
Sherri për UÇK, revoltohet Presidenti i Shoqatës Çamëria: Pse sot duhet të ishim bashkë
Tahir Muhedini, President i Shoqatës “Çamëria”, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se politika shqiptare duhet të jetë e bashkuar për çështjen e UÇK-së.
“Unë mendoj që gjithë kjo lloj politike që shohim nuk i shërben as çështjes kombëtare dhe as kombit shqiptar. Nuk është këtu për të marrë flamur, e do më shumë ti, apo e dua më shumë unë. Ne kemi një problem shumë madhor. UÇK-ja është luftë, krijimi është i drejtë apo i padrejtë? Këto udhëheqësit e UÇK-së a mbahen në mënyrë të padrejtë atje? Por, politika shqiptare duhet të kuptojë që duhet të dalin nga uni dhe duhet të jemi të gjithë bashkë për çështjen kombëtare dhe unë mendoj që duhet të jemi bashkë për këtë çështje”, tha Muhedini.
“Unë e di ç’do të thotë gjenocid dhe kam 80 vjet që nuk po gjej drejtësi. Por, sot kam ardhur për të bërë thirrje, të gjithë bashkë shqiptarët, pa krahë, t’i përgjigjemi thirrjes së veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së që të jemi nesër në mitingun madhështor për të drejtat e udhëheqësve që janë pesë vjet aty, dhe gjithë kjo punë që bëhet, është për ta inkriminuar UÇK-në”, shtoi Presidenti i Shoqatës “Çamëria”.
Sipas tij, “për çështjet madhore kombëtare ne duhet të jemi bashkë”.
“Ato cicmicet për të kaluar kohën s’kanë asnjë lloj rezultati. Neve jemi para një kërkese të veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së që luftuan për liri dhe të jemi të gjithë bashkë nesër në sheshin Skënderbej, në orën 17:00”, theksoi Tahir Muhedini./a2news