Shkolla që peshon në libra, por jo në jetë

20 gusht 2025 | 15:03

Shukrije RAMA

Jemi në fillim shtatori, kur fëmijët marrin çantat në krah, shpesh më të rënda se vetë trupi i tyre. Në vend që shkolla t’u ngrejë kokën, ajo ua ul atë nga pesha. Nuk është vetëm pesha e librave, por edhe pesha e mësimeve të shkëputura nga realiteti.
Çfarë u duhen format gjeometrike nxënësve me këmisha apo këpucë të shqyera, kur jeta do t’u vizatojë trekëndëshin më të hidhur: varfërinë, përbuzjen dhe mungesën e shpresës? Pse të mësojnë për erërat e Afrikës, kur ata përditë përballen me erërat që fryjnë në pragun e shtëpisë së tyre? Pse të mësojnë për kullotat dhe delet e Australisë, kur sapo të rriten ata do të mësohen të ruajnë ëndrrat e tyre të shpërndara?
Nuk u duhen mësime për rigjenerimin e krimbave, për dritën e hënës apo për baticat e deteve. U duhet të mësojnë si të rigjenerojnë shpresën, si të ndezin dritën brenda vetes, si të ecin përpara kur jeta i përplas pas murit.
Po historia? Historia është gjithmonë sipas interesit: dikur një tradhtar quhej hero, e një hero tradhtar. Por fëmijët nuk kanë nevojë të mësojnë për heronj e tradhtarë që ndryshojnë me kohën. Ata kanë nevojë të mos përmbyten vetë nga padrejtësitë e jetës.
Çfarë vlere ka të mësojnë për jashtëtokësorët, kur shumë prej tyre nuk dinë të bashkëjetojnë me njerëzit? Si mund të flasim për krijesa të largëta, kur në këtë vend ka tridhjetepesëvjeçarë që ende jetojnë nën supet e prindërve? Ata duhet mësuar të mendojnë me kokën e tyre. Të qëndrojnë në këmbë kur i përplas jeta. Të notojnë kur dallgët bëhen të mëdha, të forta dhe të egra.
Fëmijët nuk kanë nevojë për mësime mbi mollën e ndaluar. Duhet të shkojnë në kopsht, të mbushin vetë shportat me molla e me misër, derisa ta ndiejnë peshën në shpinë. Sepse aty ku është dhimbja, aty fillon mësimi i jetës.
Pse të mësojnë fëmijët thyerjet matematikore, kur nesër do t’u thyhet shpirti?! Pse të mësojnë përqindjet në statistika, kur do ta njohin mungesën e ngrohtësisë familjare. Pse t’i mësojnë elementet e sistemit periodik, kur do të përballen me elementet e trishtimit: mungesën, padrejtësinë, dhimbjen?
Ka pasur shumë nxënës të shkëlqyer. Me diploma, me mirënjohje, me nota të larta. Por bashkë me lavdërimet, qindra herë janë përplasur në litarët e shpëtimit. Asnjë mësim shkollor nuk ua mësoi si të shpëtonin. Librat ua dhanë suksesin në letër, por jeta ua gdhendi plagët në shpirt. Dhe plagët nuk harrohen kurrë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nën udhëheqjen e presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK),…