
Shkëlqimi i studentëve të UP-së: Rektori pret ekipin e Fakultetit Juridik që zuri vendin e gjashtë në botë
Ekipi i Fakultetit Juridik që zuri vendin e gjashtë në botë në garën ndërkombëtare “Nuremberg Moot Court 2025” u prit sot nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, prof. Avni Hajdari.
Studentet Morea Pula, Liza Rexhepi, Enxhi Avdyli, Rea Hadri dhe Greta Spahiu, të shoqëruara nga dekani i Fakultetit Juridik, prof. Avni Puka dhe trajnerja e tyre Nisa Ferati, treguan në Rektorat rrugën dhe sfidat deri te suksesi i jashtëzakonshëm.
Rektori Hajrullahu tha se e ardhmja u takon të rinjve e të rejave të vendit, ndërsa theksoi se me rezultate të tilla dhe lajme të mira, studentet garuese i bënë krenarë Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Juridik, familjet e tyre dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.
Rektori më tutje u bëri thirrje pjesëmarrësve të garës „Nuremberg Moot Court 2025” që t’i motivojnë edhe kolegët dhe koleget e tyre, ndërsa në të ardhmen të bëhen trajnerë të ekipeve në garat juridike ku do të paraqiten studentët e UP-së, derisa dekani Avni Puka tha se studentët që arrijnë rezultate të tilla duhet të ndihen gjithnjë pjesë e Universitetit të Prishtinës.
Në garën ndërkombëtare „Nuremberg Moot Court 2025” në fazën e shkrimit të memorandumeve morën pjesë 140 ekipe të fakulteteve juridike nga universitetet më prestigjioze të botës.
Gjatë garës në të cilën u simuluan praktikat e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), studentet e Fakultetit Juridik treguan përgatitje të lartë profesionale në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare përballë jurisë së përbërë nga juristë të njohur botërisht.
Garueset nga Universiteti i Prishtinës së pari u kualifikuan në mesin e 40 ekipeve më të mira, e pastaj në rundet finale me gojë, arritën vendin e gjashtë. Trajnerë e mentorues të ekipit të UP-së, përveç Nisa Feratit, ishin edhe asst. Besnik Beqaj dhe Argjira Asllani, studente e dalluar dhe pjesëmarrëse në garën e vitit 2023.
Rundet finale të „Nuremberg Moot Court 2025” u zhvilluan në sallën historike Nr. 600 të Gjykatës së Nurembergut, ku gjatë viteve 1945 dhe 1946 u gjykuan përgjegjësit nazistë për krimet e Luftës së Dytë Botërore.
https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,37,3499