Shkëlzen Maliqi: Zgjedhjet janë të pashmangshme

15 nëntor 2020 | 14:07

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se zgjedhjet e reja në Kosovë janë të pashmangshme.

Ai ka thënë se vendit i duhet një qeveri më e gjerë.

“Mendoj se zgjedhjet janë të pashmangshme, por jo menjëherë dhe jo as në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, jo vetëm për shkak të pandemisë, por edhe duhet një lloj stabilizimi i brendshëm i raporteve. Koalicioni më i gjerë qeverisës do të mund të kontribuonte në këndellje, por me premtim që të mbahen zgjedhjet e reja pasi që të krijohen kushtet më të volitshme. Po kështu, një qeveri më e gjerë na duhet edhe për shkak të dialogut, të cilin nuk duhet ta lëshojmë me fajin tonë ose duke çuar inate. Kjo për arsye se ende ka një fije arsye të besohet se edhe BE-ja dëshiron që të mbyllë dialogun me sukses dhe njohje të ndërsjellë. Duhet të jemi të kujdesshëm në kërkesat për ndërprerjen e dialogut, të paktën derisa nuk kemi një qeveri të re funksionale në ShBA”, ka thënë Maliqi për gazetën “Epoka e re”.

I pyetur se si duhet të sillen partitë politike në raport me sfidat që ka vendi, kur dihet se Gjykata Speciale gjykatë ka lënë Kosovën pa president dhe ka sjellë një përplasje të partnerëve të koalicionit qeverisës, Maliqi ka thënë se partitë politike po sillen në mënyrë krejtësisht të gabuar.

“Në kohën e pandemisë partitë politike po sillen në mënyrë krejtësisht të gabuar dhe pa koordinim substancial që diktohet nga interesi vital i mbrojtjes së shëndetit kombëtar dhe ekonomisë së shtetit dhe kështu po vazhdojnë edhe në raport me gjykimin në Hagë. Mirëpo, besoj se situata do t’i kthjellë shpejt, sepse nuk ka më hapësirë manovruese për konfrontimet që në plan të parë nxjerrin interesat e partive, të grupeve dhe të liderëve të caktuar, e jo ato të përgjithshme”, ka deklaruar Maliqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë ngritur…