Shi i rrëmbyeshëm në Malishevë, vërshohen disa shtëpi

07 korrik 2018 | 13:40

Shiu i rrëmbyeshëm që ka kapluar territorin e Komunës së Malishevës, është përcjell edhe me dëme, pasi uji ka depërtuar edhe në disa shtëpi të banimit.

Ekipet e njësisë së zjarrfikësve dhe shpëtimit, kanë intervenuar në fshatin Pllaqicë, për largimin e ujit në një shtëpi banimi, njofton Komuna e Malishevës.

Sipas drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Valon Gashi, ekipet emergjente, me të marrë informacionin ka intervenuar në fshatin Pllaqicë, pasi uji kishte depërtuar së paku në një shtëpi banimi. Sipas tij, njësia e zjarrfikësve dhe shpëtimit në Malishevë, ka larguar ujin nga kjo shtëpi banimi.

Përndryshe, shiu i rënë sot, në disa pjesë të Komunës së Malishevës, është shoqëruar me dëme, të cilat do të vlerësohen në ditët në vijim, kurse në Pllaqicë, në shtëpinë ku është intervenuar, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Drejtori Gashi, ka bërë të ditur se ekipet emergjente janë në gatishmëri të plotë, për të ndërhyrë nëse paraqitet nevoja, pasi parashihet të vazhdojnë të reshurat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar vërshime në jugpërndim…