Shkëndija, klubi i tretë shqiptar në finalet e një kompeticioni evropian

31 korrik 2025 | 13:13

Edhe pse u konsideruan si thuajse pa gjasa përballë ish-kampionëve të Evropës, tetovarët nuk u ndalën fare nga emri i madh i Steauas së Bukureshtit. Shkëndija arriti ta mposhtë skuadrën rumune në të dyja ndeshjet e raundit të dytë kualifikues të UEFA Champions League (1-0 dhe 1-2), duke shkruar kështu një kapitull të ri në historinë e futbollit shqiptar. Deri në këtë fazë, një sukses të tillë e ka arritur vetëm Skënderbeu i Korçës, në sezonet 2013/14 dhe 2015/16.

Falë këtij suksesi, skuadra kuqezi nga Tetova tashmë e ka të siguruar pjesëmarrjen në fazën grupore të UEFA Europa Conference League, por ende ka shpresë për rezultate edhe më të mëdha. Në raundin e tretë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve, Shkëndija do të përballet me Qarabagun nga Azerbajxhani. Nëse ia del ta kalojë edhe këtë pengesë, Shkëndija do të sigurojë një vend në fazën grupore të UEFA Europa League, ndërsa do të ketë gjithashtu një mundësi historike për të arritur në fazën “play-off” të Ligës së Kampionëve, faza e fundit para grupeve të këtij kompeticioni më prestigjioz në Evropë.

Deri më tani, vetëm Skënderbeu ka arritur deri në këtë nivel, por u eliminua nga gjiganti kroat Dinamo Zagreb, duke vazhduar më pas në grupet e Europa League. Nga ana tjetër, ajo që Shkëndija tashmë e ka të sigurt, pjesëmarrjen në grupet e Conference League – është një sukses që e ka arritur dy herë edhe Ballkani i Suharekës, duke përfaqësuar denjësisht futbollin shqiptar në Evropë. Ndeshja e parë ndaj Qarabagut zhvillohet më 5 gusht në Shkup, ndërsa ajo e kthimit një javë më vonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Marco Verratti, i cili tani luan te Al-Duhail në Katar,…