
Shitet për 10 miliardë dollarë, Lakers bëjnë historinë me marrëveshjen më të madhe në sport
Për herë të parë pas më shumë se 45 vitesh, familja Buss nuk do të jetë më pronarja në shumicë e Los Angeles Lakers. Jeanie Buss dhe familja e saj kanë arritur marrëveshjen për të shitur pjesën më të madhe të aksioneve te Mark Walter, pronar kryesor i Los Angeles Dodgers, për një shumë rekord prej 10 miliardë dollarësh, shuma më e lartë e paguar ndonjëherë për një ekip sportiv në histori.
Mark Walter, CEO i TWG Global, tashmë do të ketë kontrollin kryesor të një prej markave më ikonike në sportin botëror. Ai ka qenë aksionar minoritar për disa vite, por tani do të drejtojë Lakersat në një epokë të re. Megjithatë, Jeanie Buss do të vijojë për momentin në rolin e guvernatores së ekipit, duke mbetur vendimmarrësja kryesore. Lakersat u blenë nga Jerry Buss në vitin 1979 për vetëm 67.5 milionë dollarë, një shumë që përfshinte edhe ekipin e hokejit Los Angeles Kings dhe arenën Forum.
Nën drejtimin e tij, klubi u kthye në një fuqi botërore, duke fituar 11 tituj kampionë dhe duke mbledhur “yje” si Magic Johnson, Kobe Bryant, Shaq O’Neal dhe aktualisht LeBron James e Luka Donqiq. Walter, ndryshe nga familja Buss që mbështetej kryesisht në vlerën e klubit, është një miliarder me burime të mëdha financiare.
Tifozët e Lakersave tashmë presin me padurim të shohin ndikimin e një pronari të ri e agresiv në prag të NBA Draft-it më 25-26 qershor dhe hapjes së merkatos më 6 korrik.