Shkëndija përballet sonte me Qarabagun në ndeshjen kthyese

12 gusht 2025 | 11:35

Skuadra e Shkëndijës së Tetovës ka mbërritur të dielën në mbrëmje në Azerbajxhan. Sot (e martë) do ta zhvillojë ndeshjen e kthimit të raundit të tretë kualifikues në Ligën e Kampionëve ndaj Qarabagut. Kampionët e Maqedonisë së Veriut shpresojnë në një tjetër sukses historik, pasi nga ndeshja e parë në Shkup mbajnë një disavantazh minimal prej 0-1.

Ky rezultat lë gjithçka të hapur dhe u jep besim djemve të trajnerit Jeton Beqiri për ta synuar përmbysjen. Pavarësisht se Qarabagu është një kundërshtar me përvojë dhe lojtarë cilësorë, Shkëndija ka treguar se mund të përballet denjësisht dhe ka armët e saj për të sfiduar edhe në transfertë. Ekipi tetovar nuk do të hyjë në fushë pa besim — përkundrazi, beson në kualifikim dhe një hap më tej drejt elitës evropiane. Edhe pse sfida paraqet vështirësi, motivimi është i madh: me një eliminim të mundshëm të Qarabagut, Shkëndija jo vetëm që do të kalonte në “play-off”-in e Ligës së Kampionëve, por do ta siguronte automatikisht edhe pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.

Gjithsesi, edhe nëse eliminohet, vendin në grupet e Ligës së Konferencës e ka të siguruar. Ndeshja zhvillohet më 12 gusht në orën 20:45 sipas kohës lokale në Azerbajxhan dhe në orën 18:00 me orën tonë. Në aspektin e formës, Shkëndija vjen me moral të lartë pas fitores bindëse 5-1 ndaj Shkupit në javën e parë të kampionatit vendor. Qarabagu, nga ana tjetër, nuk e ka nisur ende sezonin në Azerbajxhan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se sot do…