Shoqata “Çamëria” në Kosovë mban Kuvendin e pestë, kryetari i ri zgjedhet Nexhmi Muçiqi

20 shtator 2025 | 19:10

Shoqata “Çamëria” në Kosovë ka mbajtur sot Kuvendin e pestë, me ç’rast është zgjedhur kryetari i ri, Nexhmi Muçiqi dhe kryesia e re.

Pas zgjedhjes kryetar, në një fjalë rasti Muçiqi tha se ndihet i privilegjuar që do të vazhdojë ta drejtojë shoqatën “Çamëria”.

Ai theksoi se për nëntë vite radhazi është punuar për çështjen çame dhe se do të vazhdohet me përkushtim.

“Dëmtimi i emrit ‘Çamëri’ mund të ndodhë vetëm mbi xhenazen time”, tha Muçiqi.

Ndërkaq, Muçiqi tha se porosia për shtetin e Greqisë është të vendosë në sipërfaqe çështjen çame.

Siç tha ai nëse kjo gjeneratë nuk do të arrijë ta zgjedhë çështjen çame, gjeneratat e reja do të vazhdojnë përpjekjet.

Derisa kërkoi mbështetje institucionale nga shteti i Kosovës.

Ndërkaq, sekretari i Shoqatës “Çamëria”, Isuf Kuçi, tha se kjo shoqatë është një nga boshtet kryesore të aktiviteteve kombëtare në Kosovë.

Sipas tij, që nga themelimi janë zhvilluar dhjetëra aktivitete, konferenca dhe nisma sensibilizuese, me synim ruajtjen dhe promovimin e historisë së Çamërisë, ngritjen e zërit për padrejtësitë ndaj shqiptarëve dhe sensibilizimin e brezave të rinj në Shqipëri e Kosovë për çështjen çame.

Veprimtari i çështjes kombëtare, Zenel Krasniqi, tha se shoqata ka vazhduar të zhvillojë aktivitete me rëndësi për çështjen çame që nga themelimi.

Ndërsa, bashkëthemeluesi i Shoqatës “Çamëria”, Aziz Bytyqi, e cilësoi Muçiqin si lider të përkushtuar dhe tha se, përveç financimeve të shumta, ai ka ndihmuar në themelimin e degëve të shoqatës edhe jashtë trojeve shqiptare.

Ndërsa kryetari i iniciativës “Të gjithë për luftëtarin”, Ismail Selmani-Mala, tha se për dhjetë vite shoqata “Çamëria” ia ka kushtuar aktivitetin e saj çështjes shqiptare dhe asaj çame.”

Siç tha ai tani ka nevojë për punë, angazhim dhe unitet, derisa potencoi se “duhet ngritur zërin dhe arsyen, sepse kemi shumë arsye për të kërkuar tokën tonë”.

Në kuadër të këtii kuvendi, sekretar i shoqatës “Çamëria” u zgjodh Isuf Kuçi. Ndërkaq, nënkryetarë u zgjodhën Agim Berisha dhe Fadil Pushkolli.
Anëtarë të tjerë të kryesisë në këtë shoqatë janë Zenel Krasniqi, Riza Alija, Aziz Bytyqi, Reshat Blakçori e disa të tjerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një vizitë e Faton Pecit në Muzeun e Qytetit në…