Shkon në 52 numri i të vdekurve në minierën e Siberisë, përfshirë disa shpëtues

26 nëntor 2021 | 08:29

Së paku 52 persona raportohet të kenë vdekur nga fatkeqësia më e rëndë e minierave në Rusi në dhjetë vitet e fundit.

Incidenti filloi kur pluhuri i thëngjillit në një bosht ventilimi mori flakë të enjten, duke e mbushur minierën me tym e duke lënë të vdekur 11 persona, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Nga mbrëmja, një operacion i dështuar për të vendosur kontakt me dhjetëra minatorë të zhdukur u kthye në tragjedi, pasi u raportua se disa punëtorë të ekipit të shpëtimit u asfiksuan. Një burim i shërbimeve emergjente i tha një agjencie të lajmeve se “askush nuk ka mbetur i gjallë”.

Shumica e 285 personave në minierën “Listvyazhnaya” të rajonit Kemerovo, rreth 3.500 kilometra në lindje të Moskës, arritën të largoheshin pas incidentit, që ndodhi rreth orës 08:35 të së enjtes sipas kohës lokale.

Zyrtarët thanë se 49 persona janë dërguar në spital. Disa prej tyre janë helmuar nga tymi, ndërsa për katër thuhet se janë në gjendje kritike.

Dhjetëra minatorë nuk arritën të largoheshin pas incidentit fillestar, por operacioni i shpëtimit u desh të pezullohej, pasi në minierë u vërejt nivel i lartë i metanit, duke nxitur frikë për shpërthime të mundshme.

Një nga ekipet e shpëtimit më pas dështoi që të dilte nga miniera. Trupat e tre shpëtuesve u gjetën më vonë, duke e çuar në 14 numrin zyrtar të viktimave.

Më pas, disa burime u thanë agjencive ruse të lajmeve se nuk pritet që të ketë të mbijetuar të tjerë dhe se shifra e të vdekurve ka shkuar në mbi 50, përfshirë gjashtë shpëtues.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Albin Mehmeti Egoja personale përballë shenjtërisë kolektive (Fakti dhe fiksioni…