
Shënohet 36-vjetori i grevës së madhe të minatorëve të vitit 1989
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, kanë marr pjesë në ngjarjen që shënoi 36-vjetorin e grevës së madhe të Minatorëve të vitit 1989, në Stan Tërg.
“Në zemrën e Kosovës, në thellësinë e tokës sonë, prej dekadash rreh fuqia e një emri që simbolizon pasurinë, punën, qëndrueshmërinë dhe të ardhmen: emri Trepça”, e ka nisur fjalën e tij kryeministri Kurti.
Ai ka thënë se Trepça nuk është thjesht një ndërmarrje, se ajo është shtylla e mijëra familjeve që çdo mëngjes mbështeten te puna e saj, duke krijuar një zinxhir që lidh të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë ekonomike dhe jo vetëm.
“Trepça ka ndihmuar edhe arsimin nëpërmjet zhvillimit. Pas Luftës së Dytë Botërore u themelua Shkolla e Mesme Teknike në Mitrovicë, e para e këtij lloji në Kosovë, qysh në vitin 1946, për përgatitjen e teknikëve profesionalë për Trepçën” Në vitet 1961-’62 u hap Shkolla e Lartë Teknike në Mitrovicë, duke u futur seksionet e xehetarisë dhe më vonë të metalurgjisë dhe të kimisë e në vitin 1974 u themelua Fakulteti i Xehetarisë dhe Metalurgjisë, që u bë qendër e rëndësisë akademike për zhvillimin industrial të Kosovës” ka thënë kryeministri Kurti.
Krahas zhvillimit të arsimit, kryeministri ka theksuar edhe rolin e rëndësishëm të Trepçës në zhvillimin e industrisë, si burimi kryesor i përpunimit të metaleve dhe furnitor me material bazë në dhjetë fabrika anembanë Kosovës. Historia ekonomike dhe politike e Kosovës nuk mund të kuptohet pa zhvillimin e Trepçës, ka thënë ai, teksa listoi fabrikat që dikur furnizoheshin me material bazë nga Trepça.
Duke folur për grevën e madhe të minatorëve të vitit 1989, ai veçoi pikën 8 nga 10 kërkesat e minatorëve e cila thoshte “fati i shqiptarëve në Kosovë e në Jugosllavi të shqyrtohet në Kombet e Bashkuara”, pra të ndërkombëtarizohej çështja e Kosovës dhe shqiptare në ish-Jugosllavi në përgjithësi.
“Në thelbin e përmbajtjes së tyre, kërkesat e minatorëve ishin kërkesa politike për ta mbrojtur gjithë Kosovën nga politikat shtypëse, shfrytëzuese dhe diskriminuese të Serbisë dhe përpjekjes së saj për degradimin e statusit të Kosovës nëpërmjet suprimimit të autonomisë. E gjatë atyre tetë ditëve, nga 20 shkurti e deri më 28 shkurt 1989, horizontet 8 dhe 9 të zgafelles së Xeherores së Stan Tërgut, u patën kthyer në llogore rezistence kundër politikave antishqiptare të Serbisë dhe të Jugosllavisë. Ditën e parë që minatorët dolën nga zgafella pasi që e ndërprenë grevën, pra bëhet fjalë për 1 mars të vitit 1989, autoritetet e Serbisë e mbyllën minierën dhe i arrestuan 15 persona që u burgosën nga 14 muaj secili prej tyre. Ndërkaq, pas tri javësh, më 23 mars 1989, Kosovës iu suprimua autonomia, kundër vullnetit të popullit tonë. Dhjetë vjet pasues qenë një dekadë e rezistencës më totale, njëherë paqësore e mandej edhe e armatosur, që rezultoi me çlirimin e Kosovës më 1999 dhe pavarësimin e saj më 2008”, la thënë Kurti.