Shitja e ‘barnave’ online vlerësohet e rrezikshme
Në Kosovë sot mund të blesh ilaçe edhe përmes një klikimi në rrjetet sociale nga persona, të cilët pos që nuk iu dihet adresa, nuk kanë as përgjegjësi e as autorizime për të tregtuar me produkte, të cilat ata i shesin shpesh online dhe i dërgojnë tek klientët përmes postës.
Kjo, po e bën një paralele të tregtimit të produkteve farmaceutike me barnatoret e të cilat, kontrollohen megjithatë nga Agjencia për Pajisje dhe Produkte Mjekësore.
Reklamat e këtyre barnave, mund t’iu duken bindëse, posaçërisht kur keni një problem shëndetësor. Mirëpo, profesionistët shëndetësorë thonë se këto produkte mund të jenë edhe të rrezikshme për shëndetin dhe jetën.
“Fenomeni i shitjes apo promovimi i suplementeve në rrjetet sociale sikur shëron shumë sëmundje, është një fenomen mjaft shqetësues, i cili rrezikon në mënyrë të drejtpërdrejt shëndetin publik dhe qytetarët apo pacientët këtë duhet ta kuptojnë që suplementet nuk shërojnë sëmundje”, ka thënë Astrit Haxhijaha për RTK-në nga Oda e Farmacistëve të Kosovës.
Për mantelbardhët është absurde që një ilaç që përdoret për trajtimin e gurëve në veshka të përdoret edhe për trajtimin e gurëve në idhëz.
“Kjo mundë të shkaktojë pikësëpari një olesdicid akut për shkak të zvogëlimit-zbërthimit të guralecëve apo gurëve në idhëz duke kaluar nëpër rrugë biliare. Një ikter mekanik mund ta shkaktojë, që është një patologji e rëndë, më tutje mund të shkaktojë një pankrait që është kërcënues për jetën. Do të thotë assesi nuk duhet të përdoren kësi lloj preparate për shkrirjen e gurëve në idhëz”, ka thënë, Ekrem Sefiu, kirurg abdominal.
“Te personat që janë me diabet, ndoshta ai lloj i ilaçit e ka një përbërës që ua ngrit vlerat e sheqerit, e pacienti nuk e di. Ndoshta dikush që e ka një pengesë tjetër ose duke e marrë një ilaç tjetër nuk e di që ai ilaç mundet me pas kundërndikim me ilaçin tjetër që është duke e përdor”, ka thënë Gzonit Salihaj, farmacist.
Ndërkohë që produkte të dyshimta e plot rrezik janë në dorë të qytetarëve, institucionet përgjegjëse e hedhin përgjegjësinë tek njëra tjetra. AKPM, nënvizon se Departamenti i Autorizim-Marketingut, merret vetëm për çështjet operacionale dhe menaxhuese. E për suplementet dhe tregtimin e tyre nuk është në rrjedha.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, që mban përgjegjësi për mbikëqyrjen e suplementeve mjekësore, ka kompetenca vetëm për barnat dhe suplementet veterinare.
Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë, në një përgjigje me shkrim nënvizon se barnat mund të shiten vetëm përmes recetës, në barnatore të licencuara. Ndërkohë që sipas policisë është përgjegjësi e inspektoratit të ndërmerr veprime për kontrollin dhe ndëshkimin e të gjitha veprimtarive shëndetësore.
Përgjatë aksioneve të policisë vitin e kaluar janë arrestuar persona përgjegjës për falsifikimin e produkteve, duke përmendur suplementet “Collagen Peptides 200 gr”. Sipas Inspektoratit Farmaceutik, pos ngritjes së kallëzimeve penale, masat për veprimtari të paligjshme parashohin edhe gjoba nga 2000 deri në 20 mijë euro./RTK



