Shkarkimi i Kelmendit nga pozita në KPK: Ambasada amerikane bën thirrje për respektim të ligjeve

25 nëntor 2025 | 11:09

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë u ka bërë thirrje të gjitha palëve në Kosovë që t’i respektojnë ligjet e vendit dhe t’i ndjekin procedurat e duhura ligjore.

Këtë qëndrim, ajo e dha për Radiom Evropa e Lirë, kur u pyet në lidhje me zhvillimet e fundit në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), që kulmuan me shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Më 20 nëntor, anëtarja e KPK-së, Jehohna Grantolli e ka propozuar shkarkimin e Kelmendit, pas raportimeve në një media lokale në Kosovë kinse ai kishte bashkëpunuar më 1999 me një gjyqtare serbe për rastin e Masakrës së Reçakut, të cilën gjyqtarja e konsideronte ngjarje të trilluar.

Kelmendi e ka mohuar bashkëpunimin në atë rast, ndërsa vendimin për shkarkimin e tij e ka konsideruar të paligjshëm, duke thënë se është marrë në mungesë kuorumi, prandaj do ta vazhdojë punën në këtë institucion.

Në linjë me qëndrimin e tij kanë qenë edhe disa anëtarë të KPK-së, në mesin e tyre Visar Krasniqi, sipas të cilit çdo vendim i marrë në mungesë kuorumi “është inekzistent” dhe që propozimi për shkarkimin e Kelmendit bazohet “në një energji të qartë të një puçi institucional”.

KPK-ja i ka 13 anëtarë, ndërsa për shkarkimin e Kelmendit kanë votuar pesë prej tyre. Sipas rregulloreve, kuorumi sigurohet me gjashtë anëtarë.

Të njëjtën ditë, në vendin e Kelmendit është emëruar Agron Qalaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë një ditë më parë se është duke e analizuar procesin nga aspekti ligjor dhe se është në bashkëpunim me shtetet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Italinë) lidhur me zhvillimet në KPK, të cilat i ka quajtur “jashtëzakonisht serioze”.

“Sistemi i drejtësisë në vend është përballur për një kohë të gjatë me sfida sa i përket profesionalizmit, integritetit, pavarësisë dhe paanshmërisë. Është shumë me rëndësi që në mënyrë që deklaratat e mia të mos shihen si ndonjë ndërhyrje, sepse jam person politik që kurrë në karrierën time nuk kam ndërhyrë në sistemin e drejtësisë, që t’i lëmë vend edhe analizës së përbashkët që e kemi me partnerët tanë lidhur me procesin që ka ngjarë sa i përket shkarkimit apo tentim-shkarkimit”, ka thënë Osmani për gazetarë.

Në ditën e shkarkimit, një anëtar i KPK-së e ka akuzuar Kryeprokrurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, se qëndron mbrapa tentimeve për ta shkarkuar Kelmendin.

Mirëpo, Prokuroria Speciale e ka mohuar ndërhyrjen e Isufajt në vendimet e KPK-së.

Presidentja Osmani kishte refuzuar ta dekretonte Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit në tetorin e 2023-tës, me arsyetimin se kishte pasur shkelje në procesin e përzgjedhjes së tij nga KPK-ja.

Një muaj më pas, KPK-ja e dërgoi përsëri emrin e Isufajt për dekretim, por që atëherë presidentja nuk mori më asnjë vendim.

Pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit vazhdoi ta ushtronte Kelmendi, prej kur Aleksandër Lumezit i përfundoi mandati më 2022.

Reagimet tjera për zhvillimet në KPK

Edhe Zyra e Bashkimit Evropian ka reaguar pas këtyre zhvillimeve, duke thënë se shkarkimi i Kelmendit “pengon reformat e nevojshme në KPK dhe shpërfill parimet e ligjit”, si dhe minon përparimin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së.

Kundër vendimit të marrë në KPK kanë dalë edhe organizata të shoqërisë civile në Kosovë, përfshirë Institutin e Kosovës për Drejtësi, Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizjen FOL.

Çfarë u raportua për Kelmendin?

Më 19 nëntor, Besim Kelmendi ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme për media, duke i mohuar raportimet se ka bashkëpunuar me gjyqtaren serbe, Danica Marinkoviq, më 1999, e cila e kishte përsipër rastin e masakrës së Reçakut.

Atëbotë, Marinkoviq punonte si gjyqtare në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, dhe e kishte cilësuar masakrën si “ngjarje të trilluar”.

Në atë masakër u vranë 45 civilë shqiptarë.

Kelmendi e ka konfirmuar se është paraqitur si dëshmitar në Prokurorinë Speciale të Kosovës lidhur me punën e tij në gjykatë në kohën kur ka ndodhur masakra.

Sipas tij, në atë periudhë ishte i punësuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë si bashkëpunëtor profesional, duke theksuar se kryente punën e procesmbajtësit, andaj i mohoi akuzat se ishte asistent i Marinkoviqit.

Sipas tij, Marinkoviq ishte gjyqtarja që “zhduku provat për masakrën e Reçakut”.

Ai i ka bërë këto deklarata pas pretendimeve të medias lokale në Kosovë, Paparaci, se Kelmendi kishte qenë i përfshirë në trajtimin e rastit të Reçakut më 1999.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë pretendimet e këtij mediumi.

Përgjatë konferencës së 19 nëntorit, Kelmendi është pyetur pse është ftuar si dëshmitar në Prokurorinë Speciale lidhur me këtë rast.

“Jam thirrur si dëshmitar sepse një person, që ka qenë prokuror në atë kohë, me emrin Ismet Shufta, kur e kanë pyetur se kush ka punuar në Gjykatë, ai ka përmendur emrat e njerëzve që i kanë rënë ndërmend. I kishte rënë në mend edhe emri im sepse sot jam U.D. i Kryeprokurorit. Nuk e di pse, sepse s’kam marrë asnjë arsyetim”, tha Kelmendi.

Për Reçakun

Pretendimet e atëhershme të gjyqtares serbe, Marinkoviq për masakrën e Reçakut, janë në linjë të njëjtë edhe me narrativin e tanishëm që kanë autoritetet serbe për këtë ngjarje.

William Walker, që gjatë vitit 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kishte dokumentuar krimet e kryera në këtë fshat.

Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja i sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 do të presin një gamë të…