Shënohet 60-vjetori i traktatit të mbrojtjes ndërmjet SHBA-së dhe Japonisë

19 janar 2020 | 14:18

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka shënuar 60-vjetorin e nënshkrimit të traktatit të sigurisë ndërmjet ShBA-së dhe Japonisë, duke bërë thirrje për thellimin e aleancës mes dy vendeve.

Në të kaluarën, presidenti Trump e kishte kritikuar këtë traktat.

“Teksa mjedisi i sigurisë vazhdon të evoluojë dhe shfaqen sfida të reja, është thelbësore që aleanca jonë të forcohet dhe thellohet më tej”, ka thënë Trumpi.

“Jam i bindur se në muajt dhe vitet e ardshme, kontributet e Japonisë për sigurinë tonë të ndërsjellë do të vazhdojnë të rriten dhe aleanca do të vazhdojë të lulëzojë”, ka thënë presidenti amerikan.

Në qershor të vitit 2019, gjatë një konference për medie në Japoni, Trumpi kishte deklaruar se ky traktat ishte “i padrejtë” dhe do të duhej të ndryshohej, duke mbështetur këtë në idenë e tij që Tokio duhet të paguajë më shumë për vendosjen e trupave amerikane në Japoni.

Më 17 janar, dy shtetet publikuan një deklaratë të përbashkët të ministrit të Jashtëm japonez, Toshimitsu Motegi dhe ministrit të Mbrojtjes Taro Kono si dhe të Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo dhe atij të Mbrotjes, Mark Esper, duke lavdëruar aleancën mes dy shteteve.

“Ndërsa nderojmë arritjet në 60 vjetët e fundit, ne ritheksojmë angazhimin tonë të palëkundur për ta forcuar aleancën dhe për të mbrojtur vlerat dhe parimet tona të përbashkëta drejt së ardhmes”, është thënë në deklaratën e përbashkët.

Traktati i nënshkruar më 1960 obligon Shtetet e Bashkuara që të mbrojë Japoninë, shtet i cili në Kushtetutën pas Luftës së Dytë Botërore, hoqi dorë nga e drejta për të zhvilluar luftë. Ndërkaq, sipas këtij traktati, Japonia i ofron ShBA-së baza ushtarake për ushtrinë amerikane.

Dy shtetet fillimisht e kishin nënshkruar këtë traktat më 1951, por ishte rishikuar edhe një herë nga kryeministri i atëhershëm japonez, Nobusuk Kishi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mijëra protestues janë mbledhur sot në qendër të Hong Kongut,…