Sherifi: Haradinaj duhet ta marrë mandatin e bisedimeve

01 tetor 2018 | 20:33

Kryetari i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se përderisa Thaçi nuk pranon që të harmonizohet platforma e përbashkët presidencë-qeveri-opozitë, atëherë është koha t’i thuhet se ti nuk mund të përfaqësosh Kosovën në dialog.
Sherifi, duke folur në “Dossier D” në “RTV Dukagjini”, ka thënë se për momentin ka dy qëndrime për dialogun me Serbinë.

“Kemi dy pozicione të ndryshme sa i përket dialogut me Serbinë. Në njërën anë është qëndrimi i presidentit Thaçi, i cili është qëndrim personal i tij. Në anën tjetër kemi një qëndrim të qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila vazhdimisht është deklaruar, së paku publikisht, se janë kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë”, ka deklaruar Sherifi.

“Kryeministri Haradinaj e ka bërë të qartë nuk do të jetë në një tavolinë ku diskutohet për territorin e Kosovës. E ka bërë të qartë edhe z.Limaj se në Bruksel do të shkojë vetëm me mandat kushtetues”, ka shtuar ai.

Sherifi ka thënë se tashmë deklaratat e Haradinajt dhe Limajt për kufijtë nuk po mjaftojnë.

“Thaçi është duke insistuar në idenë e tij. Prandaj më duket se është koha t’i thuhet Thaçit se ti nuk mund të përfaqësosh Kosovën në dialog, përderisa nuk pranon që të harmonizohet platforma e përbashkët presidencë-qeveri-opozitë”, deklaroi Bilall Sherifi.

Sipas kryetarit të Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Haradinaj duhet ta merr mandatin e bisedimeve nga Thaçi.

“Thaçi duhet ose t’ia dorëzoj Haradinajt mandatin e bisedimeve, ose Haradinaj duhet t’ia kërkojë Thaçit këtë mandat dhe t’u prijë bisedimeve”, tha deputetit i koalicionit qeveritar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rusia dhe Gjermania kanë rënë dakord të lidhin me linjë…