Shkolla që i dha zë luftës së UÇK-së, tani shfrytëzohet ta promovojë Specialen
Pas luftës e ndërroi objektin, e dikush duket se deshti t’ia ndryshojë edhe identitetin patriotik.
Gjimnazi “Xhevdet Doda” ishte ditë më parë nikoqir i një ligjëratë për Gjykatën Speciale, institucionin që po gjykon katër nga ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlrimtare e të Kosovës. E pikërisht për përkrahjen e kësaj ushtrie, kjo shkollë e mesme, ishte më e zëshmja gjatë luftës së viteve 1998-99 në gjithë Kosovën.
Tryeza të organizuara, shkrime në revista shkollore e tituj që flisnin për luftën e UÇK-së, kishin kulmuar edhe me vizita në zonat e luftës, e madje edhe festime të Vitit të Ri me luftëtarët.
Ish-drejtori i gjimnazit “Xhevdet Doda”, Binak Ulaj, kohën e luftës e ka cilësuar si një nga më të ndriturat për shkollën, duke theksuar përkushtimin dhe gatishmërinë e nxënësve për të përkrahur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, nxënësit kontribuuan me pjesëmarrje në zonat e luftës, ashtu edhe përmes pjesëmarrjes në demonstratave.
“Nuk do ta harroj asnjëherë, përkushtimin e nxënësve, disiplinën e tyre dhe gatishmërinë e tyre. Veçmas gatishmërinë e tyre për të përkrahur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një pjesë e nxënësve…kanë shkuar edhe në zonat e luftës. Ka pasur nxënës që më kanë kërkuar këshillë, a të shkojmë apo jo, dhe ka pasur raste kur nuk kam pasur dëshirë ndonjëri prej tyre të shkojë, por nuk më kanë dëgjuar, do të thotë, për arsye se ishin të vendosur. Dhe duhet vlerësuar këtë. Edhe ata nxënës të cilit nuk kanë shkuar në zonat e luftës, në qendër të Prishtinës, atëherë do të thotë, kanë dhënë kontributin e tyre me qëndrimin e tyre, me pjesëmarrje në të gjitha demonstratat në përkrahje të UÇK-së. Veçmas duhet veçuar revistën e gjimnazit, të titulluar ‘Gjimnazisti’, ku botoheshin shkrime nga zonat e luftës, që i sillnin vetë ata nxënësit, mandej betimin e UÇK-së e kështu me radhë”, thekson Ulaj.
Këtë kontribut e mban mend shumë mirë edhe njëri nga nxënësit më aktiv të atyre aksioneve, Arianit Bytyçi. Ai tregon se si në shtator të 1998’të‘s, në kohën kur lufta kishte përfshirë gjithë Kosovën, nxënësit e “Xhevdet Dodës” morën iniciativa për tu bërë zë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne një grup të rinjsh, u patëm vendosur në shërbim të plotë të luftës çlirimtare përmes organizimit të asaj tryeze dhe përmes shkrimeve në mbështetje të UÇK-së dhe ato shkrime ne shkonim me i realizuar në zonat e luftës. Disa nga nxënësit, unë, Bujar Sadiku, Kushtrim Berisha dhe disa nxënës të tjerë. Po ashtu, një pjesë e jona, përveç këtij angazhimi, ishte vendosur edhe në shërbim të luftës çlirimtare jo vetëm në një zonë por edhe në zona të tjera. Prandaj, mbështetja jonë nuk ishte vetëm morale, por ne shkuam edhe i vizituam ata disa herë, e pritëm Vitin e Ri me ta, ua sollëm revistën Gjimnazisti dhe revistën e studentëve Bota e Re, me të cilën bashkëpunonim në atë kohë, sepse ne ishim vendosur edhe në mbështetjen e lëvizjes studentore dhe të demonstratave të vitit 1997 e tutje që vazhduan edhe në vitin 1998, që u shndërruan në një demonstrata në shërbim të luftës çlirimtare…”, u shpreh Bytyçi.
Këta të dy tash janë të indinjuar se si shkolla që dikur shquhej për mbështetjen e çlirimtarëve, tash po shfrytëzohet pikërisht kundër tyre.
Ulaj, vlerëson se mbajtja e një ligjërate për Gjykatën Speciale pa koordinim me institucionet arsimore, drejtorinë komunale dhe prindërit ka qenë një hap i paqëlluar.
“Nuk më erdhi mirë që është organizuar një ligjëratë e tillë, pa u koordinuar më së pari me institucionet e arsimit, me drejtorinë komunale të arsimit, me prindërit. Për çfarë arsye? Për arsye se Gjykata Speciale ne na është imponuar. Nuk është gjykatë e Kosovës, asgjë s’ka të Kosovës. Vetëm emërtimin e ka. Gjykatësit nuk janë të Kosovës, vendi ku është nuk janë të Kosovës e kështu me radhë. Prandaj, për mendimin tim, çka do t’u flitet atëherë atyre? Çka do t’u thuhet? Do t’u thuhet nxënësve e vërteta apo jo? Do t’u thuhet se kjo gjykatë na është imponuar, do të thotë, nga faktorë ndërkombëtarë… 04’44por më duket ka qenë një hap jo i qëlluar. Jo i qëlluar, sepse në qoftë se nxënësve nuk u thuhet e vërteta për Gjykatën Speciale, atëherë do të thotë ata do i mashtrojmë”, shprehet Ulaj.
E ish-gjimnazisti, Bytyqi thotë se 28 vite pas po tentohet të zhbëhet historia e shkollës.
“Kjo është e pakuptueshme në një kohë kur jo vetëm gjimnazi Xhevdet Doda, por të gjitha shkollat e tjera duhet ta ruajnë kujtesën kolektive duke rikujtuar dhe vlerësuar luftën çlirimtare dhe të arriturat e saj që janë liria dhe pavarësia e Kosovës. Ata me apo pa vetëdije vendosen në një luftë kundër historisë. Derisa dje ne ishim në shërbim të luftës çlirimtare, në shërbim të historisë, dhe besonim se vetëm vazhdimi i luftës dhe një politikë më aktive mund të na çlironin nga Serbia, dhe historia na dha të drejtë. Tani 28 vjet më pas, në të njëjtën shkollë, vendoset në shërbim, me apo pa vetëdije, në shërbim të djallit. Por historia nuk mund të rishkruhet. Ajo është historia e luftës çlirimtare e cila rezultoi me përkrahje ndërkombëtare, me bombardimet e NATO-s, dhe me fitoren e lirisë dhe pavarësisë”, u shpreh ai.
Ish-drejtori konsideron se masa ndëshkuese duhet të merren karshi atyre që aprovuan dëgjimin e ligjëratës për Specialen.
“Drejtori i shkollës, është dashur së pari të dijë cili është qëllimi i kësaj ligjërate. Cila është pesha? Çka reflekton kjo ligjëratë, do të thotë, për çfarë qëllimi? Në qoftë se do dikush të na bind, po them edhe njëherë, të na bind se kjo gjykatë do të thotë është bërë me vullnetin tonë, të institucioneve të Kosovës, nuk qëndron ajo…..Është dashur të koordinohet, të këshillohet me Drejtorinë e Arsimit. Është dashur po ashtu të këshillohet edhe me Këshillin e nxënësve, edhe
KosovaPress që nga e hëna ka tentuar të marr një deklaratë nga drejtori i shkollës “Xhevdet Doda”, Isak Bregaj, por ka qenë e pamundur.
Javën që shkoi nxënësit e gjimnazit “Xhevdet Doda” dëgjuan ligjëratë për Gjykatën Speciale të Hagës. Mbajtja e kësaj ligjërata ngjalli reagim të madh kundër mbajtjes së saj, e cila ishte organizuar edhe pa dijeninë e Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë.
E nga drejtoria e kësaj shkolle, kishin deklaruar se dritën e gjelbër për këtë ligjëratë e kishte dhënë këshilli drejtues i shkollës”.
Ndërsa, “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR)”, e cila ka organizuar ligjëratën mbi Gjykatën Speciale në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë, e ka pranua se ligjërata është mbajtur në bashkëpunim me zyrtarët e Speciales.
Në reagimin e kësaj organizate është thënë se aktiviteti është realizuar me lejen e institucionit arsimor.
Ndërsa, kryetari i komunës së Prishtinë, Përparim Rama duke u shprehur i indinjuar paralajmëroi masa ndëshkuese për të gjithë ata që lejuan mbajtjen e një ligjërate të tillë. /B.Ibishi/
/Kosovapress/



