“Sheshi” përfundon aktivitetin “Turneu i shkrimtarëve” në fshatrat e komunës së Prishtinës

17 dhjetor 2023 | 09:02

Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” realizoi aktivitetin e saj kulturor dhe letrar “Turneu i shkrimtarëve” në fshatrat e komunës së Prishtinës.

Ky aktivitet u mbështet nga Drejtoria e Kulturës e komunës së Prishtinës.

“Turneu i shkrimtarëve” këtë vit u mbajt në fshatrat Llukar, Dabishec, Keqekollë dhe Grashticë të rajonit të Gollakut dhe komunës së Prishtinës.

Diskutimet për librin shqip dhe leximin e tij u zhvilluan në ambientet shkollore të fshatrave të lartpërmendur dhe u mirëpritën me dashamirësi dhe kureshtje nga të pranishmit.

Diskutimet me të pranishmit u zhvilluan nga shkrimtarët Adil Olluri, Azem Deliu dhe Dan Ibrahimi.

“Turneu i shkrimtarëve” është një aktivitet i rëndësishëm kulturor e letrar, për faktin se përmes tij qytetarët dhe lexuesit e fshatrave dhe lagjeve periferike të Prishtinës mund të njihen me shkrimtarët e letërsisë së tashme shqipe në Kosovë. Po ashtu, është një aktivitet që mund ta nxisë kërshërinë e leximit dhe dashurinë për letërsinë bashkëkohore shqipe. Qëllimi parësor i aktivitetit tonë që t’ju mundësojmë të rinjve e të rejave të fshatrave dhe lagjeve periferike të Prishtinës njohjen e afërt e të drejtpërdrejtë me zhvillimet aktuale letrare në Kosovë. Gjithashtu, qëllim i ynë është që të kemi aktivitete edhe në zonat më rurale e periferike, duke qenë thuajse të gjitha organizimet letrare e artistike janë fokusuar në qendrën e Prishtinës.

Po ashtu, QKE “Sheshi”, në kuadër të këtij aktiviteti, dhuroi disa vepra letrare dhe lektyra për bibliotekat shkollore të fshatrave të sipërcekura.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës i ka mbështetur gratë me sëmundje të…