Shifra alarmante: Mbi 40 mijë përdorues të drogës në Kosovë – rasti më i rrallë, një fëmijë 9 vjeç
Por, sa hezitojnë përdoruesit e drogave të shkojnë të marrin trajtimin e nevojshëm? Në këtë ndikon edhe lloji i drogës që përdoret, teksa Safet Blakaj thotë se kokaina si drogë më e shtrenjtë, ndonëse mendohet se përdoret nga shtresat e pasura, atë e përdorin edhe shtresat e varfra të njerëzve.
“Më parë kur heroina ka qenë droga kryesore, më lehtë kanë ardhur sepse e kanë pasur të nevojshme, me çdo kusht. Ndërsa tani që kanë ndryshuar llojet e drogave në tregun e zi në Kosovë, atëherë ma më vështirësi paraqiten, p.sh. ata që përdorin marihuanë mendojnë se s’kanë nevojë, por atë edhe mund ta lënë vet nëse duan. Te kokaina mendohet se është më problem, që përdoret nga shtresat e larta por e dimë se në mesin e atyre që përdorin kokainë kemi nga shtresat më të varfra në Kosovë deri te ato më të larta, nuk është drogë vetëm për shtresat e larta dhe ky është problem i madh. Ne mendojmë ta thyejmë mitin se kokaina nuk shkakton varshmëri e dimë sigurt që shkakton varshmëri, si fizike, më shumë psiqike, kur përdoret në afatgjatë e sidomos kur fillon të përdoret në baza ditore”, ka thënë ai.
Blakaj tregon për Expose se në Kosovë aktualisht janë më shumë se 40 mijë përdorues të drogave, prej tyre 15 mijë përdorues problematikë.
“Numri i përdoruesve të drogave është diku 40 mijë aktualisht në Kosovë, mund të jetë pak më shumë. Prej tyre, diku 15 mijë janë përdorues problematikë të drogave” , është shprehur Blakaj.
Sa i përket moshave, ai tregon se ka pasur dhe raste që fëmijë 9 vjeç ka qenë përdorues, ndërsa fillimi i përdorimit të drogës nis që nga mosha 14 vjeçare.
“Neve nuk na shqetëson shumë mosha e re kur shohim ekstreme siç është 9 vjeç e më poshtë ka pasur diçka, 9 vjeç e 10, deri në 12 vjeç, rastet janë shumë të rralla dhe kjo na bën me dije se këto raste janë shumë aksidentale, ndërsa mosha kur fillohet përdorimi i drogës është 14, 15 dhe 16 vjeç”, ka theksuar ai.



