Shkupi ndryshon emrin e aeroportit

25 janar 2018 | 09:21

Pas një takimi 3 orësh në Davos të Zvicrës, në kuadrin e Forumit Ekonomik mes kryeministrave të Greqisë dhe Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, sa i përket emërtimit të fqinjit verior të Greqisë, Tsipras dhe Zaev kanë rënë dakord të intensifikojnë negociatat e përbashkëta nën mbikëqyrjen e OKB-së.

Tsipras ka deklaruar se ka rënë dakord me homologun e tij për nevojën e ekzistencës së një emri të përbërë për përdorim nga të gjithë, duke sqaruar se pa një zgjidhje në çështjet që përballojnë dy vendet, Greqia nuk mund të kontribuojë për të hapur rrugën e integrimit të Ish Republikës Jugosllave në BE dhe NATO. “Më parë duhet të përballemi me iredentizmin në të gjitha format e tij dhe madje me garanci që nuk do të lëmë asnjë dritare të hapur në mënyrë që të krijohen sfida të ngjashme në të ardhmen”,deklaroi Tsipras.

Nga ana e tij kryeministri Zaev,  ka theksuar rëndësine e anëtarësimit të vendit në institucionet europiane duke shtuar se zgjidhja përfundimtare duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët, të marrë parasysh interesat e tyre dhe të respektojë ndjeshmërinë dhe dinjitetin kombëtar të të dy popujve. “Si dy kryeministra kemi vizionin tonë politik dhe kurajon që të gjejmë një zgjidhje në këtë problem, që ekziston për më shumë se 25 vjet”, deklaroi Zaev.

Zaev ka bërë me dije se “Shkupi do të ndryshojë emrin e aeroportit dhe të autostradave” si një shenjë e vullnetit të mirë dhe dëshmi se qeveria e tij nuk ka ambicie irredentiste kundër fqinjit, duke lënë të nënkuptohet se ky veprim duhet të vlerësohet nga të gjitha palët e interesuara.

Aeroporti i Shkupit tash për tash quhet “Aleksandri i Madh”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës sot (e enjte) vazhdon seancën ku do…