Shërbimi Sekret i Ukrainës zbulon numrin e goditjeve në rafeniritë ruse
Drejtoria Kryesore e Inteligjencës e Ukrainës (HUR) bëri të ditur se operacioni special kishte në shënjestër tubacionin e naftës Koltsevoye, i cili furnizonte ushtrinë ruse dhe ndodhet vetëm pesëdhjetë kilometra nga kryeqyteti rus, Moska.
Të shtunën, HUR njoftoi për sulmet e saj më të fundit që synuan infrastrukturën ruse të naftës – nga rafineritë te tubacionet ndërsa Kievi përpiqet të intensifikojë kundërofensivën ndaj sektorit që, sipas tij, financon pushtimin e Kremlinit.
Këto sulme janë pjesë e taktikës së ushtrisë ukrainase për ta “sjellë luftën në shtëpitë e rusëve të zakonshëm”, pa rrezikuar jetët e civilëve.
Qëllimi është të goditen sektorë dhe industri që ndikojnë drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve rusë – si energjia që përdorin për ngrohje dhe ndriçim, apo ndërprerja e operacioneve ajrore në aeroporte përmes dronëve.
Kjo strategji synon të nxisë presion të brendshëm ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, që të pranojë negociata paqeje dhe t’i japë fund pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, tashmë në vitin e katërt të tij.
Pas një operacioni të zhvilluar të premten nga HUR, në rajonin e kryeqytetit rus, u shkatërruan tre seksione të tubacionit të naftës Koltsevoye, “i cili furnizonte ushtrinë pushtuese ruse”, njoftuan shërbimet speciale ukrainase në një deklaratë zyrtare.
“Pajisjet kundër dronëve dhe ‘mbrojtja’ e objektit armik nga rojet paramilitare rezultuan të pafrytshme: tre segmentet përmes të cilave transportoheshin benzina, nafta dhe parafina shpërthyen njëkohësisht dhe me sukses; tubacioni u nxor jashtë funksioni,” thuhet në deklaratë.
Tubacioni kryesor Koltsevoye është 400 kilometra i gjatë. Karburantet që transportohen përmes tij vijnë nga rafineri të rajoneve të ndryshme, përfshirë Riazanin, Nizhni Novgorodin dhe Moskën.
Ky tubacion pompon deri në 3 milionë ton parafinë, 2.8 milionë ton naftë dhe rreth 1.6 milionë ton benzinë çdo vit, duke e bërë atë një nga nyjet më të mëdha dhe më të rëndësishme të infrastrukturës energjetike të Kremlinit.
Dronët ukrainas përfshijnë Moskën
Kievi po vazhdon të lëshojë valë dronësh në territorin rus, si për misione sulmuese, ashtu edhe për misione penguese.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kanë kapur dhe shkatërruar 98 dronë ukrainas mbi territorin rus të premten në mbrëmje.
Sipas ministrisë, shumica e tyre 45 dronë u rrëzuan mbi rajonin Belgorod, që kufizohet me Ukrainën. Por sulme u regjistruan gjithashtu në rajonet Samara, Moskë, Tula dhe të tjera.
Guvernatori i rajonit perëndimor rus Tula, Dmitry Milyaev, deklaroi se një dron kishte rënë në Tula pa shkaktuar dëme apo lëndime.
Sulmet ruse po vazhdojnë gjithashtu të godasin rëndë Ukrainën, ndërsa Moska vazhdon të sulmojë çdo ditë fqinjin e saj, duke sfiduar thirrjet globale të udhëhequra nga Presidenti amerikan Donald Trump për të ndalur sulmet dhe për t’u ulur në tryezën e negociatave me qëllim arritjen e një paqeje të menjëhershme dhe të qëndrueshme.
Njësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës raportuan se të paktën 223 dronë u lëshuan drejt Ukrainës gjatë natës së kaluar deri në mëngjesin e së shtunës, nga të cilët rreth 140 ishin dronë sulmues të prodhimit iranian Shahed. Përveç dronëve, u lëshuan edhe disa raketa, përfshirë raketa balistike.
Forcat ukrainase shtuan se arritën të asgjësojnë me sukses 206 prej tyre në ajër, përpara se të arrinin objektivat e tyre. Megjithatë, 17 dronë arritën të godasin shënjestrat e tyre në shtatë rajone të ndryshme, sipas forcave ajrore të Ukrainës.
Të paktën një person humbi jetën dhe më shumë se një duzinë të tjerë u plagosën në një sulm raketor rus në Mykolaiv, sipas Vitaly Kim, kreu i administratës ushtarake rajonale. Ndër të plagosurit ishte edhe një fëmijë, i cili pësoi lëndime mesatare dhe po trajtohet nga mjekët.
Raportet e para sugjerojnë se sulmi u krye me një raketë balistike Iskander, e pajisur me një kokë shpërthyese me municion kasetë. Sulmi shkaktoi dëme në një stacion karburanti dhe në automjete civile.(Euronews.com)



