vërtetë, e gjithë pro­paganda paci­fiste e këtij lloji shmang përmendjen e Rusisë apo Kinës. Nuk mëtohet, përsëri, se indianët duhet të heqin dorë nga dhuna në luftën kundër brita­nikëve. Literatura pacifiste është e mbushur me komente të dykuptimshme, të cilat, nëse kanë ndonjë kup­tim, duket se nënkuptojnë se shtetarët e tipit të Hitlerit janë të parapëlqyer krahasuar me ata të tipit të Çërçillit dhe se dhuna është ndoshta e përligjur nëse është vërtetë e tillë.

Pas rënies së Francës, pacifistët francezë, të përballur me një zgjedhje reale që kolegët e tyre anglezë nuk ishin të detyruar ta bënin, zgjodhën më së shumti nazistët dhe në Angli duket se ka pasur mbivendosje të vogël anëtarësimesh midis organizatës pacifiste të Unionit të Betimit të Paqes dhe këmishëzinjve. Shkrimtarët paci­fistë kanë shkruar lëvdata për Karlajlin, një prej etërve intelektualë të fashizmit. Në përgjithësi, është e vësh­tirë të mos ndiesh se pacifizmi, ashtu si shfaqet te një pjesë e intelektualëve, fshehurazi frymëzohet nga admi­rimi për push­tetin dhe mizorinë e suksesshme. Gabimi u bë duke ia bashkë­ngjitur këtë emocion Hitlerit, por mund të rizhvendosej lehtë­sisht.

NACIONALIZMI NEGATIV

  1. Anglofobia. Në radhët e intelektualëve, një qëndrim përqe­shës dhe disi armiqësor ndaj Britanisë është pak a shumë i dety­rueshëm, por në shumë raste nuk është aspak emocion shtira­cak. Gjatë luftës ajo u shfaq te ndjenja disfatiste e intelektu­alëve, të cilët vazhduan shumë kohë pasi u bë e qartë se fuqitë e Boshtit nuk mund të fitonin. Shumë njerëz e shprehën hapur këna­qësinë kur ra Singapori ose kur britanikët u dëbuan nga Greqia, dhe nuk pati aspak gatishmëri për të besuar lajmet e mira, p.sh. betejat e El Alameinit në Egjipt që shënoi fundin e fuqive të Boshtit në Afrikën e Veriut, ose numrin e avionëve gjermanë të rrëzuar në Betejën e Britanisë. Intelektualët e majtë anglezë, natyrisht, s’donin që gjermanët apo japonezët ta fitonin luftën, por shumë prej tyre nuk mund të ndienin një lloj këna­qësie kur shihnin vendin e tyre të poshtëruar dhe donin të mendonin se fitorja përfundimtare do të arrihej për shkak të Rusisë ose, ndoshta, Amerikës, dhe jo për shkak të Britanisë. Në politikën e jashtme shumë intelektualë ndjekin parimin se çdo fraksion i mbështetur nga Bri­tania duhet të jetë në gabim. Si rezultat, opinioni i “ilu­minuar” është më së shumti pasqyrë e politikës konser­vatore. Anglofobia është gjithmonë e prirë të kthehet në të kundërtën e saj, prandaj ndodh ky spektakël më se i zakonshëm, kthimi i pacifistit të një lufte në luftë­dashës të një tjetre.
  1. Antisemitizmi. Aktualisht ka pak prova për këtë, sepse perse­kutimet naziste e kanë bërë të nevojshme që çdo njeri që mendon ta mbajë anën e hebrenjve kundër shtypësve të tyre. Kushdo që është aq i arsimuar sa të ketë dëgjuar fjalën “anti­semitizëm” mëton të mos e mbështesë, ndërsa komentet anti-hebreje janë zhdukur me kujdes nga të gjitha tekstet e letërsisë. Në fakt, anti­semitizmi duket se është i përhapur edhe në mesin e intelektualëve, dhe përbetimi i përgjithshëm i heshtjes ndoshta nxit përkeqësimin e tij. Njerëzit e mendimeve të majta nuk janë të imunizuar dhe qëndrimi i tyre ndo­njëherë ndikohet nga fakti se trockistët dhe anarkistët del të jenë hebrenj. Por antisemi­tizmi ndodh më natyr­shëm tek ata që kanë prirje konservatore, dhe dyshojnë se hebrenjtë po dobësojnë moralin kombëtar dhe po e zbehin kulturën kombëtare. Neo-toristët dhe katolikët politikë janë gjithmonë të prirë t’i nënshtrohen anti­semitizmit, të paktën herë pas here.
  1. Trockizmi. Fjala përdoret me kuptim aq të gjerë sa përfshin anarkistët, socialistët demokratë dhe madje edhe liberalët. Unë e përdor këtu për të nënkuptuar një marksist dogmatik, motivi kryesor i të cilit është armi­qësia ndaj regjimit të Stalinit. Troc­kizmi mund të stu­diohet më mirë në pamflete të errëta ose në gazeta si apeli socialist sesa në veprat e vet Trockit, i cili nuk ishte aspak njeri i një ideje të tillë. Edhe pse në disa vende, për shembull në Shtetet e Bashkuara, trockizmi është në gjendje të tërheqë një numër mjaft të madh ndjekësish dhe të zhvillohet në një lëvizje të organizuar me një Fyhrer të vogël të vetin, frymëzimi i tij është në thelb negativ. Trockisti është kundër Stalinit ashtu siç është komunisti për të dhe, si shumica e komunistëve, ai nuk dëshiron edhe aq shumë ta ndryshojë botën e jashtme sesa të ndiej se beteja për prestigj po shkon në favor të tij. Në secilin rast ekziston e njëjta idengulitje e përher­shme për një temë të vetme, e njëjta paaftësi për të formuar një opinion të vërtetë racional të mbësh­tetur në gjasat që diçka të ndodhë. Fakti që trockistët janë kudo një pakicë e persekutuar dhe akuza që zako­nisht bëhet kundër tyre për bashkëpunim me fashistët, është absolutisht e rreme, krijon përshtypjen se troc­kizmi është intelektualisht dhe moralisht superior ndaj komu­nizmit, por është e dyshimtë nëse ka shumë ndry­shim mes tyre. Trockistët më tipikë, në çdo rast, janë ish-komunistë, dhe askush s’arrin te trockizmi përveçse me anë të një prej lëvizjeve të majta. Asnjë komunist, nëse nuk është i lidhur me partinë e tij me vite të tëra zakoni, nuk është i mbrojtur nga kalimi i papritur në trockizëm. Procesi i kundërt duket se ndodh po aq shpesh, megjithëse s’ka asnjë arsye të qartë pse jo.

Në klasifikimin që kam provuar të bëj më sipër, mund të duket se shpesh e kam zmadhuar, ose thjeshtëzuar tepër, kam bërë supozime të papërligjura dhe s’kam llogaritur ekzistencën e motiveve të sinqerta. Kjo ishte e pashmangshme, sepse në këtë ese synoj të veçoj dhe njëjtësoj prirjet që ekzistojnë në mendje të cilat e shtrem­bërojnë të menduarit, gjë që s’do të thotë se këto prirje janë gjithmonë të qarta ose se veprojnë vazhdi­misht. Në këtë pikë është e rëndësishme të korrigjohet tabloja e tejthjeshtëzuar që isha detyruar të krijoj.

Para së gjithash, ne s’kemi të drejtë të supozojmë se të gjithë, madje edhe çdo intelektual, është molepsur nga nacionalizmi.

Së dyti, nacionalizmi mund të jetë i kohëpaskohshëm dhe i kufizuar. Një njeri inteligjent mund t’i nënshtro­het pjesërisht një bindjeje që e tërheq, por që ai e di se është absurde, dhe ai mund ta largojë nga mendja për periudha të gjata, duke iu rikthyer vetëm në çaste zemë­rimi apo sentimentalizmi, ose kur është i sigurt se nuk ka të bëjë me asnjë çështje të rëndësishme.

Së treti, një kredo nacionaliste mund të përvetësohet me mirëbesim duke u nisur nga motive që nuk janë nacionaliste.

Së katërti, tek i njëjti individ mund të bashkëjetojnë disa lloje nacionalizmi, madje edhe të kundërt me njëri-tjetrin.

Gjatë gjithë kohës kam thënë se “’nacionalisti bën këtë” ose “nacionalisti bën atë”, duke përdorur për qëllime ilustrimi llojin më ekstrem, nacionalistin që nuk është normal që s’ka zona neutrale në mendje, dhe s’i inte­reson asgjë përveç luftës për pushtet. Në të vërtetë njerëz të tillë janë shumë të zakon­shëm, por me ata nuk ia vlen të merresh. Në jetën reale, Lord Elton, D. N. Pritt, Ledi Hjustën, Ezra Pound, Lord Vansitart, At Koglini dhe gjithë pjesa tjetër e klanit të tyre ogurzi duhet të luftohen, por mangësitë e tyre intelektuale zor se kanë nevojë të theksohen.

Paranoja nuk është interesante dhe fakti që asnjë nga nacio­nalisët më fanatikë s’mund të shkruajë një libër që ia vlen të lexohet disa vjet më vonë, ka një efekt të cak­tuar pastrues. Por kur pranohet se nacionalizmi s’ka ngadhënjyer kudo, se ka ende njerëz, gjykimet e të cilëve nuk janë në mëshirë të dëshirave të tyre, mbetet fakt që problemet e ngutshme, – India, Polonia, Palestina, Lufta Civile e Spanjës, gjyqet në Moskë, zezakët amerikanë, pakti ruso-gjerman[16] apo çfarë do gjëje tjetër – s’mund të diskutohen, ose të paktën s’mund të diskutohen kurrë, në një nivel të arsyeshëm. Eltonët, Pritsët dhe Koglinët, secili një fjalaman që përsërit pa pushim të njëjtën gënjeshtër, përbëjnë pa dyshim raste ekstreme, por mashtrojmë veten nëse s’e kuptojmë se të gjithë mund t’u ngjajmë në çaste kur nuk tregohemi syçelët. Le të theksohet kjo ide, le ta luftojmë, ndërsa mund të jetë një pikë e dobët ekzistenca e së cilës s’është vënë në dyshim deri më tani – dhe njeriu më i drejtë dhe më i dashur mund të shndërrohet befas në një fanatik të egër, i shqetësuar vetëm e vetëm për ta “denigruar” kundërshtarin pa e vrarë aspak mendjen për gënjeshtrat që thotë ose gabimet logjike që po bën për shkak të atyre gënjeshtrave. Kur Lloid Xhorxh, kundërshtar i Luftës së Boerëve,[17] deklaroi në Dhomën e Komuneve se komunikatat britanike, në tërësi, mëtonin vrasjen e më shumë boerëve sesa përmbante i gjithë kombi boer, është regjistruar se Arthur Balfour u ngrit në këmbë dhe bërtiti “Maskara!” Shumë pak njerëz tregonin me prova gabime të këtij lloji. Zezaku i fyer nga një grua e bardhë, anglezi që dëgjon Anglinë të kritikuar prej padijes nga një amerikan, apo­logjeti katolik që kujton flotën spanjolle, të gjithë do të reagojnë pak a shumë në të njëjtën mënyrë. Një ngacmim i nervave të nacio­nalizmit, dhe ndershmëria intelektuale mund të zhduket, e kaluara mund të ndryshohet dhe faktet më të qarta mund të mohohen.

Nëse në një skutë të mendjes ushqehet një besnikëri ose urrej­tje nacionaliste, disa fakte të caktuara, edhe pse në një kuptim të njohura si të vërteta, janë të papra­nueshme. Këtu janë vetëm disa shembuj. Më poshtë po rendis pesë lloje nacionalistësh dhe për secilin shtoj një fakt të cilin ai lloj nacionalisti e ka të pamundur ta pranojë, qoftë edhe në mendimet e tij të fshehta:

Tori britanik. Britania do të dalë nga kjo luftë me fuqi dhe prestigj të zvogëluar.

Komunisti. Nëse s’do të ishte ndihmuar nga Britania dhe Amerika, Rusia do të kishte pësuar disfatë nga Gjermania.

Nacionalisti irlandez. Irlanda mund të mbetet e pavarur vetëm për shkak të mbrojtjes britanike.

Trockisti. Regjimi i Stalinit pranohet nga masat ruse.

Pacifisti. Ata që mohojnë dhunën e bëjnë vetëm ngaqë të tjerët po ushtrojnë dhunë në emrin e tyre.

Të gjitha këto fakte janë jashtëzakonisht të dukshme nëse nuk ndërhyjnë emocionet: por për këtë individ në secilin rast edhe ato janë të patolerueshme, dhe duhet të mohohen, kësisoj krijo­hen teoritë e rreme për mohi­min e tyre.

Po i kthehem sërish dështimit befasues të parashi­kimit të zhvillimeve ushtarake në luftën e tanishme. Mendoj se është e vërtetë të thuhet se intelektualët kanë gabuar më shumë për ecurinë e luftës sesa njerëzit e thjeshtë dhe se ata ishin më të prekur nga ndjenjat në përkrahje të saj. Intelektuali mesatar i së majtës besonte, për shembull, se lufta ishte e humbur në vitin 1940, se gjermanët ishin të detyruar ta pushtonin Egjiptin në vitin 1942, se japonezët s’do të dëboheshin kurrë nga tokat që kishin pushtuar dhe se ofensiva anglo-ameri­kane e bombardi­meve amerikane s’po i bënte asnjë përshtypje Gjermanisë.

Mund t’i besonte këto gjëra sepse urrejtja e tij ndaj klasës sunduese britanike e pengoi të pranonte se planet britanike mund të kishin sukses. Nuk ka kufi për marrëzitë që mund të kapërdihen nëse dikush është nën ndikimin e ndjenjave të këtij lloji. Kam dëgjuar të thuhet me siguri, për shembull, se trupat amerikane nuk ishin sjellë në Evropë për t’i luftuar gjermanët, por për të shtypur një revolucion anglez. Njeriu duhet t’i për­kasë shtresës së intelektualëve për të besuar gjëra të tilla: asnjë njeri i zakonshëm s’mund të jetë kaq budalla.

Kur Hitleri pushtoi Rusinë, zyrtarët e Ministrisë së Informa­cionit përhapën “si dokument informues” para­lajmërimin se Rusia pritet të mposhtet për gjashtë javë. Nga ana tjetër, komu­nistët e shihnin çdo fazë të luftës si fitore ruse, edhe kur rusët u zmbrapsën pothuajse deri në Detin Kaspik dhe kishin humbur miliona të burgosur. Nuk është e nevojshme të shumëfishojmë shembujt. Çështja është se sapo bëhet fjalë për frikën, urrejtjen, xhelozinë dhe adhurimin e pushtetit, ndjenja e realitetit hum­bet. Dhe, siç e kam theksuar, humbet edhe ndjenja e së drejtës dhe së gabuarës. Nuk ka asnjë krim, absolutisht asnjë, që nuk mund të falet kur e kryen pala “jonë”. Edhe nëse nuk mohohet që krimi ka ndodhur, edhe nëse dihet se saktësisht i njëjti krim është dënuar në ndonjë rast tjetër, edhe nëse pranohet në një kuptim intelektual se është i papërligjur – prapë­seprapë nuk ndihet se është gabim. Ndjenja e besni­kërisë asgjëson atë të keqardhjes.

Arsyeja për ngritjen dhe përhapjen e nacionalizmit është një pyetje shumë e gjerë për t’u parashtruar këtu. Mjafton të thuhet se, në format në të cilat shfaqet tek intelektualët anglezë, është pasqyrim i shtrembëruar i betejave të frikshme që ndodhin rea­lisht në botën e jashtme dhe se marrëzitë më të këqija kanë ndodhur: humbja e patriotizmit dhe besimit fetar. Nëse dikush ndjek këtë linjë mendimi, rrezikon të çohet drejt një lloj konser­vatorizmi, ose kuietizmi[18] politik. Mund të argu­mentohet në mënyrë të besueshme, për shembull – madje ndoshta dhe është e vërtetë – se patriotizmi është një vaksinë kundër naciona­lizmit, se monarkia është një roje kundër diktaturës dhe se feja e organizuar është rojë kundër besëtytnive. Ose sërish mund të argumen­tohet se asnjë pikëpamje e paanshme nuk është e mun­dur, se të gjitha besimet dhe shkaqet përfshijnë të njëjtat gënje­shtra, marrëzi dhe barbari; dhe kjo shpesh përdo­ret si një arsye për të qëndruar larg politikës.

Nuk e pranoj këtë argument, qoftë edhe vetëm sepse në botën moderne askush që përshkruhet si intelektual nuk mund të qëndrojë jashtë politikës në kuptimin që s’do t’ia dijë për këto çështje. Mendoj se njeriu duhet të përfshihet në politikë në kuptimin e gjerë të kësaj fjale, dhe se duhet të ketë parapëlqime: domethënë, të pranojë që disa shkaqe janë objektivisht më të mira se të tjerat, edhe nëse ato përparojnë me mjete po aq të këqija. Sa për dashuritë dhe urrejtjet nacionaliste për të cilat kam folur, ato janë pjesë e shumicës prej nesh, duam apo nuk duam. S’e di nëse është e mundur të shpëtojmë prej tyre, por besoj fort se është e mundur t’i luftojmë dhe se kjo përbën në thelb një përpjekje morale. Para së gjithash, bëhet fjalë për të zbuluar se çfarë je ti në të vërtetë, cilat janë ndjenjat e tua të vërteta, dhe pastaj për të pranuar se është e pashmangshme të mos kesh paragjykime. Nëse e urren dhe ke frikë Rusinë, nëse je xheloz për pasurinë dhe fuqinë e Amerikës, nëse i përbuz hebrenjtë, nëse ke ndjenjë inferioriteti ndaj klasës sunduese britanike, s’mund t’i largosh këto ndjenja thjesht duke menduar për to. Por mundesh të paktën të kuptosh se i ke ato dhe të mos lejosh të helmojnë pro­ceset e tua mendore. Dallgët emocionale të cilat janë të pashmangshme dhe, ndoshta, edhe të nevojshme për veprimin politik, duhet të jenë në gjendje të ekzistojnë krah për krah me pranimin e realitetit. Por kjo, e përsë­ris, kërkon një përpjekje morale dhe letërsia bashkë­kohore angleze, për aq sa bëhet e gjallë për çështjet kryesore të kohës sonë, tregon se sa pak prej nesh janë të përgatitur për t’ia dalë mbanë.

Shkruar në maj 1945, botuar te Polemics, nr. 1,

Londër, tetor 1945

[1] Kombet, madje edhe organizma më të paqarta si Kisha Katolike ose proletariati, zakonisht mendohen si individë dhe shpesh përmenden si “ajo”. Komente krejt absurde si “Gjermania është natyrshëm tradhtare” gjenden në çdo gazetë sot dhe përgjithësime të pamatura për karakterin kombëtar (“Spanjolli është një aristokrat i lindur” ose “Çdo anglez është hipokrit”) thuhen gati nga të gjithë. Herë pas here këto përgjithësime shihen si të pabaza, por zakoni për t’i bërë vazhdon, dhe njerëz që mëtojnë të kenë botëkuptim ndërkombëtar, p. sh. Tolstoi ose Bernard Shou, shpesh janë fajtorë për to.

[2] Disa shkrimtarë me prirje konservatore, si Peter Drucker, parashikuan marrëveshje midis Gjermanisë dhe Rusisë, por prisnin një aleancë të vërtetë ose bashkim të plotë që do të ishte e përhershme. Asnjë shkrimtar marksist apo ndonjë shkrimtar tjetër i majtë, i çfarëdo ngjyre politike qoftë, nuk e çoi ndër mend Paktin.

[3] Gabime të tilla si gjykimi i vijës Maginot si e pacenueshme, apo para­shikimi i pushtimit të Gjermanisë nga Rusia për tre muaj, nuk ka arritur ta dëmtojë autoritetin e tyre sepse kanë thënë gjithmonë atë që publiku ka dashur të dëgjojë. Dy kritikët ushtarakë më të pëlqyer nga intelektualët janë Liddel Hart dhe gjeneralmajor Fuler. I pari na mëson se mbrojtja është më e fortë se sulmi, i dyti se sulmi është më i fortë se mbrojtja. Pavarësisht nga kjo kundërthënie, ata vazhdojnë të jenë të pranueshëm si autoritete nga i njëjti publik. Arsyeja e fshehtë e popullaritetit të tyre në qarqet e majta është se të dy janë në kundërshtim me Ministrinë e Mbrojtjes së Anglisë. Analistët ushtarakë të shtypit masiv mund të klasifikohen përgjithësisht si pro-rus ose anti-rus, pro-reaksionarë ose kundër-reaksionarë.

[4] Disa amerikanë kanë shprehur pakënaqësi sepse “anglo-amerikan” është forma normale e kombinimit për këto dy fjalë. Është propozuar për ta zëvendësuar “amerikano-britanike”.

[5] “News Chronicle” i këshilloi lexuesit t’i shihnin sekuencat televizive, dëshmi e ekzekutimit, me pamje nga afër. “The Star” publikoi, me sa duket pasi mori leje, fotografi të kolaboracionisteve femra pothuajse të zhveshura duke u sulmuar nga turma në Paris. Këto fotografi kishin ngjashmëri të dukshme me fotografitë naziste të hebrenjve të sulmuar nga turma në Berlin.

[6] Gjykatë angleze e juridiksionit civil dhe penal në fund të shekullit 15, që gjykonte veçanërisht ato çështje që preknin interesat e kurorës mbretërore e cila u shqua për gjykimet arbitrare dhe shtypëse dhe u shfuqizua më 1641. (Shënim i përkthyesit).

[7] Periudhë shtypjeje apo gjakderdhjeje e pamëshirshme, veçanërisht periudha e terrorit gjatë Revolucionit Francez. (Shënim i përkthyesit).

[8] Rebelimi indian i viteve 1857-1858 ishte një kryengritje e madhe kundër sundimit të kompanisë britanike të Indisë lindore, e cila funksiononte si fuqi sovrane në emër të Kurorës Britanike. (Shënim i përkthyesit).

[9] Qytet në shtetin Punjab në Indinë veriperëndimore, skena e një trazire në vitin 1919, në të cilën 400 vetë u vranë nga trupat britanike. (Shënim i përkthyesit).

[10] Qytet antik në bregun perëndimor të Azisë së Vogël, ku sot është Izmiri në Turqi. (Shënim i përkthyesit).

[11] Kamp përqendrimi nazist në Bavarinë jugore, nga 1933 deri më 1945. (Shënim i përkthyesit).

[12] Kamp përqendrimi nazist në Luftën e Dytë Botërore, pranë Vajmarit në Gjer­maninë lindore. (Shënim i përkthyesit).

[13] Një shembull është Pakti Ruso-Gjerman, i cili po fshihet sa më shpejt që të jetë e mundur nga kujtesa publike. Një korrespondent rus më informon se përmendja e Paktit është lënë jashtë nga përmbledhjet e botimeve të përvitshme në Rusi, të cilat pasqyrojnë ngjarjet e fundit politike.

[14] Chiang Kai-shek (1887-1975), politikan nacionalist kinez, revolu­cionar dhe udhëheqës ushtarak që shërbeu si udhëheqës i Republikës së Kinës nga viti 1928 deri në 1949 në Kinën kontinentale dhe më pas në Tajvan deri në vdekjen e tij në 1975. (Shënim i përkthyesit).

[15] Një shembull i mirë është besëtytnia nga goditja e diellit. Deri kohët e fundit besohej se racat e bardha ishin shumë më të prira ndaj goditjes së diellit sesa ato me ngjyrë, dhe se një burrë i bardhë s’mund të ecte i sigurt në rrezet e diellit tropikal pa një helmetë të rrumbullakët. S’kishte asnjë provë për këtë teori, por ajo i shërbeu qëllimit për ta theksuar dallimin midis “vendasve” dhe evropianëve. Gjatë luftës së tanishme, teoria u hodh poshtë në heshtje dhe ushtri të tëra manovrojnë në tropikë pa helmeta. Për sa kohë që besëtytnia e goditjes së diellit mbijetoi, mjekët anglezë në Indi duket se kanë besuar në të po aq fort sa laikët.

[16] Disa shkrimtarë me prirje konservatore si Piter Draker parashikuan një marrë­veshje mes Gjermanisë dhe Rusisë, por kishin pritshmëri për një aleancë të vërtetë dhe një bashkim që të do të ishte i përhershëm. Asnjë marksist ose shkrimtar i krahut të majtë apo i një ngjyrimi tjetër politik nuk e parashikoi paktin.

[17] Lufta në vitet 1899-1902 midis një aleance të qeverive Boer të Transvalit dhe Shtetit të Lirë të Oranzhit (zonë në Afrikën e Jugut qendrore, e vendosur në veri të lumit Oranzh) nga njëra anë dhe Britanisë së Madhe nga ana tjetër, mbi sovranitetin dhe të drejtat tregtare në këto toka. (Shënim i përkthyesit).

[18] Kuiteizmi në besimin e krishterë është meditim i devotshëm dhe braktisje e vullnetit si një formë e misticizmit fetar. (Shënim i përkthyesit).

Përktheu në shqipe nga anglishtja: Granit Zela. Marrë nga numri 25 i revistës “Akademia”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një dokument i rrallë i vitit 1949, rikthen në vëmendje…