
Shiten 2 milionë “iPhone12” për 24 orë
Porositë paraprake për telefonat e rinj “iPhone 12” janë hapur të premten me 16 tetor. Deri tani, nga procesi i shitjes është parë se telefoni i ri i “Apple” po shet dy herë më shumë se sa modelet e kaluara.
Ming-chi Kuo, një analist në monitorimin e zinxhirit të furnizimit të “Apple”, tha se po vijnë shumë më tepër porosi për “iPhone 12” sesa pritej.
Ai shtoi se diferenca midis “iPhone 12” dhe modelit Pro është më e vogël se sa që ishte në modelet e kaluara. Modeli Pro ka një fund të ndryshëm, më shumë RAM, një lente kamere shtesë dhe një sensor LiDAR, por përndryshe është shumë i ngjashëm me “iPhone 12”, që është më i lirë në çmim. Prandaj ka shumë kërkesa për modelin e parë. I pyetur për “iPhone 12 Mini”, ai tha se ky model mund të shitet më pak sesa pritej, sidomos në tregun kinez për arsye se është shumë i vogël.
Kuo vlerësoi se rreth 1.7 deri në 2 milionë “iPhone 12” janë shitur në 24 orët e para të hapjes, krahasuar me 500 000 deri 800 000 “iPhone 11”, sa ishin shitur për të njëjtën kohë.
Ndërsa kjo është një rritje shumë e madhe, ka pasur sugjerime se ridizajnimi i telefoni dhe përfshirja e rrjetit 5G ka shtyrë këtë telefon të kërkohet kaq shumë. Kështu kishte ndodhur edhe me “iPhone 6”, i cili solli shitje shumë të mëdha që në prezantim.
“Apple” ka nxjerrë në shitje vetëm gjysmën e modeleve të reja këtë javë. Dy madhësitë më të pazakonta “iPhone 12 Mini” dhe “iPhone 12 Pro Max”, nuk do të dalin në treg deri në nëntor.