
Shkoi për fitnes, doli pa orë – vjedhje misterioze në “Five Star” të Hotel Grand!
Vjedhje në zhveshtore të “Five Star” në Hotel Grand – klientit i merret ora nga dollapi
Një incident i pazakontë ka ndodhur në ambientet e fitnesit “Five Star”, që ndodhet brenda objektit të Hotel Grand në Prishtinë.
Burime të Sinjalit nga brenda fitnesit bëjnë me dije se një klient, derisa ishte duke ushtruar, ka raportuar se nga dollapi i zhveshtores i është vjedhur ora e dorës, e markës “Richard Mille”, me vlerë të deklaruar rreth 300 euro.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e 9 korrikut 2025, ndërsa sipas informacioneve, vjedhja është kryer në momentin kur zhveshtorja nuk ishte e mbikëqyrur nga stafi dhe nuk kishte prani të klientëve të tjerë aty pranë.
Aktualisht, nuk dihet nëse objekti është i pajisur me kamera funksionale në atë pjesë që mund të ndihmojnë në identifikimin e personit të dyshuar, ndërsa incidenti ka shkaktuar pakënaqësi dhe shqetësim te klientët, sidomos për mungesën e masave të sigurisë brenda zhveshtoreve.
Kujtojmë se nuk është hera e parë që në këtë fitnes ndodhin vjedhje të tilla.